E martë, 9 Gusht, 2022

Loja psikologjike e partive politike 

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Para disa muajve në një debat publik me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoni, Samuel Zhbogar një i ri nga publiku parashtroi pyetjen: 

  • Cili ishte përfitimi më i madh për qytetarët e Sllovenisë, vendi nga vini ju, pasi u bë anëtare e BE? 

Pas një pauze të shkurtë për tu menduar, ambasadori sikur vuri buzën në gaz dhe u përgjigj (parafrazoj): 

  • Do të thoja që ne filluam të merremi më pak me politikë. Politika sikur nuk ishte më preokupimi ynë kryesor. Ishte lehtësuese për qytetarët e rëndomtë. 

Qysh atëherë kjo përgjigje më intrigoi dhe unë vazhdoj edhe sot të mendoj se si do të mund të dukej shoqëria jonë në qoftë se politika nuk do të dominonte bisedat tona të përditshme me miqtë në kafe, në tryezën e darkës familjare, tek dentisti, tek berberi apo edhe në vizitat e familjarëve të afërt e të largët. A thua do të vjen ajo ditë kur figurat kryesore në jetët tona të mos jenë politikanët? 

Natyrisht që në momentin aktual përgjigja më optimiste do të ishte: ndoshta një ditë! E deri sa të vijë ajo ditë ne jemi të destinuar për të qenë peng i lojërave psikologjike të partive politike që na bëjnë të përballemi me pyetje ekzistenciale për të ardhmen tonë, të fëmijëve tanë, për vendin e punës, për përballimin e sëmundjeve, për edukimin e brezave të ardhshëm. Pyetje të cilat t’i vrasin ambiciet duke të detyruar të luftosh për mbijetesë, që ta vrasin shpresën. Lojërat psikologjike na mbajnë të varur pas ekranit të televizorëve duke parë në radhë edicionet e lajmeve nga kanali në kanal, të verbuar pas celularëve për të ndjek përditësimin e vazhdueshëm për çështjet e shtetit, çështje të cilat janë gjithmonë më të rëndësishme se përditshmëria e qytetarit të zakonshëm, të cilat gjithmonë zgjidhen përmes një drame epike të përplasjeve të mëdha dhe gjithmonë në momentin e fundit për t’i lënë vendin dramës së radhës. Dhe kështu dramë pas drame vijmë në aktin final të përmbylljes së një cikli dramash për të hapur një cikël të ri – fushata zgjedhore. 

Tani intensiteti i lojërave psikologjike rritet duke i shtuar në dozë edhe më shumë nervozizëm, paparashikueshmëri dhe përplasje frontale e të tërthortë mes aktorëve kryesorë për ta rritur edhe më tepër ankthin për të ardhmen. Është momenti kur përveç në ekranet e televizorëve dhe celularëve, politikanët do t’i shohim ngado që ta kthejmë kokën, në çdo mur apo pano reklamuese të buzëqeshur e kryelartë,  do t’i shohim edhe në rrugë – jashtë zyrave të tyre komode. Do t’ju vinë edhe në kafene, edhe në shfaqe, edhe në çajtore, edhe në kishë e xhami, e madje do t’ju vinë edhe në shtëpi për ta sjellë aktin përmbyllës të dramës me të cilën hynë në çdo bisedë tuajën.  

Nën presionin e kësaj drame të përditshme, të përsëritshme dhe që duket pa përfundim, dalja gjendet shpesh herë tek valixhet që po zbrazin qytetet tona. Shumë prej atyre që ikën nuk e morën këtë vendim vetëm nga vështirësitë ekonomike, por donin ta nxirrnin politikën partiake jashtë përditshmërisë së tyre. Ikën për një jetë normale ku veç tjerash politikanët dhe partitë nuk janë biseda kryesore por biseda të tilla se: ku do t’i dërgojmë për argëtim këtë fundjavë fëmijët, në cilin park do të dalim, cilin film do ta shohim në kinema, diskutime mbi librin, kulturën… biseda të vogla e të kota që nuk flasin për të panjohurën e rrezikshme që prodhon politika. 

Ndoshta një ditë edhe ne do të jemi një shtet normal që do të ketë kësi lloj biseda të vogla e të kota…

Të fundit