E enjte, 1 Dhjetor, 2022

“GODITJET” E ALKOOLIT, AKSIDENTE DHE PASOJA TJERA SOCIALE

Në Maqedoninë e Veriut 12 përqind e aksidenteve vijnë si pasojë e konsumimit të alkoolit. Ekspertët flasin edhe për pasojat në jetën sociale, por edhe për devijimet dhe rritjen e dhunës në shoqëri. Problem më vete mbete që alkooli, përkundër faktit që është ndaluar me ligj, mbetet i qasshëm edhe moshat ndër 18 vjet.

Autore: Marigona Suma

Konsumimi i tepruar i alkoolit ka edhe pasoja sociale. Konsumi mbi normat e lejuara po godet familjet dhe shoqërinë. Krahas problemeve shëndetësore, alkooli po shkakton rritje të dhunës në familje, aksidenteve, por edhe të kriminalitetit. Ekspertët tashmë po e theksojnë këtë shqetësim që dita-ditës po bëhet më i pranishëm si dukuri.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në botë ka rreth 140 milion alkoolikë. Në Republikën e Maqedonisë ka 40-60 mijë alkoolikë, apo 2-3 e popullatës së përgjithshme. Afërsisht 80 përqind nga prodhimi i rrushit dhe pemëve përpunohen në alkool. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut alkooli merr pjesë me 12 përqind si faktor për fatkeqësi, për persona rëndë të lënduar dhe vdekje gjatë fatkeqësive.

Alkoolizmi paraqet problem kompleks dhe llogaritet për toksinomani më masive dhe një ndër problemet më serioze sociale – mjekësore të shoqërisë bashkëkohore.

‘’Pasojat të cilat alkooli i shkakton tek njeriu, nga aspekti mjekësor tërhjeq uljen e aftësisë së përgjithshme për punë dhe uljen e funksionimit të tij normal. Alkooli shton rrezikun e cirrozë së mëlçisë me rritjen e konsumit për çdo nivel të caktuar të alkoolit, poashtu në konsumin e alkoolit janë një faktor risku për çrregullimet depresive të cilat ndikohen nga doza e konsumuar e alkoolit. Shikuar nga aspekti sociopatologjik, problem shumë më i madh është devijimi, te sjellja asociale përcjellur me veprime kriminale si pasojë e alkoolizmit’’, thotë sociologia, Bardha Shabani

Shkaqet e përdorimin të alkoolit janë të natyrave të ndryshme. Sipas sociologëve, shumica e të rinjve e shohin alkoolin si mënyrë për t’u argëtuar, apo për t’i harruar problemet që kanë në jetën e tyre. Disa të rinj alkoolin e përdorin si zgjidhje e problemeve sociale, sikur janë varfëria, mungesa e vendeve të punës, mjedisi shoqëror, dashuria dhe shumë arsye të tjera personale. Kështu që shumë të rinj, por edhe të moshave jomadhore, të shoqëruar dalin nëpër lokale të natës, apo gjetiu dhe konsumojnë alkool tërë kohën, duke mos llogaritur pasojat ,sidomos ata që marrin rrugë me makina.

Dukuria gjithnjë e më shqetësuese është konsumimi i alkoolit te të rinjtë nën moshën 18-vjeçare. Sipas statistikave një numër i madh i tyre që konsumojnë alkool i bartin pasojat. Dënime, aksidente në komunikacion, probleme shëndetësore, lëshim i mësimit janë disa nga pasojat që vijnë nga konsumimi i tepruar i alkoolit.

Të rinjtë mund të blejnë me lehtësi alkool edhe pse ndalohet me ligj shërbimi dhe shitja e alkoolit te moshat nën 18 vjeç. “Po alkool konsumoj gjatë vikendeve pa asnjë problem edhe pse i kam 17 vjet. Edhe shokët e shoqet e mia blejnë alkool pa problem, kudo. Ndonjëherë na bie të dalim edhe më shpesh sesa vetëm për vikend, qoftë për ndonjë festë, ditëlindjeje ose diçka tjetër, dhe po, konsumojmë alkool”, thotë Njomza17 vjeçare.

Përdorimi i alkoolit nga të rinjtë dhe narkotikëve shihet si një problem i madh shoqëror me pasoja të paparashikueshme. Statistikat flasin për një numër në rritje të konsumuesve dhe për indiferencë institucionesh.

Të fundit