E mërkurë, 17 Gusht, 2022

ANTIKORRUPSIONI, TË NDALOHEN PUNËSIMET NË PERIUDHË PARAZGJEDHORE

Shpalljet publike para zgjedhjeve për Komisionin e Antikorrupsionit shihen si një mekanizëm për të ndikuar në votën e elektoratit. Nga ky komision theksojnë se kjo praktikë duhet të marrë fund. Paralajmërohen edhe përcjellje të keqpërdorimeve tjera, siç janë përdorimi i veturave zyrtare dhe inaugurimet me “lopata në dorë”.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Numri i rritur i shpalljeve publike për punësime në institucionet publike sipas anëtarëve të antikorrupsionit nuk është arsye për anulimin e shpërndarjes së Kuvendit. Ata bëjnë thirrje që ky proces të ndërpritet, në të kundërt ekziston mundësia për krijimin e hapësirës për fushatë zgjedhore jo të drejtë. Nën llupën e antikorrupsionit do të jenë edhe keqpërdorimet eventuale të veturave zyrtare dhe zyrave para zgjedhjeve.

KSHPK i lidh shpalljet e publikuara së fundmi me vonesën e shpërndarjes së Kuvendit, por numrin e rritur të shpalljeve për punësim e shohin si ndikim të drejtpërdrejtë në trupin votues, ndërsa kjo sipas anëtarëve të antikorrupsionit shpie drejt zgjedhjeve jo të drejta.

“Anulimin e shpërndarjes së Kuvendit nuk e lidh me atë arsye sepse edhe më parë kemi qenë dëshmitarë të numrit të madh të shpalljeve për punësim. Kjo nuk duhet të ndodhë para zgjedhjeve, sepse disa nga ato procese të filluara ndoshta edhe nuk do të përfundojnë, por i mbajnë njerëzit të varur, përkatësisht ndikojnë në trupin votues”, thotë Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit.

Ndjekja e keqpërdorimeve të mundshme në fushatën parazgjedhore, si shfrytëzimi i hapësirave të zyrave, veturave zyrtare për qëllime partiake do të jenë në fokus të Antikorrupsionit. Ata paralajmërojnë iniciativë edhe për punësimet në qoftë se trendi vazhdon të rritet dhe kjo hyn në ndryshimet e Kodit zgjedhor.

“Jemi dëshmitarë të asaj që ka ndodhur shpesh, si me lopata kanë filluar investime të caktuara dhe kanë hyrë në ligj, nëse këto janë dukuri të shpeshta duhet të jenë pjesë e ndryshimeve ligjore në Kodin zgjedhor”, thotë Ivanovska.

Parregullsi të llojit fillimi i projekteve me lopata, vozitja me vetura zyrtare në tubime, Ivanovska pret edhe gjatë kësaj fushate, por thekson se këtë do ta ndjekin dhe do ta sanksionojnë së bashku me platformën e gjerë të shoqatave qytetare.

Të fundit