E enjte, 18 Gusht, 2022

METODOLOGJIA E RE ME PËRKRAHJE TË MADHE NË PE: SHTET LIGJOR DHE PLAN INVESTIMI E ZHVILLIMI PËR VENDET E BALLKANIT

Autore: Erisa Zykaj

Parlamenti Europian (PE) ka debatuar në seancë plenare tre shtyllat ku mbështetet metodologjia e rishikuar e zgjerimit të Bashkimit Europian. Komisioneri për politikën e fqinjësisë dhe të zgjerimit, Oliver Varhelyi i ka prezantuar ato që në krye të debatit.

“Ne po punojmë bazuar në tre shtylla kryesore. Së pari, komunikimi mbi metodologjinë e rishikuar të zgjerimit tê Bashkimit Europian. Së dyti hapja e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë para samitit të Zagrebit dhe së treti ne do prezantojmë një plan investimi dhe zhvillimi për rajonin e Ballkanit në samitin e Zagrebit. Qëllimi është ndërtimi i shpejtë i një ekonomie të fortë më afër standarteve europiane”, ka thënë Varhelyi.

Eurodeputetët konsiderojnë se testi i parë i suksesit të kësaj metodologjie është hapja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Metodologjia e re, edhe pse nuk ndryshon shumë nga e tanishmja, ka elementë më të mirë. U ofron vendeve apirante të marrin pjesë në programet europiane si ai i rrjetit transeuropian të transportit apo pakti i gjelbër, para se të bëhen anëtare.  Fokusi kryesor është te shteti ligjor, ndaj shpresoj që kjo metodologji të bindë shtetet skeptike për hapjen e negociatave të anëtarêsimit me Shqipërinë dhe Maqedoninê e Veriut në mars”. ka thënë Tonino Picula, raportues për Malin e Zi.

Deputetja Viola von Kramon -Taubadel , raportuese për Kosovën, ka vlerësuar se “fatkeqësisht, funksionimi i institucioneve demokratike nuk është i sigurtë me hapjen e negociatave”. “Serbia ka bërë regres në reformat e shtetit ligjor dhe lirisë së medias dhe ne bëjmë sikur s’ka ndodhur asgjë  dhe vazhdojmë me hapjen e kapitujve të tjerë. Por pa respektimin e kritereve thelbësore, nuk mund të shënohet progress as në fushat e tjera”.

Vladimir Bilcik, raportuesi për Serbinë, ka theksuar se “tani është koha që të kemi edhe aprovimin e Këshillit dhe shteteve anëtare për metodologjinë e re”. “Ne duhet tê jemi tê bashkuar kur bëhet fjala për zgjerimin. Tani hapi kyç është hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në mars . Vetëm atëherë, mund të fokusohemi te kriteret thelbësore”.

Isabel Santos, raportuesja për Shqipërinë, ka vlerësuar se “metodologjia ofron mundësinë e parashikimit të realizimit të objektivave të fiksuara dhe të marrjes së vendimit në bazë të meritës”. “Ky është një hap para për të krijuar besim, por ne nuk do të pranojmë që kjo metodologji e re ta bëjë procesin më të vështirë për Shqipërinë dhe Maqedoninê e Veriut”.

Ilhan Kyutchyuk, raportues për Maqedoninë e Veriut, ka thënë se mirêpret fokusin më të madh te shteti ligjor, grupimin  tematik të  kapitujve të negociatave dhe kushtëzimin e qartë. “Jam shumë në favor të këtij procesi tê ri, por nuk dua tê shoh që kjo ide e re të kthehet në një kusht të ri që do ta lerë sërish rajonin si paradhomë e Bashkimit Europian”.

Lukas Mandl, eurodeputet, ka vlerësuar se 6 vendet kanë shumë për të bërë kryesisht lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe bashkëpunimin midis tyre. Por, – ka shtuar ai – “negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të fillojnë sa më shpejt, para zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut. Zgjedhjet në Serbi dhe Mal të Zi po afrohen, por Serbia duhet të njohë Kosovën, ashtu si dhe Kosova duhet tê heqë taksën e importit të mallrave”.

Nathalie Loiseau, eurodeputete, ka përshëndur fokusin mbi shtetin ligjor gjatë gjithë procesit të negociatave të anëtarësimit. “Shteti ligjor nuk është të përzgjedhêsh një opsion në letër dhe ta firmosësh. Është thelbi i asaj që na bashkon. Ne kemi tepër kundërshtarë të lirive brenda Bashkimit Europian. Nuk duam të kemi më shumë. Ne nuk do të mjaftohemi me reforma në letër. Ajo që ka rëndësi është realiteti i përditshëm i mbrojtjes se vlerave themelore”.

Andor Deli, eurodeputet, ka thënë se “metodologjia e re e bën procesin më politik, por edhe më efiçent”. “Organizimi në grupime tematike do ta bëjê hapjen e kapitujve më tê shpejtë. Nëse mbyllet një grupim, kjo çon në përfitimin e disa fondeve europiane, që do të sjellë ndryshimin për qytetarët dhe ndërrmarrjet në rajon”.

Tineke Strik, eurodeputete, ka thënë se pret që ky propozim të çojë te aprovimi nga shtetet anêtare i fillimit të negociatave të anêtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “A mund të na sigurojë Komisioni Europian për këtë”.

Komisioni Europian do përgatisë një raport të shkurtër mbi avancimin e reformave tê kërkuara nga shtetet anêtare skeptike në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriut brenda shkurtit.

 

Autorja është korrespondente e TV Klan Maqedonia nga Brukseli 

Të fundit