E martë, 9 Gusht, 2022

KOHA E KOALICIONEVE PARAZGJEDHORE, PARTITË FILLOJNË KOMBINATORIKAT

Zaev dhe Mickovski janë shprehur të hapur për bashkëpunim me partitë shqiptare, por nuk kanë dhënë detaje nëse tashmë janë në bisedime. Në bllokun politik shqiptar, ASH dhe Alternativa kanë arritur marrëveshje për koalicion parazgjedhor. Nga Lëvizja Besa janë shprehur se dy partitë kanë taktizuar dhe kanë pamundësuar koalicion trepalësh. RDK ka bërë thirrje për një koalicion tjetër të opozitës shqiptare.

 

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Krerët e partive politike të bllokut maqedonas, Zoran Zaev dhe Hristian Mickovski kanë komentuar edhe koalicionet parazgjedhore me partitë politike shqiptare. Ish kryeministri Zoran Zaev, duke folur për koalicionet para zgjedhore ka theksuar se partia e tij do të bashkëpunojë me të gjitha partitë politike përveç VMRO-së, siç është shprehur ai, për shkak të nacionalizmit që mbizotëron tek kjo parti.

Qëllimi i LSDM është ta bëjë koalicionin më të madh në historinë e Maqedonisë së Veriut

“Nuk mund të them asgjë, sepse mendoj se mund të bëjmë koalicion me të gjithë, por paraprakisht duhet të marrim përgjigjen dhe vlerësimin e qytetarëve, a është mirë dhe duhet ta shohim nëse na përputhen programet. Mund të merremi vesh për programe dhe vlera të njëjta. Periudhën e bisedimeve e kemi përpara, besoj se do ta bëjmë më të mirën që mundemi”, ka theksuar Zaev.

Edhe VMRO-DPMNE dëshiron koalicion parazgjedhor me parti shqiptare

Ndërkaq, Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski ka theksuar se ka realizuar bisedime me partitë politike shqiptare por ende nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.
“Kemi biseduar edhe me parti shqiptare, ende nuk kemi vendim, ende nuk ka rezultat. Kur të arrihet marrëveshja, opinioni do të jetë i njoftuar”, ka theksuar Mickoski.

Thirrjet publike për koalicion trepalësh të kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Selës, për kryetarin e Lëvizjes BESA Bilal Kasami nuk kanë qenë të sinqerta, por thjesht taktizime politike, ngaqë sipas tij, koalicioni në mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës është arritur disa muaj më parë.

Kasami: gjitha informacionet tona që i kemi pasur, koalicioni në mes Ziadin Selës dhe Alternativës është arritur shumë më herët. Sela: ne nuk kemi kohë të shohim prapa, ne ecim para

“Dje përfundimisht kuptuam një të vërtetë që muaj më parë e kemi ditur, lojërat e filluara përmes thirrjeve publike, taktizimeve disa mujore dhe tentimit për të nënçmuar Lëvizjen BESA, u dëshmuan me njoftimin e djeshëm të Ziadin Selës. Në gjithë këtë proces kemi qenë të përmbajtur nga çdo lloj shpifjeje dhe fabrikimi që kanë tentuar të na mveshin, po tash kur gjithçka ka marrë një epilog e kemi patjetër ta themi se gjitha informacionet tona që i kemi pasur, koalicioni në mes Ziadin Selës dhe Alternativës është arritur shumë më herët. Thirrjet për një koalicion trepalësh ishin pjesë e taktizimeve të tyre”, ka theksuar Bilall Kasami.

Në pyetjen e gazetarëve se a është ende e hapur mundësia për bashkimin e tre partive, respektivisht Aleancës për Shqiptarët, Alternativës dhe Lëvizjes BESA, Kasami e la të hapur këtë mundësi edhe pse sipas tij, partitë e lartë përmendura kanë ndërmarrë një hap të gabuar.

Përgjigjja e Selës erdhi të shtunën mbrëma nga Gostivari, ku partia e tij mbajti një tubim.

“Oferta ime është e qartë – do të duhet vetëm të pranohet dhe ne nuk kemi kohë të shohim prapa, ne ecim para”, tha Sela.

Ai tha se Aleanca për Shqiptarët nuk është mjet në dorën e kujtdoqoftë, por “është mjet i shqiptarëve për ta arritur ndryshimin, fitoren, perspektivën, barazinë dhe dinjitetin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.

Nga partia e Vesel Memedit RDK, janë shprehur pro formimit të një blloku opozitar të mirëfilltë, me një platformë të përbashkët që do ta përpilonin përfaqësuesit e të gjitha partive politike opozitare, me të vetmin qëllim rotacionin e pushtetit në të mirë të qytetarëve.

RDK, koalicionin dypalësh mes Alternativës dhe LR-PDSH-së, nuk e njeh dhe nuk e pranon si opozitë reale, rreth së cilës duhet të bashkohen të gjithë partitë opozitare, sepse kjo është vetëm një lojë nga shumë lojërat e mëhershme, për t’u imponua te shqiptarët si opozitë e bashkuar.
Këto reagime vijnë pasi ditë më parë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa arritën marrëveshje për koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e 12 prillit. Deri më tani është zyrtarizuar vetëm koalicioni në mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës kurse nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) janë shprehur se do të dalin të vetme në zgjedhje. /KDP

Të fundit