E enjte, 18 Gusht, 2022

INTERVISTË / EURODEPUTETI I EPP-SË, DAVID LEGA: NËSE MIRATOHEN PROJEKTLIGJET PËR PORTALET, S’KA DATË PËR SHQIPËRINË

Eurodeputeti djathtist i EPP-së, David Lega, shprehet se mirëpret vendimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama për të shtyrë aprovimin e dy projektligjeve për mediat. Sipas Legas, ky ishte hapi i duhur, pasi këto dy projektligje nuk kanë lidhje me lajmet e rreme. Nëse mbyllen faqet e internetit të mediave, apo merren masa të tjera si kjo, edhe pse ligjet mund të s’behën më vonë, kjo do të shkaktonte dëme të pariparueshme për lirinë e medias dhe do cenonte besimin te Shqipëria si një vend demokratik dhe i lirë.

 

Intervistoi: Erisa Zykaj / Bruksel

 

Zoti Lega, edhe pse vetëm prej 6 muajsh në Parlamentin Evropian, ju jeni shumë aktiv për çështje të ndjeshme lidhur me lirinë e shprehjes dhe të medias. Komisionit Europian i bëri thirrje qeverisë shqiptare për të ndjekur  14 rekomandimet e Këshillit të Europës lidhur me dy draftligjet për median. Ju dhe partia popullore europiane ishit shumë më të ashpër. Ju folët për rrezikimin e hapjes së negociatave të anëtarësimit.

David Lega: Është e rëndësishme të thuhet se partia popullore evropiane mbështet tërësisht këtë qëndrim. Unë dhe Michael Gahler, që është koordinatori i grupit, hartuam komunikatën e shtypit. Në këtë komunikatë thuhet, se nëse këto draft-ligje kthehen në ligje, kjo do të rrezikojë hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë. Liria e shtypit është një liri themelore e Bashkimit Evropian dhe një pjesë e rëndësishme e Kritereve të Kopenhagës. Natyrisht, nëse këto kriteret nuk respektohen, atëherë kjo rrezikon negociatat e anëtarësimit. Jam shumë i lumtur që Rama tha që do presë dhe do marrë në konsideratë më shumë perspektiva. Ky ishte një hap vërtet i rëndësishëm. Shpresoj që ai të vazhdojë kështu dhe të dëgjojë shtypin e lirë, shoqërinë civile , por edhe partitë opozitare. Kjo pasi nëse ndërmerr një hap të tillë, nevojitet mbështetja e një shumice të qëndrueshme brenda vendit dhe ajo e Bashkimit Evropian dhe kjo mbështetje nuk ekziston.

 

Ju gjithashtu jeni shprehur në Twitter, se Shqipëria me këto dy projektligje komprometon presidencën e OSBE-së. C ‘doni të thoni me këtë ? 

David Lega: Demokracia, liria e shtypit dhe liria e shprehjes janë vlera themelore dhe nëse ato shkelen, kjo cenon kredibilitetin. Nëse ju i thoni mediave çfarë të shkruajë dhe të mos shkruajë, nuk ka më liri shtypi. Ky nuk është një mekanizëm kontrolli. Çdo vend mund të ketë mekanizmat e kontrollit, por këtu nuk bëhet fjalë për të ndalur lajmet e rreme (fakenews). Lajmet e rreme janë krejtësisht një çështje tjetër nga dy projektligjet për të cilat bëhet fjalë. Pra, është shumë e rëndësishme për marrëdhëniet e ardhshme midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë që të shihen me kujdes këto projektligje, por gjithashtu për reputacionin dhe besueshmërinë e vendit si një vend i lirë dhe demokratik. Ju e keni fituar këtë liri jo shumë kohë më parë. Ju s’mund t’i lejoni vetes t’i humbni ato.

 

A jeni në favor të vetërregullimit në fushën e medias, siç parashikohet në rekomandimet e Këshillit të Europës ?

David Lega: Kjo është ajo që ne duhet të shohim. Duhet të shqyrtojmë çdo pikë. Të kesh mekanizma  kontrollit është një çështje, por mandati i mekanizmit kontrollues është një çështje tjetër, pasi lidhet me pushteti që i jepet këtyre mekanizmave. Nëse përdoren ligje që mund të dëmtojë seriozisht lirinë e shtypit, edhe pse ato mund të s’behën më vonë, kjo do të krijonte një dëm të pariparueshëm për mediat. Nëse mbyllen sitet e internetit të mediave dhe merren masa të tjera si kjo, kjo mund të dëmtojë seriozisht lirinë e shtypit dhe besueshmërinë e Shqipërisë. Ndaj, jam vërtet i kënaqur që Rama e shtyu dhe shpresoj që ai të dëgjojë zërat e tjera, pasi unë dua që Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Do jetë e rëndësishme për Evropën dhe Shqipërinë, por  për këtë ju duhet të ndiqni rregullat dhe liritë themelore lidhur me kriteret e Kopenhagës.

 

Autorja është korrespondente e TV Klan Maqedonia  nga Brukseli

 

Të fundit