E enjte, 18 Gusht, 2022

ZGJEDHJET VIJNË BASHKË ME LAJMET E RREJSHME

Lajmet e rreme në kuptimin më të thjeshtë janë informacione jo të sakta që synojnë të mashtrojnë një audience te caktuar. Lajmet e rreme zakonisht vendosin tituj shumë tërheqës, një histori të fabrikuar nga vetë ata në mënyrë që të rrisin lexueshmërinë ose në rastin e shpërndarjes në faqet online duan që të rrisin klikimet.

 

Autore: Elif Ibrahim

Lajmi i rreme nuk është një lajm që dikujt nuk i pëlqen, nuk është sensacional, dhe as një shkrim i keq, apo një analizë e dobët. Ky lloj lajmi është qëllimisht i pasaktë dhe mashtrues.

Rritja e madhe e popullaritet të rrjeteve sociale si Facebook në dekadën e fundit përveç dobive të shumta solli edhe mjaft probleme në planin politik. Facebook sipas dizajnit nuk ofron përmbajtje të veta, mirëpo ofron hapësirë për subjektet fizike dhe juridike të shpërndajnë përmbajtjet e tyre. Kjo mundësoi dhe rritje të shpejtë të mediave të reja, internet portale, por edhe faqet e propagandës, të cilat edhe pse nuk identifikohen si media, kryejnë vepër të ngjajshme dhe propagandë duke përdorur vetëm hapësirën virtuele të cilën e ofron Facebook.

Në fillim ky problem nuk kuptohej me seriozitet, sepse qëllimi kyç i shumë fake news “fabrikave„ është klik bejt, me qëllim final përfitim finansiar nga reklamues të ndryshëm. Një rast konkret ndodhi  ne vitin 2017, SHBA hapi dhe  hetim zyrtar për përzierjen e Rusisë në zgjedhjen e presidentit amerikan nëpërmjet fake-news infrastrukturës së tyre. Në atë periudhë edhe Maqedonia ishte në faqen kryesore të mediave të huaja më prestigjioze, për shkak të „fabrikës së famshe” për lajme të rreme nga Velesi.

Përderisa vetë interneti konsiderohet si një hapësirë e lirë për tu shfrytëzuar nga njerëzit pa pengesë, ndalimi i shpërndarjes së informacioneve në çfarëdo forme, mund të konsiderohet si pengesë e lirisë së shprehjes. E meqë kjo formë nuk duhet ndodhë në vendet demokratike, e vetmja mënyrë që t’i  shmangim lajmet e rrejshme është të dimë si të mbrohemi nga to.

Gazetarët thonë se në vendet si Maqedonia e Veriut, ku kualiteti i arsimit nuk është në nivelin e duhur, lajmet e rrejshme shpesh kanë efekt më të madh malinj.

“ Lajmet në përgjithësi janë shndërruar në një mekanizëm që u shërben interesave të grupeve te interesit apo grupeve të ndryshme politike, sidomos në rastet kur bëhen top-tema disa çështje  shoqërore e politike. Lajmi është shndërruar në një mjet propagande të fuqishme që i bën njerëzit të mendojnë për një çështje te caktuar në mënyrë joreale. Shkaktaret kryesorë të këtij ekspozimi janë: niveli i ulët i arsimimit, roli i madh i mediave shtetërore, ose të kontrolluara në mënyrë indirekte nga shteti dhe interesat e biznesmenëve…”, tha gazetar Elon Latifi.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Mlladen Çadikovski, thotë se në po punohet në drejtim të një lufte më efikase kundër lajmeve të rrejshme.

“Në kuadër të këtij regjistri nuk do të ketë vend për propagandë, nuk do të ketë vend për dezinformata, për lajme të rreme. Gjithashtu nuk do të ketë vend për redaksi anonime, për redaktor anonim, të cilët fshihen dhe punojnë nëpër bunkerë. Ky regjistër do të shërbejë që t’ia bëjmë me dije opinionit se cilat media i përmbushin kushtet që të jenë media, por edhe cilat janë ato që i përmbahen kritereve gazetareske gjatë punës së tyre, cilat mediat ka pronësi transparente dhe gjithçka tjerë që ka të bëjë me funksionimin e tyre”, thotë Mlladen Çadikovski, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Nga Këshilli i Etikës thonë se lajmet e rreme apo tekstet joprofesionale janë problem serioz dhe për këtë më së miri flasin ankesat që kanë ardhur në adresë të këshillit.

“Të dhënat nga viti i kaluar tregojnë se në 77.7 për qind të rasteve kemi pasur ankesa lidhur me tekstet që nuk ishin në përputhje me standardet profesionale, edhe atë në portalet online. Kjo nuk na befason kur kemi parasysh apo kur lexojnë se çfarë lajmesh e tekstesh publikohen në këto portale”, thotë Katerina Sinadinovska nga Këshilli i Etikës.

“Me shqetësim kemi ndjekur masat pro-aktive, në veçanti ato që implikojnë fushata të paguara në mediat private, aplikimin e kritereve për akreditim të mediave për ndjekjen e punës së Qeverisë si dhe formimin e grupit aksional kundër dezinformatave. Gjithë këto mund të interpretohen si përpjekje për kufizimin e lirisë së shprehjes, që mund të dëmtojnë sektorin e brishtë mediatik në vend”, ka thënë Dragan Sekullovski, njohës i çështjes së mediave.

Mediat në Maqedoninë e Veriut ka qenë objekt i debateve të shumta për shkak të presioneve që kishin ato në periudhën e qeverisjes së Nikolla Gruevskit. Por janë bërë ndryshime që janë vlerësuar pozitivisht edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, por ende ka punë për të bërë në transformimin e transmetuesit publik dhe konsolidimin e agjencisë së mediave.

 

*Elif Ibrahim është studente e programit studimor Komunikimi Ndërkombëtar pranë UEJL-së

Të fundit