E enjte, 18 Gusht, 2022

“DUAM PUNË”

Autore: Gelina Latifi

Një ndër problemet shqetësuese në Maqedoninë e Veriut është papunësia. Papunësia paraqet përqindjen e të papunësuarve nga tërë kapaciteti i fuqisë punëtore në një territor të caktuar brenda një vendi apo në tërë vendin. Shkalla e papunësisë është një tregues i mirëqenies ekonomike në përgjithësi. Një shkallë e ulët është tregues i një ekonomie të fortë ku ata që kërojnë punë mund ta gjejnë atë shpejtë ndërsa një shkallë e lartë mund të tregojë një ekonomi më të dobët.

Në Maqedoni mund të gjesh gjithçka, vetëm punë jo, thonë shumica e banorëve të papunë.

“Çfarë të flasim, është diçka që tashmë dihet. Është vështirë, mbijetesa është e rëndë për të gjithë jo vetëm për mua”, u përgjigj një qytetare, posaqërisht të rinjtë të cilët jetojnë në këtë vend.

Arlinda Baftiu, aktiviste për të drejtat e të rinjëve, thotë: “Ambienti aktual politik, bën që ata të jenë të dëshpëruar për situatën politike në të cilën ndodhet vendi. Tani kjo krizë edhe më shumë i ngufat shpresat për të ndërtuar të ardhmen këtu sepse për vite me radhë ata përballen me të njëjtat probleme”.

Problemi qëndron në atë se nuk shihet perspektivë për shkak të politizimit të skajshëm të shoqërisë. Sipas të dhënave të publikuara nga Enti për Punësim në vitin 2019, numri i personave të pa punë në vend është 168.180, ndërsa numri i të punësuarve është 794.283.

Papunësia tek të rinjtë është dyfish më e madhe nga shkalla e përgjithshme e papunësisë në vend dhe është 47 për qind. Vështirësitë e të rinjve që të kalojnë shpejtë prej shkollës në drejtim të punës është si rezultat i zbrazëtirës që paraqitet në aftësitë që ata i kanë dhe ato që i kërkon vendi i punës. Ekspertët thonë se kjo zbrazëtirë është aq e madhe sa që punëdhënësit parapëlqejnë të kenë punëtorë me ndonjë përvojë, në mënyrë që të ulin shpenzimin e integrimit të atij punëtori.

Siç thonë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, te papunësia e të rinjve janë dy faktorë kyçe – hapja e vendeve të reja të punës dhe ndryshimi i sistemit arsimor.

Shkalla e punësimit në 28 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) për vitin 2019 është regjistruar me 53.5%, kurse ai i papunësisë 7.6%, ndërkohë që shkalla më e lartë e papunësisë është regjistruar në Maqedoni me 22,4%, transmeton AA.
Punësimi me libreza partiake nëpër institucionet shtetërore dhe pagat e ulëta në sektorin privat janë arsyet kryesore për emigrimin e qytetarëve nga rajoni lindor. Ikjet akademike kanë qenë alarmues që në vitet e fundit ikin më shumë personel i trajnuar, arsyeja për largimin e tyre është një sistem që nuk i vlerëson ato.

Faktori kryesor i të papunësuarve është pikërisht qeveria, e cila nuk ndërmer asgjë për zbutjen e papunësisë, por sipas disa qytetarëve ende vazhdon me investime të gabuara të  cilat ndikojnë vetem në rritjen e mëtutjeshme të numrit të papunësuarve dhe sipas tyre pasojat e papunësisë mund të jenë përhapja e varfërisë, ka shumë ndikime shoqërore, familjare dhe ndikon shumë edhe në sigurinë e popullit, sic janë krimet e shumta për para, rënia e nivelit të jetesës.

 

  • Gelina Latifi është studente e programit studimor Komunikimi Ndërkombëtar pranë UEJL-së

Të fundit