E martë, 29 Nëntor, 2022

Halle e skandale zvicerane…

Nga Enver Robelli

Ministrja e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të Kantonit të Zürichut, socialdemokratja Jacqueline Fehr, më 25 nëntor u mllefos shumë.

Pasi e kishte lënë biçikletën në një zonë të ndaluar në stacionin e trenit në Winterthur afër Zürichut, policia ia kishte konfiskuar dyrrotëshin.

Fehr i dërgoi nga një email protestues dy drejtoreshave të komunës së Winterthurit. Opozita populliste po e quan këtë sjellje të ministres «keqpërdorim pushteti».

Fehr u kundërpërgjigj: «I kam shkruar dy emaila emocionalë. As që mund të flitet për keqpërdorim pushteti». Madje Fehr ka kërkuar falje.

Në të kaluarën zonja Fehr ka thënë se lagjet e pasanikëve në Zürich nuk janë aq kreative. Ajo e ka kritikuar edhe pastrimin e keq të borës në Winterthur.

Në media këto përmenden si skandale të saj. Madje edhe në analiza të gjata e të imëta. Sa shteti në botë do të dëshironte të kishte një ministre të tillë që e «keqpërdorë» kështu pushtetin: nervozohet pse ia kanë hequr biçikletën sepse e ka lënë në zonë të ndaluar…

Përndryshe zonja Fehr është prej dekadash përkrahëse e madhe e Kosovës dhe komunitetit shqiptar në Zvicër.

Të fundit