E martë, 29 Nëntor, 2022

Kur t’ju premtojnë politikanët

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Fushata parazgjedhore është toka pjellore pas të cilës janë gjithmonë në kërkim demagogët dhe populistët të cilës me makiavelizmin e tyre mbjellin premtimet për të korrur votat e qytetarëve. Dhe natyrisht që përveç premtimeve ambienti në të cilin më së miri ato veprojnë është i dominuar nga zënkat verbale mes militantëve partiak, akuzave të pamatura, shpifjeve, konspiracionit dhe degradimit të kundërshtarit. Qershia mbi tortë janë të sharat me nënë e me babë, shumicën e rasteve të mbushura me gabime drejtshkrimore dhe të kombinuara me barbarizma gjuhësore. Në këtë ambient toksik debati cilësor në pamje të parë duket i humbur që në fillim dhe ato pak individë që mundohen të shohin objektivisht anatemohen duke iu veshur atyre herë petkun e njërës parti, herë të partisë tjetër. 

Megjithëse kjo situatë është tepër dekurajuese për t’u përfshirë në debatin publik e pakta që duhet bërë është të heshtim dhe t’ju japim komoditetin e plotë që çështjet jetike dhe problemet tona të përditshme të lihen për diskutim brenda përplasjeve sipërfaqësore të partive. 

Janë katër pyetje magjike që mund të zhveshin shumë politikanë nga petku i demagogut dhe t’iu ofrojnë një pamje më të qartë se sa në të vërtetë premtimet e tyre janë të matura, të sinqerta dhe serioze: Si, Ku, Kur, Kush?

Kanë kaluar thuajse 30 vite nga ndryshimi i sistetmit politik në Maqedoninë e Veriut dhe nuk ka politikan i cili ka kaluar në skenën politike dhe nuk ka premtuar që do të luftoj korrupsionin por që të gjithë kanë dështuar, për më keq, shumë prej tyre kanë qenë apo janë korruptuar në ndërkohë prandaj kur politikanët t’ju premtojnë që do ta luftojnë korrupsionin, sado që kjo të duket paradoksale dhe e pabesueshme, mos hezitoni t’i pyetni: Si do ta luftoni, me cilët mekanizma dhe masa konkrete? Ku do të përqendrohet fokusi i kësaj lufte, pra cili sektor është prioriteti juaj? Kur do t’i shohim rezultatet e para dhe kush do të jetë përgjegjës për të?  Nëse përgjigjet e tyre janë shterpe, të dëgjuara edhe më parë, nuk kanë vizion të qartë e detaje konkrete – dijeni që ju gënjejnë. 

Cilësia e jetës së qytetarëve varet nga politikat qeverisëse dhe kur politikat qeverisëse ndërtohen nga politikanë të dobët edhe cilësia e jetës do të jetë e tillë. Prandaj sot kemi një sistem edukativoarsimor që aktualisht prodhon në masë analfabetë gjysmëfunksional, të diplomuar që dinë të lexojnë e shkruajnë por nuk janë në gjendje të ndërtojnë një paragraf me rrjedhë logjike. Jetojnë në një shtet përplot male e pyje, në ndërkohë që thithim ajrin më të ndotur në Evropë. Kemi administratë të madhe e shërbime të vogla e të këqija. Paguajmë taksa e tatime e na mungojnë investimet. Kemi spitale publike, por duhet të shërohemi në ato private. Dhe një sërë problemesh për të cilat nuk kemi nevojë t’i konstatojmë sepse të gjithë jetojmë me ta në përditshmërinë tonë dhe jemi plotësisht të vetëdijshëm.

Koha se kur mundet të kërkohet llogari për të gjitha këto afrohet dhe ne më 12 Prill do të nisemi drejtë kutive të votimit por nuk duhet të lejojmë që deri atëherë debati të kidnapohet nga zhurmuesit partiak të cilët me çdo kusht duan të na defokusojnë nga problemet reale për të hapur rrugë që demagogjia dhe populizmi të diktojnë vendimin tonë.  Kur t’ju premtojnë politikanët mos harroni t’i pyesni: Si, Ku, Kur dhe Kush! 

Të fundit