E enjte, 8 Dhjetor, 2022

SKANDAL: FOTO EKSPLICITE TË VAJZAVE TË MITURA NË INTERNET, POLICIA E MAQEDONISË SË VERIUT NIS HETIME

Kanë filluar hetimet për motivin e formimit të grupit në “Telegram”, ku për një kohë të shkurtë janë shpërndarë fotografi të shumta eksplicite të vajzave 12-13 vjeçare. Dyshohet se edhe autorët e kësaj faqeje janë nxënës të shkollave të mesme. Kryeministri teknik Spasovski dhe Zv/ministrja plotësuese për Punë dhe Politikë Sociale Shkriel iu kanë bërë thirrje prindërve dhe institucioneve për reagim sa më të shpejtë.

 

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Byroja për Siguri Publike tashmë ka filluar hetimin për motivin e formimit të grupit të “Dhomës Publike” në rrjetin social “Telegram”, në të cilin nxënësit e shkollave të mesme shpërndajnë dhe komentojnë fotografi eksplicite. Ky njoftim është bërë nga zv. Ministrja e MPB-së, Sllavjanka Petrovksa, përmes profilit të saj.

“Në lidhje me grupin e mbyllur në “Telegram” në të cilin nxënësit e shkollave të mesme shpërndajnë fotografi eksplicite nga bashkëmoshatarët e tyre, Byroja për siguri publike menjëherë filloi hetim rreth motivit dhe qëllimit të formimit të këtij grupi. Për të gjitha detajet dhe raportet do ta informojmë opinionin, kurse kundër shkelësve të ligjit do të ngrihen kallëzime përkatëse”, ka shkruar Petrovska në profilin e saj.

Kryeministri teknik Oliver Spasovski ka theksuar se ky grup është i sapoformuar dhe për një kohë shumë të shkurtë ka arritur të mbledhë numër të madh të anëtarëve.

“Dua të apeloj, të gjithë ju, por edhe prindërit, institucionet e arsimit, të rrisin mbikëqyrjen ndaj fëmijëve dhe në kohë të reagohet, edhe në familje edhe në institucione e shkolla. Ka pasur edhe më herët raste të keqpërdorimeve të kësaj natyre, por i kemi zgjidhur me përkushtim”, ka theksuar Spasovski.

Sanela Shkriel, Zv.ministrja plotësuese për punë dhe politikë sociale, ka theksuar se deri më tani ende nuk ka asnjë denoncim nga prindërit e vajzave për keqpërdorim dhe ka apeluar deri te të njëjtit t’i drejtohen institucioneve përkatëse të cilat do t’ju ofrojnë mbështetje të plotë në lidhje me këtë rast.

Të fundit