E enjte, 1 Dhjetor, 2022

LIGJI PËR MË SHUMË DREJTËSI “PENG” I TEKEVE PARTIAKE

Duke mos saktësuar saktë se kur, kryeministri teknik Oliver Spasovski pohoi se ‘shumë shpejt’ propozim-ligji i qeverisë për Prokurorinë Publike do të jetë në procedurë parlamentare, që përmes dialogut demokratik të kërkohet mbështetje nga të gjitha grupet parlamentare. Ligji garanton drejtësi për vendin, pa ndërhyrje të politikës, ndërsa pritet që të ndihmojë edhe për fillimin e negociatave aderuese me Bashkimin Evropian, thotë Oliver Spasovski. Nga opozitarja VMRO-DPMNE ka vetëm njoftim të ri me akuza se Prokuroria Publike punon në mënyrë të njëanshme, përkatësisht nuk ka reaguar për përpjekjen që “Zoran Zaev dhe vëllai i tij Vice të kryejnë krim zgjedhor”.

 

Autore: Xhumadije Ibrahimi

 

Në mungesë të dy të tretave të votave në Kuvend, partia në pushtet LSDM nëpërmjet kryeministrit teknik Oliver Spasovski i apeloi opozitares VMRO-DPMNE që t’ ndërpresë bllokadat dhe të votojë për Ligjin e propozuar për Prokurori Publike, i përpiluar, siç thonë, me ndihmën e ekipeve juridike evropiane dhe amerikane.

“U bëj thirrje deputetëve të opozitës parlamentare, të partisë më të madhe opozitare, të ndërpresin kalkulimet partiake, me politikëbërje, me vendosjen e interesave politike dhe personale para interesave të shtetit. Të përfshihen në ligj që do të thotë rritje e garantuar e drejtësisë, e pavarësisë në sistemin gjyqësor, e Prokurorisë Publike, nga njëra anë. Dhe nga ana tjetër, të ndihmojnë të paktën një herë, tani, t’i realizojmë interesat tona në pjesën e ligjit për PP dhe marrjen e datës për fillim të negociatave me BE-në”, ka theksuar kryeministri i qeverisë teknike, Oliver Spasovski.

Spasovski ngjashëm ka kërkuar nga VMRO-DPMNE-ja edhe mbështetje të Ligjit për mbrojtje, i cili gjithashtu pret në arkivin e Kuvendit, në periudhë kur vendi e pret nënshkrimin e fundit, nga Spanja, për anëtarësim të plotë në NATO. Ai ka theksuar se nuk ka dëgjuar vërejtje tjera përveç për emrin e armatës, i cili në frymën e Marrëveshjes së Prespës, do të duhet të riemërohet Armata e Maqedonisë së Veriut.

“Të ekzistojë të paktën korrektësi minimale politike, jo para qeverisë, jo para shumicës parlamentare, por para qytetarëve, të mbështetet dhe të miratohet edhe Ligji për mbrojtje para shpërndarjes së Kuvendit”, ka theksuar Spasovski.

Lideri i VMRO-DPMNE-së këtyre ditëve ka kundërshtuar ashpër, duke e quajtur joligjore dhe jokushtetuese, bartjen e lëndëve të ngritura nga tashmë e shuara PSP, kryesisht kundër personave nga partia e tij, në prokurorinë e rregullt.

“Gjatë procedurës, kërkohet që të legalizohet ajo që është bërë ilegalisht, përkatësisht bartja e lëndëve nga Prokuroria Speciale Publike në prokurorinë e rregullt”, ka theksuar Mickovski.
VMRO-DPMNE këtyre ditëve iu referohet edhe shkrimeve më të reja të gazetën e djathtë italiane “La Verita”, e cila në mënyrë të vazhdueshme e sulmon qeverinë e LSDM-së dhe ish-kryeministrin Zoran Zaev, për punë në dëm të shtetit dhe interesave kombëtare maqedonase.

Në njoftimin e sotëm partia citon një tekst të gazetës se në Prokurorinë publike “ekzistojnë biseda në të cilat Zoran Zaev dhe vëllai i tij Vice organizojnë shoqatë kriminale e përfshirë në krim zgjedhor”. Zaev i ka mohuar këto akuza, ndërkohë që është shprehur se angazhimet për Ligjin për prokurori publike janë në emër të më shumë drejtësie në vend, pa ndikime të politikës. Debati publik për ligjin pritet në ditët në vijim, në të cilin opozita e paralajmëroi pjesëmarrjen e saj.

Të fundit