E martë, 6 Dhjetor, 2022

“MJEGULLA” INSTITUCIONALE E NDOTJES FATALE TË AJRIT

Ndotja enorme e ajrit vazhdon të jetë një problem shqetësues për qytetarët. Aktivistët e shoqërisë civile theksojnë se institucionet heshtin ndaj këtij problemi me pasoja fatale, ndërkohë që mjekët vënë në dukje shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme si pasojë e pranisë së grimcave PM10 në ajër. Qytetarët shprehen të revoltuar dhe theksojnë katandisjen e institucioneve që nuk ndërmarrin asgjë për ta përmirësuar situatën.

Autore: Çeltina Ademi

Rikthehet sërish gjendja alarmante e ndotjes së ajrit në Maqedoninë e Veriut. Prania e grimcave kancerogjene PM10 në ajër, e ka kaluar kufirin epërm të rrezikut dhe vazhdon të rritet. Në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut vërehet një shtresë mjegulle nga ndotja. Këtë e tregon edhe indeksi i cilësisë së ajrit, sipas të cilave për 50 mg/m3 është tejkaluar pragu i ndotjes së ajrit. Ndërkohë që po ngufatemi në këtë ajër të ndotur, organeve kompetente të kësaj çështje nuk u dëgjohet zëri. Gjendja është shumës shqetësuese dhe alarmante. Qytetarët thithin ajër me grimca kancerogjene shumëfish nga normalja, dhe matjet e bëra e nxjerrin në majë të listës së shteteve me ajër më të ndotur.

Sipas aktivistëve civilë edhe pse e ngritur shumë herë si çështje, e njëjta duhet ngritur çdoherë për të bërë presion, por dhe për të ndërgjegjësuar autoritet përgjegjëse që të fillohet sa më parë me masa, të cilat janë të thjeshta dhe  mund të zbatohen menjëherë. Sipas tyre këto masa do të kishin ndikim të madh pozitiv në uljen e ndotjes se ajrit. Për këtë çështje intervistuam përfaqësues nga shoqata ‘’Nëna dhe Fëmija’’, mjeke të mjeksisë së përgjithshme dhe qytetarë

HESHTJA FATALE INSTITUCIONEVE

Anëtarja e Bordit të Lëvizjes ‘’Nëna dhe Fëmija’’ Elmedina Abdullahu, thotë se si organizatë kanë bërë aktivitete dhe përpjekje për të ndërgjegjësuar institucionet përkatëse që të marrin masat e duhura , por e njëjta nuk është se ka rezultuar në një zgjidhje konkrete. Ajo gjithashtu thekson se krahas kësaj kanë bërë kampanjë bashkë me nënat të cilat kanë qenë aktive në fusha të ndryshme , në vende të ndryshme duke iu bashkëngjitur edhe qytetarë të shumtë  të cilët luftonin për të drejtat e tyre me kushtetutë, të drejtën e tyre të garantuar për ambient të pastër, gjë të cilën janë të dënuar të mos e gëzojnë. 

“Nëse marrim që të analizojmë se institucionet ose shteti atëherë shohim se të njëjtit paguajnë  shumë më tepër për sanim të dëmeve të shkaktuar nga ndotja se sa të njëjtin buxhet ta përdorë për parandalimin e saj. Diku rreth 300 mijë euro janë harxhuar për të mbuluar fondin e të sëmurëve, për pastrimin e pikave të kuqe, të gjitha këto të shkaktuara nga ndotja e këtij lloji. Nëse institucionet tona do të ishin të ndërgjegjshme dhe nuk do të ishin të kapura nga interesi personal, atëherë sigurisht që  në kohë do të kishim një zgjidhje të prekshme”, thekson aktivistja Abdullahu. 

Duke vlerësuar se institucionet nuk janë në nivel të tillë  e në fakt do të duhej të ishin, ajo bënë thirrje që të gjitha ato familje që kanë mundësi që nga ngrohja tradicionale me dru apo me naftë e  qymyr të kalojnë në nxemje me rrymë. Ajo gjithashtu sugjeron ngrohjen me inverter për të cilat ka subvencione dhe shumë më pak harxhojnë. “Të shmangin qarkullimin me vetura në qytet, të mos ndezin mbeturinat, në mënyrë që të gjithë të kontribuojmë për ruajtjen e ambientit tonë sepse ky ambient, është i të gjithë ne pavarësisht asaj se institucionet ose persona të caktuar nuk duan të dinë për këtë gjë”, thekson aktivistja Abdullahu.

AJRI I NDOTUR SHKAKTAR I SËMUNDJEVE TË NDRYSHME

Halide Luma, mjeke e përgjithshme, shprehet se një ndotje kaq e lartë është rrezik potencial për shëndetin e njeriut dhe ata të cilët e ndjejnë më shumë janë personat me sëmundje kronike, fëmijët. “Por këtu qëndron dhe një problem tjetër sepse ka disa sëmundje që janë të lidhura me ndotjen e ajrit e pastaj janë faktorë për paraqitjen e  tyre si kanceri, sëmundjet e zemrës, të mushkërive, astma, bronkiti, alergji të ndryshme”, thekson ajo.

Mjekja Halide Luma rekomandon që në ditët me ndotje të lartë të mos dilet në ambiente të hapura dhe të vendoset maskë për të parandaluar thithjen e ndotur.  Ajo thekson se edhe pse qytetarët nuk janë fajtorët, të paktën më mirë është që gjithsecili të bëjë pak se sa të mos bërit asgjë e që është shumë. 

QYTETARËT ANKOHEN PËR KËTË KASTANDISJE

Qytetarët e anketuar shprehen të revoltuar me institucionet e shtetit . Ata thonë se përfaqësuesit e institucioneve rrinë rehatshëm në karriget e tyre ndërkaq populli vuan dhe thith çdo ditë e më tepër ajër të helmuar.

Qytetari N.A shprehet i shqetësuar për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit që përsëritet vazhdimisht dhe askush nuk po ndërmerr masa përkatëse dhe të duhura për këtë problematikë. “Sikur të ishim në një shtet normal kjo do të ishte harruar por shteti ynë si duket nuk i intereson kjo dhe shikon vetëm tenderët. Jemi dëshmitar të aferave të ndryshme korruptive, turp për ta”, thekson ai.  Situata është e qartë, thekson ai, nuk duhet që një rezultat të tillë të na tregojnë matësit e ndotjes së ajrit në qytet dhe në vende të ndryshme, por e kemi parë edhe vizualisht, sidomos në mëngjes vërehet më shumë, dhe në fund atë ne e thithim dhe pastaj ankohemi për shëndetin. “Po si mos të ankohemi nga kjo katandisje”, thekson ai.

 

  • Çeltina Ademi është studente e programit studimor Komunikimi Ndërkombëtar pranë UEJL-së

Të fundit