E martë, 9 Gusht, 2022

VIDEO / Koalicionimet te partitë shqiptare, Neziri: Pa ide e ideal nuk mund të ketë bashkim në politikë

“Kemi mungesë të ideologjisë, pra idesë dhe idealit te partitë politike, gjë që pamundëson formimin e koalicioneve. Çfarë blloku i koalicionit do të formohej nga partitë opozitare shqiptare në aspektin ideologjik, do të jetë i majtë, i djathtë apo i qendrës? Dhe nëse ngadhënjen në zgjedhje me cilën parti maqedonase do të formojë qeveri, pasi që atje janë të profolizuara deri diku, kemi koalicionin e majtë të udhëhequr nga LSDM-ja dhe koalicionin e djathtë të udhëhequr nga VMRO.”, u shpreh të martën në mbrëmje analist politik, Xhelal Neziri në emisionin “Argument” në TVM2.

Sipas tij, ofertat e subjekteve do të duhet të diktojnë edhe koalicionimet. Neziri njëkohësisht si të nevojshme shikon edhe profilimin e partive politike pas një ideali të caktuar.

Përpilimi i platformave zgjedhore të drejtuara nga qytetarët duhet në këto momente të jetë prioritet i partive politike dhe jo temat për karriera individuale të politikanëve. Oferta e tyre duhet të premtojë krijimin e  barazisë qytetare dhe jetë më cilësore, vlerëson profesori universitar, Hasan Jashari.
“Nuk ikin të rinjtë se vetëm rroga është e vogël, vetëm se nuk trajtohen në vendin e punës me respekt, por ikin prej një numri të madh të faktorëve ku njerëzit nuk i zbatojnë rregullat e lojës, por nuk i zbaton edhe pushteti. Për atë ekzistojnë mekanizmat e kontrollit shoqëror, shtetëror, që vejnë rregulla loje pa të cilat nuk mund të bëhet një shoqëri qytetare.”, tha profesori universitar, Hasan Jashari.
Sipas profesorit universitar, Shpëtim Latifi, bashkimi i bllokut opozitar shqiptar pengohet nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm.
“Bashkimin e subjekteve politike shqiptare e luftojnë të gjithë, e lufton një pjesë e strukturave shtetërore, e luftojnë edhe ndikimet e jashtme në Maqedoni, e ashtuquajtur luftë hibride. Strukturat politike maqedonase janë edhe të ndikuara direkt ose indirekt nga ndikimet e jashtme, me interes në rritje në sferën e ndikimit të Rusisë direkt apo edhe indirekt përmes Serbisë. Pra, s’kemi arritur asnjëherë si shtet të formojnë struktura të inteligjencës kombëtare të cilat para së gjithash do të shikonin interesin shtetëror dhe nacional.”,– theksoi profesori universitar, Shpëtim Latifi.
Sipas profesorëve, populizmi do të dominojë fushatat e partive politike maqedonase duke i ndarë ata në patriotë dhe tradhtarë, por edhe amerikanë apo pro rusë.

Të fundit