E martë, 31 Janar, 2023

Programi qeverisës nën hijen e ndarjes së pushtetit

Programi qeverisës ka mbetur nën hijen e pazarit të ndarjes së pushtetit ndërmjet dy partive që po synojnë formimin e qeverisë, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, thonë njohës të zhvillimeve politike në Prishtinë.

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit, përfaqësuesit e LVV-së, si partia fituese e zgjedhjeve dhe ata të LDK-së kanë zhvilluar takime të shumta, por ende nuk kanë arritur një marrëveshje për koalicionin qeverisës.

Donika Emini, njohëse e zhvillimeve politike në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se përveç luftës për poste që kanë zhvilluar, te të dy partitë në negociata (LVV dhe LDK), është shfaqur edhe mosbesimi ndaj njëra-tjetrës.

“Pavarësisht pakënaqësive për kohëzgjatjen e negociatave dhe mosmarrëveshjeve nga dy partitë për të formuar qeverinë, në krahasim me qeveritë e kaluara, këta dy partnerë kanë diskutuar për prioritetet politike dhe objektivat politike të shtetit dhe qeverisjes së tyre, por kjo është vënë nën hije për shkak të mospajtimeve të dy partnerëve në lidhje me pozitat”.

“Përveç ndarjes së pushtetit, besoj që njëri nga elementet kryesore që ka mbajtur dy partnerët në një pozitë kaq të pasigurt ndaj njëri-tjetrit, është mosbesimi që kanë ndaj njëri-tjetrit dhe kjo derivon nga fakti se më herët LDK-ja është ‘djegur’ (politikisht) nga PDK-ja në shumë raste”, thotë Emini.

Më 7 nëntor, grupet punuese të të dyja partive kishin përmbyllur takimet për përafrimin e qëndrimeve mbi parimet e qeverisë së ardhshme, por ato ende po i vazhdojnë diskutimet për ndarjen e pushtetit.

Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se LVV dhe LDK po bëjnë më shumë një luftë për pushtet sesa për program qeverisës.

“Po shihet shumë qartë që është shumë e rëndësishme ndarje e pushtetit dhe kjo më e rëndësishme sesa vetë programi, sepse programi qeverisës ndërmjet LVV-së dhe LDK-së u bë shpejt, ndërsa ndarja e pushteteve dhe vendeve ministrore nuk po bëhet ende. Kjo nuk po bëhet sepse pretendimet e njërës apo tjetrës palë janë më të mëdha karshi palës tjetër dhe asaj që i thotë populli ‘kapja e shtetit’ dëshiron të bëhet nga partia dhe jo nga koalicioni”, thotë Tahiri.

Që nga 26 dhjetori kur është konstituuar Kuvendit i Kosovës dhe kur deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca u zgjodh kryetari i këtij institucioni, Lidhja Demokratike ka kërkuar që procesi të rifillonte nga faza e parë, pasi që për këtë subjekt politik, edhe pozita e kryetarit të kuvendit ishte pjesë e negociatave.

Kjo kërkesë e LDK-së konsiderohet jokushtetuese nga analisti Tahiri.

“Edhe kërkesa që e bën në këtë rast LDK-ja (për kryeparlametarin) është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse LDK-së në vitin 2014 i ka ndodhur rrëzimi apo kundërshtimi nga Gjykata Kushtetuese kur e pati zgjedhur Isa Mustafën kryeparlamentar. Mirëpo atëherë nga ajo zgjidhje LDK-ja përfitoi, pasi që u hoq nga VLAN (Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma) dhe Isa Mustafa nga pozita e kryparlamentarit që ja mohoi Gjykata Kushtetuese, u bë kryeministër i Kosovës”, thotë Tahiri.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës i kanë dërguar njëra-tjetrës ofertat e fundit për ndarjen e pushtetit me qëllim të arritjes së një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Njohësit e zhvillimeve politike janë optimistë se një marrëveshje e koalicionit qeverisës mes dy partive mund të ndodhë, por presin sfida të mëdha në bashkëqeverisjen e këtyre dy partive.

“Qeverisje të sinqertë nuk besoj se mund të ketë sepse është krijuar animozitet i madh të këtyre dy partive dhe gjithashtu ofertat nuk kanë qenë bashkëpunuese, por refuzuese sa i përket pozicioneve të partive”, thotë Tahiri.

Një tjetër problem në rast të arritjes së një marrëveshjeje të koalicionit mes LVV-së dhe LDK-së, nga njohësja e zhvillimeve politike, Donika Emini është qëndrueshmëria e qeverisë, për shkak, siç thotë ajo, shumicës jo të rehatshme në Kuvendin e Kosovës, që do t’i pengonte ato që të marrin vendime dhe të vazhdojnë tutje pa probleme.

“Nuk jam e sigurt në lidhje me qeveri stabile, të qëndrueshme, pasi që është problematike, duke parë dy parti që edhe mënyrën e veprimit e kanë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Do të jetë një qeveri jo e lehtë dhe kjo bën të mendosh nëse (kreu i LVV-së, Albin) Kurti do të jetë kryeministër i ministrave të vetë apo i gjithë ministrave, pasi që qartazi janë duke u luftuar për pozitat kyçe të shtetit, duke përfshirë këtu edhe presidentin”.

“Kjo po tregon që këto parti megjithatë që do të jenë partnere në koalicion, do të jenë prapë parti që do të garojnë me njëra-tjetrën për t’i treguar elektoratit se çfarë rezultate konkretisht secila parti ka pasur brenda kësaj qeverisje”, thotë Emini.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa kanë zhvilluar tetë takime, ku kanë diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje për koalicion qeverisës. Dy palët kanë thënë se takimi i ardhshëm mes Kurtit dhe Mustafës do të jetë vendimtar për arritjen apo jo të formimit të qeverisë së ardhshme.

Të fundit