E enjte, 8 Dhjetor, 2022

A mundet Rama ta mbylli 2020 si kryeministër?!

Pak herë Shqipëria politike ka pasur këtë anomali që po shoqëron tanimë në mandatin e dytë çdo hap të qeverisjes së kryeministrit Edi Rama. Me parametra ekonomikë që tregojnë se vendi do ketë një vit shumë të vështirë prej tërmetit dhe situatës së investimeve të huaja; me probleme të shumta të individëve në pushtetin lokal për shkak të caktimeve jo normale nga kreu i PS-së, por edhe procesi i zgjedhjeve monopartiake, diktuar edhe nga papjekuria politike e Opozitës; me reforma të mbetura në mes; Shqipëria po i afrohet një stadi të ri të saj me tentativën e radhës për Hapjen e Negociatave me Brukselin.

Optimizmi në mandatin e ri të shefit të Zgjerimit, por edhe burokracisë së re të Brukselit është i njohur. Në këtë rast është edhe i justifikuar për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Veçse kjo nuk i justifikon dot politikanët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në retorikat e tyre lodhëse. Paçka se këta të fundit me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme dhe qeverinë tranzitore kanë krijuar një imazh më të mirë për vendin e tyre.

Kryeministri Edi Rama megjithë angazhimin e tij ndërkombëtar për presidencën e OSBE-së, premtimet për rikuperimin e dëmeve të tërmetit nuk mundet të drejtojë më natyrshëm, sikur në vend gjërat shkojnë normal. Megjithëse Opozita jashtë-parlamentare është ulur, duke kapërcyer atë ngërç dhe retorikë të ngurtë, duket se produkti i përbashkët i Reformës Zgjedhore nuk është i lehtë. Kjo edhe për faktin sepse Reforma e do një provë dhe kjo lidhet me zgjedhjet e parakohshme, që Opozita i ka bërë pothuaj të kryera. Nga ana tjetër konflikti i zakonshëm i zgjedhjeve nga dy partitë ose mosnjohja e anasjelltë dhe kushtëzimi i bën sërish ato disi të pamundura. Askush, nuk mund të thotë nëse do ndodhin, në mesjanar. Madje, edhe brenda PS.

Për më tepër, Rama, me çfarë duket nuk i do zgjedhjet, të paktën nga ajo që mëtohet prej njerëzve të tij. E para prej logjikës normale, që nuk mund të bëhet fushatë në një vend të drobitur prej pasojave të tërmetit, kurse e dyta prej dëshirës për të mos i dhënë mundësi opozitës problematike, që të futet në normalitet.

Gjithsesi, Rama ka një mundësi për të lëshuar kurse presidenti i vendit për të dekretuar zgjedhjet në tre qytetet, ku mungojnë kryebashkiakët dhe ku mund të provohet e testohet realisht sesa do të funksionojnë arritjet e Reformës Zgjedhore. Opozita, që duket e ka nuhatur më së miri të gjithë këtë ngërç, ka deklaruar për protesta. Madje, qysh pa u mbyllur reforma. Që më sa duket do t’ja bëjnë më të vështirë imazhin Shqipërisë para tentativës së radhës për hapjen e negociatave, por edhe për të treguar atë që realisht pret nga Pozita.

Të gjithë rebusin e shton presidenti, Ilir Meta, që në një intervistë të fundit në Kosovë do të shtonte duke u justifikuar se: “Dhe përpjekja ime edhe për çështjen e zgjedhjeve vendore ishte për të evituar përkeqësimin e vlerësimit për Shqipërinë, pasi ne e dinim shumë mirë se me zgjedhje vendore njëpartiake, Shqipëria as nuk mund t’i hapte negociatat dhe as ka për t’i hapur ndonjëherë, sepse zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një kriter bazë i Kopenhagës. Si dhe janë një detyrim që Shqipëria ka edhe nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit”.

Duket se Rama përballë kësaj situate i duhet të bëjë një zgjidhje reale dhe shumë pragmatiste. Kjo, sepse, rekordet negative të disa kryebashkiakëve e penalizojnë në retorikën e tij. Dhe, kjo, ndoshta duke u tërhequr për t’i lënë vend krijimit të një qeverie disi më teknike, ku ai vetë mund të mbajë postin e Ministrit të Jashtëm për të përmbushur angazhimin e OSBE-së, por edhe krijimin e lehtësirave për zgjedhjet në tre qytetet. Janë gjërat më të domosdoshme në këtë situate krejt anormale, që po kalon vendi dhe që me sa duket, me kalimin e kohës po bëhet normale. Ndërkohë që vendi ka nevojë për adresimin e çështjeve kryesore: përmirësimin e situatës ekonomike, Reformën Zgjedhore, Normalitetin social për të frenuar disi ikjet dhe në fund angazhimin total për rrugën evropiane.

Për të gjitha këto, ndoshta Ramës do t’i bënte mirë një tërheqje të pjesshme si kryeministër (Dihet se nuk mund të tërhiqet krejt), një sens që mund ta reflektojë që në Kongresin e ardhshëm në partinë e tij dhe ngritjen e disa kanaleve të bashkëpunimit me të gjithë spektrin politik të vendit…duke lëshuar.

Të fundit