E premte, 9 Dhjetor, 2022

PËRMASAT E VARFËRISË, DËSHTIMI I SHTETIT SOCIAL

Shkalla e varfërisë në Maqedoni e Veriut mbetet alarmante. Sipas statistikave të viteve të fundit, afërsisht 30 përqind e qytetarëve jetojnë në kufijtë e varfërisë. Ekspertët flasin për një shpartallim të shtresave që dikur kishin një standard, ndërkohë që politikat e gabuara kanë çuar në rritje enorme të varfërisë. Hulumtime tjera afishojnë faktin që numër i madh i të rinjve duan ta braktisin vendin.

Autore: Genta Latifi

Varfëria nënkupton situatën ekonomike të një individi ose të një grupi social, në të cilën ata nuk mund të kënaqen me një gamë të caktuar të nevojave minimale të nevojshme për jetën, mbajtjen e kapacitetit të punës, mbajtjen e familjes dhe mirëqenien  shoqërore.

Shkalla e varfërisë në Maqedoni e Veriut pothuajse për çdo vit është më e lartë. Mbi 22 për qind e popullatës në Maqedoni e Veriut konsiderohet e varfër, ndërsa varfëria e fëmijëve është afër 30 për qind. Kështu tregojnë të dhënat e fundit të shoqatës “Platforma kundër varfërisë”, sipas të cilës, në Maqedoninë e Veriut ka mbi 500 mijë njerëz që jetojnë nën pragun e varfërisë.

“Nuk ka stagnim apo rënie të varfërisë. Përkundrazi njerëzit bëhen edhe më të varfër sidomos ato familje që kanë nga 3-4 fëmijë. Varfëria fëmijërore është në rritje dhe gjatë viteve të kaluara, për fat të keq kishim shumë njerëz që jetonin nën pragun e varfërisë dhe vështirë të dalin edhe këtë vit nga varfëria”, thotë Biljana Dukoska nga “Platforma kundër varfërisë”.

Varfëria dhe papunësia janë dëshmi e padrejtësisë së vetë një sistemit social, që përfaqëson themelin e çdo shteti dhe detyrat kryesore të tij dhe që nëkupton organizimin e punës dhe mirëqenies së qytetarit. Situata sociale në të cilën ndodhet Maqedonia e Veriut është një shembull ilustrues se vendimet e pasuksesshme të politikës çojnë në varfëri, ndërkohë që shteti ka për detyrë që të jetë një nga furnizuesit kryesorë të asaj që quhet mirëqenie sociale.

Sipas shumë qytetarëve, varfëria vjen për faj të politikës, ndërkohë që kemi rritje të çmimeve, papunësi, keqmenaxhim, korrupsion dhe krim të organizuar politik.

Nga hulumtimit i ‘Detektor’ që funksionon në kuadër të Institutit për hulumtime politike del se më shumë se gjysma e të rinjve mendojnë të shpërngulen nga vendi. Sipas këtij hulumtimi, 33 përqind e qytetarëve mendojnë të shpërngulen ndërsa 52 përqind e të rinjve që janë ndër moshën 29 vjeçare janë deklaruar se do të emigrojnë jashtë Maqedonisë së Veriut. Arsyeja kryesore se pse duan të ikin nga vendi është nevoja për standard më të mirë jetësor.

Viktoria Vujoviq neuropsikiatre, thekson se varfëria në Maqedoni nga një pjesë e madhe e qytetarëve nuk shihet si turp që duhet përshkruar politikave të gabuara ekonomike të shtetit, por  pjesa e qytetarëve që i përkiste shtresës së mesme, e cila ishte në numër më të madh para dy dekadash, e sheh këtë si dështim personal.

“Në njërën anë shohim një përqindje të vogël të njerëzve me pasuri marramendëse, me shtëpi luksoze fëmijët e të cilëve posedojnë vetura shumë të shtrenjta, dhe nga ana tjetër pjesa më e madhe e qytetarëve, madje mbi 50% e popullatës mezi arrijnë të siguroj kushtet elementare për ekzistencë, të cilët njëherësh pos varfërisë janë në një luftë permanente me turpin, se nuk arrijnë t`ia dalin për të mbijetuar”, thotë Viktoria Vujoviq.

Kategoria më e ndjeshme, thotë ajo, nuk janë invalidët por personat e moshuar, të cilët e kanë vështirë të flasin hapur se dinjiteti i tyre është thyer, jetojnë me shumë pak ushqim , pa ngrohje e mos të flasim për jetë kulturore. “ Këta njerëz para një ose dy dekadave kishin një jetë solide të cilën se kanë më”, thekson Viktoria Vujoviq.

Në bazë të të dhënave të Entit shtetëror për statistikë, niveli i rrezikut të varfërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2018 ishte 21.9%. E analizuar sipas llojeve shtëpiake, niveli i rrezikut të varfërisë në familjet e dy të rriturve me dy fëmijë  në vitin 2018 ishte 22.0%. Niveli i rrezikut të varfërisë për personat e punësuar ishte 8.8%, ndërsa për pensionistët ishte 7.9%. Koeficienti Gini, masa e pabarazisë së shpërndarjes së të ardhurave ishte 31.9%.

Si rezultat i këtyre shifrave, në Republikën e Maqedonisë së Veriut shkalla e papunësisë dhe varfërisë është rritur dukshëm, ndërsa standardi jetësor është përkeqësuar.

 

  • Genta Latifi është studente e programit studimor Komunikimi Ndërkombëtar pranë UEJL-së

Të fundit