E premte, 9 Dhjetor, 2022

VAZHDON TË “LULËZOJË” EKONOMIA GRI

Sipas të dhënave të organizatave ndërkombëtare, afërisht 25 e flukseve ekonomike në Maqedoninë e Veriut zhvillohen në zonën gri. Ekspertët thonë kjo dukuri paraqet kancer për shoqërinë, ndërkohë që e stimulon krimin dhe korrupsionin. Mbi 55 përqind e firmave luftojnë me subjekte të paregjistruara.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Ekonomia gri, vitet e fundit është rritur në Maqedoninë e Veriut. Për ekonomistin dhe studiuesin, Harun Tahiri, kjo sjell dëme të mëdha në buxhetin e shtetit, Fondin pensional dhe rritjen e krimit dhe korrupsionit.  Ai thotë se shteti duhet të ketë një qasje më serioze në luftimin e kësaj dukurie.

Afërsisht 25 përqind e flukseve ekonomike në Maqedoninë e Veriut, po zhvillohen në zonën gri, thonë nga Banka Botërore dhe Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Për ekonomistin dhe studiuesin e ekonomisë gri në vend, Harun Tahiri, ekonomia gri paraqet një kancer për shoqërinë pasi që veç të tjerash, sjell dëme të mëdha në buxhetin e shtetit dhe Fondin pensional.

“Përveç pasojave, në buxhet, fond pensional, mirëqënien ekonomike, që nesër do të kemi një ushtri të madhe të njerëzve pa pensione, të cilët do të jenë barrë për ata persona, barrë për familjen, barrë për shoqërinë, sepse shteti nuk mund ti lerë në rrugë, por duhet t’iu ofrojë shërbime shëndetësore, pra, ajo është një barrë e madhe, pastaj, që është më e keqja, kjo ndikon edhe në ngritjen e krimit të organizuar, korrupsionit, kriminalitetit, parasë së gatshme, gjithë format e ashpra të kriminalitetit bëhen me para të gatshme. Vet ekonomia e zezë, paratë e paregjistruara, të padeklaruara, mundësojnë që ato forma të fuqizohen”, thekson Tahiri.

Për luftimin e ekonomisë gri momentalisht shteti nuk ka një qasje serioze, deklaron Tahiri. Sipas tij, shteti e mbyll njërin vesh, duke u nisur nga pikëpamja se ndikon pozitivisht në aspektin social por realisht kjo është një zgjidhje afatshkurtër. 

“Njëherë organet shtetërore të cilat janë të thirrura ta luftojnë këtë dukuri, për arsye se është në të mirën e shtetit, në të mirën e popullatës dhe në grumbullimin e mjeteve financiare të cilat shërbejnë për shpenzimet publike, për të mira publike. Duhet të shkohet në mënyrë graduale, një goditje e fuqishme nuk është mire”, thekson Tahiri.

Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se ekonomia gri është më e përfaqësuar në sektorin e transportit, ndërtimit, shërbimit dhe bujqësisë. Poashtu këto të dhëna flasin se 55.5 përqind e firmave luftojnë  kundër subjekteve të paregjistruara, që është përqindja më e lartë në rajon.

Të fundit