E premte, 19 Gusht, 2022

MES DOBISË DHE VARËSISË TEKNOLOGJIKE

Varësia nga teknologjia gjithnjë e më tepër po bëhet një fenomen shqetësues. Ekspertët thonë se teknologjia ndikon negativisht në sjelljen e fëmijëve, sepse dëmton ndërveprimin njerëzor. Ata gjithashtu theksojnë edhe ndihmën që ofron teknologjia në procesin arsimor, ndërkohë që prindërit shfaqin brengosjen e tyre për këtë fenomen në rritje në shekullin e zhvillimeve marramendëse.

Shkruan: Viola Ramadani

Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë se informimit dhe komunikimit hap shtigje për implementimin e saj ne sfera të ndryshme. Në shekullin XXI teknologia tashmë është pjesë e pashmangshme e jetës njerëzore dhe shfaqet në forma të ndryshme, siç janë celularët, kompjuterët, laptopët dhe tabletet. Ndërkohë, edhe fëmijët janë bërë përdorues entuziast dhe vazhdojnë të përfshihen çdo ditë e më shumë në botën e teknologjisë.

Sipas psikologes Adelina Rashidi, abuzimi i tepërt me mjetet e teknologjisë ndikon shumë në shëndetin mendor të fëmijëve. Ajo thekson se ky fenomen mund të çojë deri në autizëm virtual.

“Teknologjia ndikon në mënyre negative tek sjelljet e fëmijëve. Fëmija mësohet të urdhërojë dhe nuk pranon asnjë urdhër, dëmton komunikimin dhe ndërveprimin në përgjithësi. Kohet e fundit ka filluar të shfaqet një dukuri e çuditshme të fëmijët, deri në atë pikë sa i ka shtyrë personelin e shëndetit mendor ta krijojë një term të veçantë të quajtur Autizëm Virtual, sepse sjelljet problematike të cilat shfaqen si pasoje e teknologjisë janë shume të ngjashme me simptomat e autizmit” thotë psikologja Rashidi.

Shumica e prindërve të anketuar pajtohen me faktin se teknologjia megjithatë i ka edhe anët pozitive të saja. Sidoqoftë, një numër i konsiderueshëm i tyre shprehen se shfrytëzimi i tepruar i mjeteve teknologjike ka ndikuar që fëmijët e tyre të kenë ngecje në të folur apo edhe problem të tjera psikologjike.

Të gjithë prindërit e anketuar shprehen se fëmijët e tyre kalojnë mesatarisht prej katër deri në pesë orë në ditë duke përdorur mjete të teknologjisë, disa për lojëra te ndryshme, disa për mësim dhe shikimin e video incizimeve. Disa nga prindërit shprehen se fëmijët tyre si pasojë e abuzimit me mjetet teknologjike tani kanë ngecje në te folurit ose nuk e flasin fare gjuhën amtare, por vetëm atë angleze, kurse pjesa tjetër nuk kanë hasur probleme të theksuara tek fëmijët e tyre.

Megjithatë, të gjithë prindërit anketuar, që deshën të mbeten anonim, shprehen se mjetet e teknologjisë u kanë ndihmuar në procesin e rritjes së fëmijës.

Për ish drejtorin e shkollës fillore “Kirili dhe Metodi”, Satki Ismaili, teknologjia mund të ndikojë edhe pozitivisht në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies në nivele të ndryshme të arsimit dhe edukimit të gjeneratave te reja si dhe aplikimin e tyre nga të gjitha grupmoshat. Ai njëkohësisht vë në dukje edhe mangësitë e zbatimit të teknologjisë së informimit dhe komunikimit ne procesin e mësimdhënies.

“Realizimi i procesit të mësimdhënies dhe mesimnxënies duke kyçur teknologjinë e informimit dhe komunikimit digjital, vë në pah rëndësinë e zhvillimit profesional permanent të mësimdhënësve për përdorim te teknologjisë së informimit dhe komunikimit, furnizimin e mësonjëtoreve, gjegjësisht shkollave me pajisje teknologjike dhe ndikimin e faktorëve tjerë, të cilët janë lidhur ngushtë me procesin e mësimdhënies dhe mesimnxenies. Përparësitë e mësimdhënies, e cila kyç teknologjinë e informimit dhe komunikimit si dhe përparësitë në krahasim me mësimin tradicional janë: prezenca e kreativitetit të nxënësit, mësimi interaktiv, formimi i kompetencave të ndryshme të nxënësit, krijimi i dosjeve dhe portofoliove personale elektronike të nxënësve etj. Ndërsa mangësitë janë krijimi i varësisë, shpërqendrim i lehtësuar, çrregullime trupore, desocializimi, mungesa e bashkëpunimit, ngecja në zhvillimin e shkathtësive tjera jetësore përveç atyre digjitale”, thotë Ismaili.

Nuk ekzistojnë informacione të konfirmuara për atë se sa fëmijë ka të sëmurë si pasojë e abuzimit me teknologjinë, megjithatë në bisedë e sipër me psikologen Rashidi, ajo lë të kuptohet se në qendrën në të cilën punon numri i pacientëve të rinj vazhdimisht është në rritje.

 

  • Viola Ramadani është studente e programit studimor Komunikimi Ndërkombëtar pranë UEJL-së

Të fundit