E premte, 19 Gusht, 2022

MONOKOMEDIA E LIRISË NJERËZORE

“Ballkanibalizëm” të mban pezull në dimensionet e lirisë së teatrit, në dimensionet e diskursit të komikes që zhbiron realitete të vrazhda dhe të dhimbshme përmes batutave dhe situatave tjera të papritura që prodhohen aty ku fasada, maskat, trysnitë dhe rrënojat bashkëjetojnë me njerëzoren të mbërthyer në refrenin fatal “ e kam për të mirën tënde”. Një lojë e shkëlqyer e aktores Ajshe Useini.  

 

Autor: Bardhyl Zaimi

Një të shtunë janari, të mbushur me zbrazëti fillimviti dhe me melankoli të një viti që e lamë pas, mund ta projektosh veten në dimensione tjera, të cilat mund të t’i ofrojë vetëm teatri, ky tempull i lirisë dhe i qenësisë njerëzore. 

Gjersa e rrufit një kafe shpejt e shpejt sa për t’i trandur mërzitë e janarit një grishje e dy netëve më parë të çon ngadalë në ODA, në atë ambient urban, ku së brendshmi e ndjen një ritëm tjetër të jetës, një ritëm që gërshetohet shpesh me ngjarje kulturore. 

Në një ambient spontan me pije përpara, në pjesën ballore tashmë është vendosur sfondi i monokomedisë “Ballkanibalizëm” në regji të Sabedin Selmanit. Është repriza e tretë e kësaj shfaqje që edhe kësaj radhe ka krijuar një raport të ngrohtë dhe miqësor me publikun e pranishëm. 

Lehtësisht mund të ulesh në kolltukun me shufra hekuri të stilizuara, ndërkohë që me miqtë aty pranë mund të ndërrosh disa fjalë para se shfaqja të ketë filluar.

Dhe, krejt papritmas, në kafiterinë-teatër ODA, futet Ajshje Useini, aktorja e stand-up komedisë që deri në fund të mban pezull në dimensionet e lirisë së teatrit, në dimensionet e një diskursi teatror që zhbiron realitete të vrazhda dhe të dhimbshme përmes batutave dhe situatave tjera komike që prodhohen aty ku fasada, maska, trysnitë dhe rrënojat bashkohen me fatin njerëzor.

Me një spontanitet aktoreje të jashtëzakonshme, ajo, përmes një situate nga spitali afishon si prolog komik gjithë konstantën e monokomedisë që luhet diku mes normalitetit fatal njerëzor dhe komikes që vjen si dekompozim njerëzor, si dehumanizim i gjithëpranishëm në një kohë rrënimi të plotë vlerash. Ky prolog që vjen me pizhame spitali të përkujton pikturën ” Spitali shtetëror” me gjithë brutalitetin e aktualitetit. 

Pikërisht në kufijtë e normalitetit dhe abnormalitetit prodhohen situatat komike, që herë vijnë si ngërçe dhe herë si çlirime definimesh tekstuale dhe regjisoriale mbi përballjen e qenies njerëzore me absurditetin dhe lehtësinë e padurueshme të një cinizmi që tashmë vepron si një sistem mbi individin.

Ngadalë përmes një refreni fatal “e kam për të mirën tënde” monokomedia shtrihet në një rrafsh sociokulturor dhe thellësisht ontoligjik të raportit liri-robërim njerëzor. Kjo shtresë e kësaj kundërvënie, siç thotë Kundera, ontologjike, mes ekzistencës njerëzore dhe hijeve të ndërvarësive kthehet në gjenerator situatash komike që në planin konceptual dhe tekstor demistifikon një vetëdije autoritare që vjen gjithnjë në formë të “përkujdesjes” fatale ndaj individit. 

Monokomedia me titullin asociativ “Ballkanibalizëm” na sugjeron një receptim ndryshe të hapësirës dhe kohës, të ngjarjeve, të raportit pushtet-qytetar, të raportit mbi historinë dhe mbi pulsimet e jetës tipike ballkanike. Monokomedia nëpërmjet kthesave të shumta dhe situatave që mbindërtohen në bazë të dikotomive botëkuptimore, në bazë të ndjeshmërive teatrore që zbresin në falsitetin njerëzor, në mendjelehtësinë shpeshherë fatale, shpërfaq një mendësi të dekompozuar që përvijohet në hapësirën politike të nënkuptuar si pushtet, por edhe në mendësinë e njerëzve që janë në korrelacion me budallallëkun dhe brutalitetin e pushtetit.

Arratia, tjetërsimi dhe ikja nga liria janë dimensione tjera të komedisë që gjithnjë vihen në kundërvënie me standarde tjera të ekzistencës njerëzore të vendeve të perëndimit, që shpesh përcillen me një tallje jo qëllimkeqe tipike ballkanike. 

Njeriu përballë deformimeve teknologjike është gjithashtu një dimension tjetër i kësaj komedia që prodhon të qeshurën fatale dhe banalitetin e së keqes siç e përcakton Hanna Arendt. 

Gjithë linjat e teksturës dhe regjisë së komedisë në fakt vendosen te një keqkuptim komik mes dy hemisferave botëkuptimore Ballkan-Perëndim. Mbi këtë dikotomi perceptimesh luhet me elegancë, me ndjeshmëri dhe situata të papritura komike që e bëjnë fundekrye këtë monokomedi koherente deri në fund.

Monokomdia synon të prek majat e lirisë njerëzore, duke eksploruar edhe temën e seksit dhe duke shpërfaqur në këtë rast gjithëpraninë e totalitetit përballë normalitetit dhe intimitetit njerëzor. Komikja prodhohet diku mes botës së padepërtueshme dhe shpeshherë të konservuar dhe rrëfimeve snobe dhe të sinqerta të protagonisteve të munguara që alternohen me kreativitet të jashtëzakonshëm nga aktorja Ajshe Useini.

Stend Up komedia “Ballkanibalizëm” në mënyrë më të mirë të mundshme ofron një shtendosje nga të gjitha ato ngarkesat që peshojnë mërzitje dhe shtrëngime në jetën e njerëzve. Në gjithë tërësinë e vetë, me kalimet kreative, kjo monokomedi përveç që arrin të krijojë një komunikim spontan me publikun, gjithashtu arrin të përmbush premisën kryesore të definimit të komikes. Sipas Kantit, e qeshura është një afeksion që lind nga shndërrimi i beftë i pritjes së tendosur brenda asgjësë. 

Gjithë të pranishmit që kishin bërë rrugën për te kafiteria-teatër ODA i ishin nënshtruar pikërisht kësaj shpotie, kësaj pritje të ngeshme me tendosje artistike përbrenda. E qeshura vinte natyrshëm së brendshmi nga secili fragment i monokomedisë të strukturuar në një tekst me shumë të papritura dhe me shumë gjetje origjinale. 

“Ballkanibalizëm” është një monokomedi me koncept të qartë regjisorial me një tekst kreativ dhe me një lojë të jashtëzakonshme të Ajshe Useinit. Një realizim mjeshtëror, që tregon për përmasën origjinale dhe kreative të aktores. 

Pasi të kesh parë këtë monokomedi, qetësisht mund të fusësh duart në xhepa dhe ngadalë ta lëshosh këtë kafe-teatër me një ndjesi sikur të kesh vrarë mërzinë e ditëve. Për një ditë janari kjo nuk është pak. Nuk është pak as për ditët që vijnë që mund të jenë “material” i mirë për teksturën e një stand up-i të ardhshëm.      

Të fundit