E premte, 19 Gusht, 2022

ZIGZAG: AH, QË S’KEMI PEHRIZË!

I kam përballë dhe vëhem në siklet, jo njëherë, po përherë kur i kam përballë. Ata që rrahin gjoks, për fe e atdhe. Sidomos në kohë zgjedhjesh! Më shikojnë mua e mendjen e kanë tek Ty: Si të ta mbushin mendjen që më 12 prill t’ia bësh hallall ato të bardhat – gënjeshtra, plotë rreka-rreka! Po t’i mos çajë kokën, zgjidhe dilemën: Je me Metën që i shikon pun’t e veta, apo me Mujën që mendjen e ka tek pun’t e huaja!

Autor: Seladin Xhezairi

1. Historinë, thonë, e shkruajnë fitimtarët. Dinjitetin e nëpërkëmbur e rikthejnë trimat. Kjo është kaherë e njohur. Këtë fillimvit e kalova në Mal të Zi. Krishtlindjet ortodokse, si kurrë më parë, kaluan në ankth: Nga frika se mund të ndodhte hataja, në republikën e vogël ish-jugosllave, që po mundohet t’i bëjë punët e veta. Me të gjitha mjetet. Miqtë e mi malazezë e shqiptarë më thonë se më i merituari për këtë është presidenti Milo Gjukanoviq. Është ai që anuloi vendimet antimalazeze të të ashtuquajtuarit ‘Kuvend i madh popullor i popullit serb në Mal të ZI’ që në sesionin e 24-29 nëntorit të vitit 1918, pas Luftës së Parë Botërore, përmbysi kral Nikollën dhe dinastinë Pretroviq-Njegosh duke ngritur dinastinë Karagjorgjeviq dhe duke ia bashkuar Malin e Zi Mbretërisë serbo-kroato-sllovene. Këto vendime u përçuan në mbamendjen malazeze deri në ditët e sotme. Në njëqindjvjetorin ‘Kuvendit të Podgoricës’ Mali i Zi u vërshua nga afishet ‘Kurrë më 1918-ta’, ndërsa më 2019, parlamenti malazez miratori ligjin mbi komunitetet fetare me të cilin pritet Kisha Ortodokse Serbe të dëshmojë me tapi pronat e pafundme gjithandej këtij vendi të vogël me rreth 700 mijë banorë. Dhe kjo bëri që ‘vozhdi i ri serb’ pa pehrizë të ashpërsojë retorikën antimalazeze duke vënë në pikëpyetje edhe ekzistencën e Kishës Ortodokse të Malit të Zi (kryediplomati serb e quajti atë artificiale), por duke drejtuar gishtin edhe nga Kosova, pa përjashtuar mundësinë që edhe autoritetet e saj të miratojnë një ligj për liritë fetare, të ngjashëm ligjin malazez:”E shoh këtë përmes përgatitjeve, përmes librave të tyre shkollorë. Fushata po zhvillohet me vite. Flitet për trashëgiminë e Kosovës, e cila duhet të jetë ndryshe nga ajo serbe,”- tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Mbajë mend, se në vitet nëntëdhjetë, me bekimin e shtetit, në anë të ndryshme të Kosovës, u ngritën kishëza e kisha (njëra prej tyre në midis kompleksit universitar) për të ‘vulosur’ mbase ‘djepin serb’… Kohërat, ndërkaq ndryshojnë: Më as Vuk Drashkoviqi nuk i beson togfjalëshit që lansoi vet për serbët e malazezët ‘si dy sytë e ballit’…

2. Ka punë që duan marifet, në kuptimin, se sipas fjalorit, duhet një mënyrë e hollë për t’ia dalë mbanë me shkathtësi, ama ‘mairfeti’ ka edhe një kuptim tjetër – atë të dredhisë, dinakërisë, hilesë, djallëzisë. Në këtë kapërcyell të motmoteve, kujtoj se klasa politike në Kosovë po praktikon këtë kuptimin e dytë, negativ, të marifetit, duke harxhuar goxha kohë, nerva e etikë, pse jo, në bërjen e pazarit për ndarjen e kulaçit që e gatoi sovrani: ‘Për një plesht e djegin jorganin,’ – më thotë një mik imi nga Prishtina, duke pranuar se orekset e kryeprotagonistëve shkojnë përtej asaj të njohur ‘shtrijë këmbët sa e ke jorganin’! Si për ta mbyllur, i them se problemi është jo te jorgani por te plafi, te ai plafi me yrnekun e huazuar, këtej e andej, që kur përmend pushtetin të mbërthen një sekëlldi e të bën të flasësh pa pehrizë! Hë, po, harrova, në Ulqin nuk është se s’ndjehej një eufori me ardhjen e Albinit, njësoj sikurse nuk fshehet entuziazmi edhe në Shkup e Strugë pas lajmit për mundësinë e katapultimit të Blerim Rekës në ballë të diplomacisë kosovare. Njerëzit presin që punëve t’u rrijnë më këmbë. Të mos rrëshqasin… Se gojëkëqinjtë nuk ndalen: i kam përballë dhe vëhem në siklet, jo njëherë, po përherë kur i kam përballë. Ata që rrahin gjoks, për fe e atdhe. Sidomos në kohë zgjedhjesh! Më shikojnë mua e mendjen e kanë tek Ty: Si të ta mbushin mendjen që më 12 prill t’ia bësh hallall ato të bardhat – gënjeshtra, plotë rreka-rreka! Po t’i mos çajë kokën, zgjidhe dilemën: Je me Metën që i shikon pun’t e veta, apo me Mujën që mendjen e ka tek pun’t e huaja!

3. Dojçe Vele komenton vringëllimën e armëve mes SHBA-së dhe Iranit, pas vrasjes së gjeneralit iranian, Khasem Soleimani, në Bagdad, javën e kaluar: ‘Ishte një fillim dramatik për një vit që kërcënon të bëhet një udhëtim i ashpër me zigzage. Evropianët, të painformuar dhe të pafuqishëm si zakonisht, përballen sërish me pasojat e vendimeve të njëanshme spontane të Presidentit të SHBA. Ata ndodhen të kapur në kurthin e Trumpit dhe nuk mund ta çlirojnë veten prej saj…Por mund të ketë një dritare për përpjekjet diplomatike për të parandaluar të ndodhin gjëra më të këqija. E qartë është se Teherani po planifikon një kundërsulm; detajet do të vendosin, nëse do të ketë një përshkallëzim të mëtejshëm apo jo. Vendimi mund të jetë ende i hapur. Shefi i diplomacisë së BE-së Borell ishte i pari që kërkoi kontakt me ministrin e Jashtëm iranian dhe dëshiron të ndikojë ndaj tij në një takim krize të evropianëve’. Ndërkohë, është bërë lajm ndërkombëtar arrestimi i kosovares, Ikballe Berisha-Huduti, nga Policia e Kosovës e cila publikisht doli kundër vrasjes së gjeneralit shiit Iranian.

Të fundit