E shtunë, 28 Janar, 2023

Kalkulimet parazgjedhore

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Koalicionet parazgjedhore janë të natyrshme, logjike dhe instrument i partive politike për të maksimizuar votën e elektoratit dhe rrjedhimisht për ta marrë pushtetin, arsyeja primare për të cilën themelohen dhe ekzistojnë partitë politike. Në kushte normale të një demokracie të shëndoshë, koalicionet ndërtohen mbi baza të programit politik qeverisës dhe boshti i tij shtrihet mbi konceptin ideologjik që mundëson qëndrueshmëri edhe në implementimin e programit por edhe në funksionimin e tij. Ndryshe nga ai parazgjedhor, koalicioni paszgjedhor është i imponuar nga numri i votave dhe shpesh herë mund të shihen mutacione ideologjike që prodhojnë qeveri të brishta, të diktuara nga kompromise të shumta për t’ua shtuar jetëgjatësinë. 

Maqedonia e Veriut është drejt fushatës zgjedhore dhe kalkulimet janë në vijim e sipër duke matur disponimin e votuesve herë përmes anketave e herë përmes qëndrimeve publike. Të gjitha këto shpesh herë bëhen në euforinë e dëshirës për fitore, por kalkulimet në politikë diktohen nga shumë të panjohura që shpesh kjo eufori i neglizhon. Si mund të përkthehen kalkulimet aktuale:  

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)

Është pothuajse e sigurt që BDI do të garojë e vetme në zgjedhjet e 12 Prillit. Koalicioni parazgjedhor në garat lokale dhe presidenciale me LSDM-në nuk mund të reflektohet në zgjedhjet parlamentare për më tepër arsye, por më kryesoret janë sistemi politik dhe kodi elektoral. 

Sistemi politik – Me ndryshimet kushtetuese pas 2002, Maqedonia e Veriut funksionon mbi parimin e ndarjes së pushtetit mes dy etnive më të mëdha dhe mekanizmi mbrojtës nga majorizimi etnik përmes principit të Badenterit është i favorshëm për partinë më të madhe politike shqiptare. Eksperimenti i VMRO-DPMNE-së në 2006-tën me PDSH-në u tregua jofunksional, duke e vendosur BDI-në në pozicion strategjik për të qenë element kyç në ndërtimin e qeverisë. BDI shpreson që sërish të jetë fituese në kampin shqiptar dhe duke u nisur nga ky pozicion, kalkulimet paszgjedhore janë më të favorshme nga koalicioni parazgjedhor. 

Kodi elektoral – Bllokimi i ndryshimeve në sistemin zgjedhor përmes mijëra amendamenteve në parlament pasqyron interesin partiak të BDI-së. Kodi aktual është i favorshëm për partitë më të mëdha dhe interesi i BDI-së është kryesisht në zonën e 6 zgjedhore, nga ku dalin edhe numri më i madh i deputetëve shqiptar që i mundëson BDI-së të ngelet në pozicionin strategjik që i jep sistemi politik i Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu, listat e mbyllura eliminojnë mundësinë për të garuar bashkërisht me parti politike maqedonase, kryesisht për shkak të papjekurisë së plotë në relacionet etnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve. 

Qëndrimi i gjatë në pushtet i BDI-së e ka kalbur potencialin e brendshëm të kësaj partie për t’u reformuar dhe përpjekjet deklarative për një proces të tillë janë vetëm simbolike dhe sipërfaqësore të imponuara nga presioni publik. Megjithatë, është e qartë që qendrat e fuqisë politike janë të përqendruara në pak persona, të njëjtët që e kanë pasur pushtetin qysh nga themelimi. Kjo ka krijuar një qark të mbyllur politik që prodhon klientelizëm, korrupsion dhe është përjashtues për potencialin politik që është jashtë kontrollit të këtij qarku. Së pari është në interes të anëtarëve të BDI-së por edhe të shqiptarëve dhe qytetarëve tjerë të Maqedonisë së Veriut që kjo parti të shkoj në opozitë për të pasur katarzën e vete reformuese, një proces i pamundur për të ndodhë duke qenë në pushtet. 

Aleanca për Shqiptarët-Alternativa-BESA 

(sipas renditjes alfabetike) 

 

Koalicioni parazgjedhor mes këtyre partive opozitare është më tepër një dëshirë melankolike se sa një mundësi reale. Matematikat e rezultateve paszgjedhore të 2016 treguan se vota opozitare është më e madhe se sa ajo për BDI-në, por sistemi zgjedhor dhe ai politik (siç u shpjegua më lart) favorizon BDI-në. Interesat e ngushta partiake dhe inatet personale mes Lëvizjes Besa dhe Alternativës janë toksike për jetëgjatësinë dhe funksionimin efektiv të një koalicioni të tillë. Aleanca për Shqiptarët në këtë rast do të duhej të harxhoj më tepër energji në menaxhimin e këtij relacioni se sa në valorizimin e votave që ato dyja mund të sjellin në tavolinën e negociatave paszgjedhore. 

Aleanca për Shqiptarët – Alternativa

Ky koalicion është më i dëshiruari për BDI-në. Potenca politike e Alternativës është jashtë zonës së 6 zgjedhore dhe kjo ul rrezikun që opozita të merr shumicën nga strumbullari i votave shqiptare, respektivisht nga numri më i madh i deputetëve shqiptar. Përtej kësaj, boshti i përbashkët ideologjik i këtij koalicioni nuk ekziston dhe partitë kanë formë, veprim dhe qëllime politike kundërthënëse me vetëm dy interesa të përbashkëta: pushtetin dhe rrëzimin e BDI-së. E para është interes legjitim i të gjitha partive dhe kërkon program politik, gjë për të cilën nuk shohim që këto parti të negociojnë, ndërkohë e dyta  është dëshmuar që nuk mund të jetë ofertë politike për të sjellë fitore. 

Aleanca për Shqiptarët – Lëvizja BESA

Nga aspekti matematikor, ky koalicion ka më tepër potencë për të sjell ndryshim në skenën politike por si në rastin paraprak është vetëm kalkulim matematikor me shumë të panjohura. Ndarja e Lëvizjes Besa në dy parti lë hapësirë vetëm për spekulime por jo edhe një pasqyrë të qartë se sa vërtetë peshon kjo parti me vota. Dallimi mes Alternativës dhe Besës është që kjo e dyta veprimin e vet politik e fokuson në zonën e 6 zgjedhore dhe hipotetikisht mund të sjell më shumë për koalicionin.  Edhe në këtë rast, boshti i përbashkët ideologjik i këtij koalicioni nuk ekziston dhe partitë kanë formë, veprim dhe qëllime politike kundërthënëse me vetëm dy interesa të përbashkëta: pushtetin dhe rrëzimin e BDI-së. 

Aleanca për Shqiptarët 

Është parti politike e cila ka rritje konstante që nga zgjedhjet e 2016. Forca politike e saj është në zonën e 6 zgjedhore dhe është e vetmja parti shqiptare e cila ka realisht potencial për të fituar BDI-në në zgjedhje. Politika nuk është sprint 100 metërsh, por maratonë e cila kërkon vendosmëri, këmbëngulje, energji dhe qartësi për qëllimin final. Hyrja në garë e vetme vjen me rrezikun më të madh për të mos fituar shumicën e deputetëve shqiptar por skena politike në Maqedoninë e Veriut do të jetë shumë dinamike në vitet e ardhshme dhe pozicionimi i qartë dhe rritja e peshës në parlament, qoftë ajo në opozitë është fitorja më e madhe për ASH-në. Prandaj në vend që energjinë e saj të harxhoj në menaxhimin e kapriçove dhe interesave mes palëve në koalicion, atë duhet ta fokusoj në ndërtimin e programit bashkëkohor, të kuptueshëm dhe real për qytetarët. 

Të tjerët

Një gjë është e qartë për të gjithë, këto zgjedhje do të zhdukin nga skena politike mjaftë parti të vogla në bllokun shqiptar. Se kush do të mbijetoj me 1 ose 2 deputet nuk dihet por fati i tyre është i sigurt, do të përfundojnë në parti të tjera. 

Të fundit