E enjte, 8 Dhjetor, 2022

Dekada e ‘’Mashtrimit të thellë’’

Autor: Sefer Selimi Jr.

Viti 2020 vjen përplot sfida që do të definojnë dekadën në vazhdim dhe zhvillimet globale ndoshta edhe përtej këtij dhjetëvjeçari. Përplasjet e mëdha gjeopolitike që manifestohen herë përmes luftës tregtare, avancimeve teknologjike ushtarake, sfidimit të regjimeve përmes protestave e deri tek luftërat e drejtpërdrejta dhe të tërthorta, rikthejnë ethet e luftës së ftohtë – një epokë që mendohej të kishte përfunduar bashkë me rrënimin e murit të Berlinit.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe relacionet SHBA-BE, Brexit-i dhe kriza e idesë evropiane, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe provokimet e vazhdueshme të Iranit, të panjohurat e luftës në Siri dhe rezultati që do të del nga ato, ftohja e Turqisë me vendet e NATO-s dhe koketimi i hapur me Rusinë, ambiciet e hapura të Republikës Popullore të Kinës për tu kthyer në lider global dhe shtrirja e ndikimit përmes investimeve strategjike infrastrukturore dhe kredive tek vendet në zhvillim por edhe tek ato të zhvilluara, trazirat sociale në Amerikën Latine – paralajmërojnë një dekadë dinamike dhe që do të jetë e mbushur përplot zhvillime të paparashikueshme dhe me rrezik për të nxitur kriza të reja globale.

Demokracia liberale, të tillë siç e njohëm në 30 vitet e fundit përjeton sulm të brendshëm nga tendencat autokratike të ekstremeve nga të gjitha spektret ideologjike. Liderë autokratë, populistë, antiestablishmentë, antiemigrantë, antisemitikë, të djathtë, të majtë ekstrem e të tillë që përdorin dogmën fetare në përfitimin e masave, keqpërdorin lirinë që sjell demokracia për të marrë pushtetin dhe për ta sabotuar po atë sistem përmes të cilin erdhën në pushtet. Kjo dekadë fillon me polarizim të skajshëm gjithandej globit dhe ky polarizim nuk vjen nga debati i zakonshëm politik por përflaket edhe nga rrjetet online sociale, të cilat janë kthyer në veglat kryesore për nxitjen dhe thellimin e këtij polarizimi.

Vitet e fundit, e posaçërisht pas ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e fundit presidenciale të SHBA-ve, dezinformimi është kthyer në një nga kërcënimet më serioze të demokracisë. Ndikimi përmes fushatave të dezinformimit shpesh herë nuk ka për qëllim të favorizoj njërin apo tjetrin kandidat por thjeshtë të çorientoj votuesit, t’i demotivojë ata dhe në rastet më të mira t’i drejtojë ata drejt forcave ekstreme dhe radikale. Kjo formë fushate gjen terren të përshtatshëm për të zënë rrënjë në shoqëri të ndara dhe të polarizuara, ku teoritë e konspiracionit kundër njëri-tjetrit janë produkt i zakonshëm i konflikteve historike.

Dezinformimi nuk është shpikje e re, por një teknikë subverzive e vjetër pothuajse sa lufta për pushtet që përdoret nga shërbimet e inteligjencës, por krijimi, transformimi dhe mënyra e shpërndarjes së tij ka evoluar bashkë me teknologjitë e komunikimit. Kriza e rrjeteve sociale krijoi një oportunitet të ri për teknikën e vjetër dhe sot të gjithë e njohim me emrin ‘’Lajme të rrejshme’’.

Dekada që sapo nisëm vjen me një sfidë edhe më të madhe. Avancimi i Inteligjencës Artificiale krijon mundësi të pafundme për zhvillimin teknologjik në të gjitha fushat por si çdo teknologji e re, ajo ka një potencial të jashtëzakonshëm për keqpërdorim nga aktorë të këqinj. ‘’Mashtimi i thellë’’ (deepfake) është teknika e re e cila është në përsosje e sipër dhe që pritet të shkaktoj edhe një valë krize në shoqëritë moderne. Me ndihmën e Inteligjencës Artificiale dhe teknologjisë audiovizive, kjo teknikë mund të tjetërsoj në pamje dhe zë persona të vërtetë në përmasa pothuajse reale të cilat lehtë mund të manipulojnë qytetarët e rëndomtë. Eksperimentet e para janë tmerruese dhe një paralajmërim që lufta me dezinformimin jo vetëm që nuk është drejt fundit por që ajo do të vështirësohet edhe më tepër. Implikimet dhe pasojat që mund të vijnë nga keqpërdorimi i zërit dhe pamjes së personave real me pushtet apo ndikim janë sa të paimagjinueshme aq edhe të frikshme.

Deri më tani, përdorimi dhe ndikimi i deepfake është i kufizuar por nga ajo që kemi parë deri më tani është një paralajmërim se kjo do të jetë dekada e ‘’Mashtrimit të thellë’’. Ashtu si edhe me lajmet e rrejshme apo teknikat tjera të dezinformimit edhe në këtë rast do të na duhet që t’i edukojmë qytetarët për të konsumuar në mënyrë kritike informacionet dhe produktet mediatike, pa mos rrënuar plotësisht besimin tek gazetarët dhe mediat të cilat janë pararojë e demokracisë funksionale dhe mbrojtës të interesit publik.

Të fundit