E martë, 9 Gusht, 2022

PËR PARTITË TONA DHE LINÇIMIN

Autor: Xhelal Neziri

 

As dekada e tretë e shekullit 21 nuk i gjen të konsoliduara partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Pa koncept e pa ideologji të qartë, këto subjekte vazhdojnë të funksionojnë sipas sistemit “kah frynë era”.

Shoqëritë nuk mund të funksionojnë pa ideologji. Para revolucionit francez në shekullin 18 dominonte ideologjia fetare, kurse prej atëherë – ajo kombëtare apo etnike.

Edhe partitë nuk mund të ekzistojnë pa ideologji politike (e majtë, e djathtë, e qëndrës…). Ideologjia është një sistem idesh dhe idealesh, të ndërlidhura me sistemin politik apo ekonomik. Ajo mbahet nga parimet dhe vlerat, kurse zhbëhet nga interesi konkret individual dhe klanor.

Kur zhbëhet ideologjia, ngelet vetëm interesi. Në këtë nivel demokracia bazohet në votën klienteliste (interesi konkret i votuesit), kurse të zgjedhurit nuk ndjejnë obligim t’i shërbejnë shoqërisë, por partisë apo sponsorit që ia ka grumbulluar votat.

Ideologjia është ide dhe ideal, që ndërlidhet me përmirësimin e sistemit politik apo ekonomik. Një parti pa ideologji të definuar është si një shoqëri aksionere, e orientuar ekskluzivisht kah fitimi.

Çfarë ideologjie politike kanë partitë tona: të majta, të djathta, të qendrës? Konrad Adenaueri ka deklaruar se partia politike e cila u përmbahet kërkesave të diktuara nga koha ka për të qenë sterile dhe jetëshkurtër. Këtë e vërteton edhe historia më e re politike që ndërlidhet me partinë e parë shqiptare- PPD: u themelua në vitin 1990, u shua në vitin 2010.

Në kongreset e të gjitha partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut kishte vetëm nga një kandidat. Ky nuk është rezultat vetëm i mungesës së kulturës demokratike, por edhe i varësisë së partisë nga kulti i liderit. Kështu, votuesit lidhen më shumë me figurën sesa me projektin apo idelogjinë (e munguar); vendosin në bazë të veprimeve publike të kryetarit, e jo të nivelit të zbatimit të programit apo idesë politike (të munguar); e shndërrojnë liderin në yll kurse veten në fans, ndërsa programin e partisë as që e lexojnë.

Disa fjalë edhe për fushatat e diskreditimit të politikanëve dhe personave publikë. Ky trend, i njohur si linçim, duket se është përshtatur mirë me mentalitetin tonë “mos bën gjë por shaj çdokënd që bën diçka”.

Linçimi është një formë dhune në të cilën turma, nën pretekstin e ndarjes së drejtësisë pa gjyq, ekzekuton një shkelës të supozuar. Termi i linçim i referohet një gjykate të vetëformuar që vendos dënimin ndaj një personi pa një proces të rregullt ligjor.

Sipas Enciklopedisë Britanica, ky term rrjedh nga emri i Charles Lynch (1736–963), një bujk nga Virginia, i cili gjatë Revolucionit Amerikan, drejtoi një gjykatë të parregullt të formuar për të ndëshkuar lojalistët.

Linçimi në kohë të globalizimit nuk bëhet me vrasje fizike, por me tentativë për asgjësim nga skena publike nëpërmjet trollave në rrjetet sociale dhe mediave propagandistike.

Kjo po i ndodh kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për një iniciativë, e quajtur minishengen, e cila buron nga Procesi i Berlinit, i iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel për të evropianizuar Ballkanin konfliktuoz.

Po i ndodh edhe liderit të LDK-së, Isa Mustafa, për shkak se e ka refuzuar ofertën e kandidatit për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti.

Në muajt e parë të 2020-ës do t’u ndodhë edhe shumë politikanëve dhe fytyrave publike në Maqedoninë e Veriut pasi më 12 prill pritet të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. /KDP

 

Të fundit