E martë, 29 Nëntor, 2022

Isa Mustafa: E vërteta e negociatave nuk është siç thotë Albin Kurti

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa i është kundërpërgjigjur menjëherë liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili para disa orësh njoftoi se dështuan përpjekjet për të arritur një marrëveshje me LDK-në para seancës për konstituimin e Kuvendit. Por, Mustafa shkruna në mesazhin e tij se negociatat nuk kanë dështuar. Ai thotë se “në fakt ka dështuar strategjia e VV-së, që sipas kreut të LDK-së, kishte synim t’ia hidhte fajin partisë së tij”.

“Negociatat nuk kanë qenë të lehta dhe partneri në tavolinë, Lëvizja Vetëvendosje, në disa raste, i ka shpërfillur rregullat për të cilat kishim rënë dakord. Për LDK-në dhe për mua, negociatat nuk kanë dështuar. Ka dështuar strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe gjeneroze në negociata dhe për t’ia hedhur fajin LDK-së”, – thotë Mustafa.

“Asnjë prej kërkesave tona nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si kërkesë ndaj Vetëvendosjes, për shkak se Vetëvendosja nuk i ka fituar të gjitha përgjegjësitë, ajo ka fituar rreth 1/4 e votave dhe jo më shumë, dhe pothuajse aq ka fituar dhe LDK-ja.

Prandaj, kërkesat tona kanë konsistuar dhe do të konsistojnë në ndarjen e balancuar të përgjegjësive, konform rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit. Mandatin në 6 tetor, për një deputet më shumë se LDK-ja, Lëvizja Vetëvendosje, e ka marrë për ta larguar PAN-in e jo për ta sfiduar LDK-në” – thotë Mustafa që ndalet edhe te çështja e debatuar se kujt do t’i takojë Presidenti i ardhshëm.

“Ndryshe nga deklarimet e tyre publike, Vetëvendosja tregoi sonte se është gati të zotohet për ta mbështetur kandidatin e propozuar nga LDK-ja për President të Kosovës, vetëm se kërkon më shumë hise në qeveri. Ky nuk është parim, por tentim për të përfituar më shumë.

Ne mendojmë se ndarja e balancuar e përgjegjësive, konform rezultatit të zgjedhjeve, rezulton në këtë formulë, Kryetari i Kuvendit, Presidenti, kur të mbetet pozita e lirë, dhe gjysma e qeverisë duhet t’i takojnë LDK-së, nëse Vetëvendosje dëshiron mbështetjen e LDK-së për t’ia besuar asaj drejtimin e ekzekutivit dhe gjysmën e Qeverisë.

Ndryshe, marrëveshja do të ishte e pabalancuar dhe nuk do të siguronte stabilitet qeverisës, as funksionim demokratik të institucioneve kryesore. Vetëvendosja ka filluar ta kuptojë këtë dhe shpresoj që në ditët në vazhdim, do të ulemi dhe do t’i definojmë të gjitha aspektet” – thotë Mustafa që e mbyll me një sfidë.

“E drejta dhe detyrimi kushtetues i takojnë te parit, ashtu si dhe përgjegjësi për te gjetur zgjidhje dhe për t’i ndërtuar institucionet e reja. Ne jemi gati për negociata” – thotë Mustafa/lapsi

 

https://www.facebook.com/IsaMustafaKS/posts/2609644162435138

Të fundit