E enjte, 8 Dhjetor, 2022

VIDEO / INTERVISTË, IZET ZEQIRI: KJO QEVERI DËSHTOI NË EKONOMI, TË RINJTË IKIN NGA KY VEND

Në një intervistë ekskluzive për KDP-në, profesori universitar, Izet Zeqiri, thekson se Maqedonia e Veriut ka ngecje në rrugën e zhvillimit ekonomik.

Autore: Xhumadije Ibrahimi 

Sipas tij, të gjitha indikatorët flasin për zvogëlim të investimeve të huaja të drejtpërdrejta.

“Edhe me ribalancin e buxhetit, qeveria zvogëloi investimet kapitale, nga 422 milionë euro në 370 milionë euro”, thotë Zeqiri, ndërkohë që vlerëson se “ një vend nuk mund të realizojë premtimet në fushën e ekonomisë nëse dështon në realizimin e projekteve të infrastrukturës, posaçërisht në investimet kapitale.

Për Zeqirin klima e favorshme e biznesit mundëson investime të huaja. Por, ai, vlerëson se në Maqedoninë e Veriut kjo klimë biznesi po shënon ngecje.

“Ka një ngecje si rezultat i mos përkushtimit ndaj klimës së favorshme të biznesit, gjegjësisht mos angazhimi sa duhet të qeverisë në krijimin e një stabiliteti juridik, politik dhe ekonomik. Investitorët e huaj realisht ikin, sepse sipas analizave stabiliteti politik është shumë i rëndësishëm”.

Prononcimet e qeverisë se ka ulur shkallën e papunësisë në afërsisht 17 përqind, profesori i ekonomisë, i sheh me skepticizëm, duke hapur dilemën mbi ndërlidhjen e kësaj shifre edhe me ikjen e të rinjve. “mbetet dilemë nëse kemi zvogëlim real të papunësisë, apo ikje të të rinjve nga vendi. Mendoj se ky është edhe një dështim i qeverisë në raport me politikën e migracionit dhe çështjeve që lidhen me ikjen e të rinjve”, thekson ai, duke vënë dukje edhe mungesë e një data baze dhe politikave për parandalimin e ikjes.

Buxhetin për vitin 2020, Zeqiri e konsideron popullist sidomos për faktin e zgjedhjeve që priten të mbahen në prill të vitit të ardhshëm.” Kemi një rritje të buxhetit, mirëpo, interpretimi i pozicioneve të buxhetit është më shumë politik dhe popullist”.

Zeqiri thekson se “vlerësoj një shtet nëse ai përkushtohet në realizimin e projekteve dhe posaçërisht realizimit të investimeve kapitale të infrastrukturës, të cilat sjellin zhvillim”.
Pjesë nga intervista me profesorin universitar, Izet Zeqiri, në formën e shkruar mund ta ndiqini në vazhdim, ndërsa intervistën e plotë në formën multimediale mund ta ndiqni në këtë link:

https://www.facebook.com/KlubiDebatitPolitik/videos/869270803493188/

KDP: Për momentin, si po e shihni situatën ekonomike në vend. Kjo qeveri për momentin më së shumti është fokusuar tek çështjet politike, ekonomia sikur është lënë anash?

Izet Zeqiri: Po të analizohen indikatorët makroekonomik të vendit, të gjithë flasin se kjo qeveri edhe pse ka pasur përkushtim deklarativ se do të fokusohet në çështjet ekonomike, indikatorët e demantojnë të njëjtën dhe nuk japin indikacione se kjo qeveri ka qenë e përkushtuar në fushën ekonomike. Një vend nuk mund të mbahet dhe të realizojë premtimet në fushën ekonomike nëse dështon në realizimin e projekteve të infrastrukturës, posaçërisht në investimet kapitale. Zbatimi i dobët i projekteve të infastrukturës në RMV është një indikator shumë i rëndësishëm se sa kjo qeveri, se sa këto ministri që realizojnë investimet kapitale, që realizojnë projekte infarstrukturore janë në fokus të realizimit të këtyre objektivave. Edhe me ribalancin e buxhetit, qeveria zvogëloi investimet kapitale, nga 422 milionë euro në 370 milionë euro. Por, edhe me këto zvogëlime nuk ka arritur dot të zbatojë asgjë, 40 përqind të investimeve, të projekteve infrastrukturës, të cilat janë shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik. Çështja tjetër që gjithashtu është indikative është çështja e përkushtimit ndaj klimës së biznesit në Maqedoninë e Veriut. Duke analizuar implikimin e klimës së biznesit në investimet direkte të huaja kemi një ngecje. Në vitin 2017 kemi pasur diku 170 milionë euro investime direkte të huaja, në vitin 2018 kemi pasur bum me diku rreth 603 milionë, ndërsa në këtë vitë kemi ngecje të mëdha. Nëse analizohet kuartali i parë, kemi pasur diku 40 milionë euro investime direkte të huaja, në kuartalin e dytë diku 10 milionë euro dhe në kuartalin e tretë diku 62.3 milionë investime. Kjo është një ngecje si rezultat i mos përkushtimit ndaj klimës së favorshme të biznesit, gjegjësisht mos angazhimi i qeverisë sa duhet në krijimin e një stabiliteti juridik, politik, ekonomikë. Investitorët e huaj realisht ikin, sepse sipas analizave stabiliteti politik është shumë i rëndësishëm. Problemi kryesor në shtet shfaqet në funksionimin e shtetit të së drejtës. Mund të shihet se çka ndodhë në gjyqësorin e RMV dhe krejt këto skena të një mos stabiliteti juridik menjëherë ndikojnë në stabilitetin ekonomik të vendit. Ky është një indikator shumë i rëndësishëm se Maqedonia e Veriut po ngec në sferën ekonomike. Investimet e drejtpërdrejta të huaja janë shumë të rëndësishme, ato sjellin mundësi të reja dhe punësime në vend. Element tjetër që gjithashtu është për ta diskutuar mbetet çështja e papunësisë.

KDP: Qeveria aktuale duket e kënaqur me të arriturat. Thonë se kemi ulje të papunësisë në 17 përqind dhe janë hapur vende të reja të punës diku rreth 60 mijë. Si i vlerësoni këto prononcime?

Izet Zeqiri: Duke analizuar të dhënat statistikore është e vërtetë se kemi ulje nga 20 përqind diku në 17.1 përqind. Mirëpo, mbetet dilemë nëse kemi zvogëlim real të papunësisë, apo ikje të të rinjve nga vendi. Mendoj se ky është edhe një dështim i qeverisë në raport me politikën e migracionit dhe çështjeve që lidhen me ikjen e të rinjve. Është evidente se të gjitha vendet e Ballkanit përballen me migracionin e njerëzve, mirëpo të gjithë shtet kanë programe, kanë masa adekuate, që i luftojnë këto fenomene apo krijojnë së paku bazë të të dhënave dhe arsyeve që i shtynë të rinjtë të ikin dhe analizojnë edhe arsyet tjera që i tërheqin vendet dhe marrin masa konkrete, siç është rasti me Kroacinë. Ne nuk kemi as në nivel të qeverisë të krijuar një grup koordinues të ministrave, të cilët do të krijojnë së paku një bazë të të dhënave të asaj që është reale.

KDP: Si ju duket buxheti për vitin 2020, i cili tani më është miratuar në kuvend. Kishim kritika nga opozita. Mendoni se do ta zbusë situatën aktuale?

Izet Zeqiri: Buxheti si instrument i shtetit është i njëjtë. Kemi një rritje të buxhetit, mirëpo, interpretimi i pozicioneve të buxhetit është më shumë politikë dhe popullist. Është popullist, sepse jemi në situatën e zgjedhjeve. E vlerësoj një shtet nëse ai përkushtohet në realizimin e projekteve dhe posaçërisht realizimit të investimeve kapitale të infrastrukturës, të cilat sjellin zhvillim. Të shpresojmë se kjo qeveri do të përkushtohet më shumë ne realizimin e investimeve kapitale këtë vit, realizimin e projekteve.

Të fundit