E premte, 9 Dhjetor, 2022

LIGJI I GJUHËVE KUSHTETUES, TË PASTROHET GJYQËSORI DHE POLITIKA

Presidenti Stevo Pendarovski ka theksuar se ligji i gjuhëve edhe sipas Komisionit të Venecias është kushtetues. Ai ka kërkuar pastrim të gjyqësorit, por edhe të politikanëve. Asnjë politikan i lartë ose biznesmen nuk mbaroi prapa grilave, ndërkaq duhej disa, ka theksuar ai. Sipas tij Minishengeni nuk mund të ketë kuptim pa gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Në paraqitjen e parë të tij në Kuvend që nga marrja e detyrës në maj të këtij viti, Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski në fjalimin e tij të fundvitit para deputetëve theksoi se në këto 7 muaj është munduar të jetë president i të gjithëve pa u ndikuar nga asnjë parti apo oligark tjetër në vend. Ai foli edhe për situatën politike në vend.

Duke folur për ligjin e gjuhëve dhe vlerësimet e Komisionit të Vencias, Pendarovski theksoi se Komisioni i Venecias e ka cilësuar Ligjin e Gjuhëve si kushtetues dhe se nuk është shkelur Kushtetuta e vendit tonë, por vërejtjet siç thekson Pendarovski kanë qenë në sistemin gjyqësor.

“Komisioni i Venecias nuk tha se ligji është kundër kushtetutës së vendit tonë, po ashtu Komisioni i Venecias nuk tha se shqiptarët kanë më shumë të drejta, bilës na përgëzuan sepse kemi shkuar përtej pritjeve standardeve evropiane. Ata kishin vetëm një vërejtje, atë në sistemin gjyqësor ku ne nuk jemi në nivel si vend të përdorim edhe aty”, ka theksuar Pendarovski.

Presidenti Stevo Pendarovski ka porositur pushtetin e ri që do të zgjidhet nga zgjedhjet e parakohshme të 12 prillit të vitit 2020 që të fillojë me pastrimin e gjyqësorit, por fillimisht me pastrimin e politikanëve. Ai ka theksuar se prej kur jemi shtet, vetëm personat e varfër përfundojnë në burg, madje për vepra shumë të vogla.

“Për shumë raste gjyqësore deri më tani nuk pamë përfundim, ndërkaq disa u vjetërsuan. Maja e gjendjeve të këqija në sistemin gjyqësor është afera “Reket”, ndërkaq kreatori i regjimit iku nga drejtësia. Asnjë politikan i lartë ose biznesmen nuk mbaroi prapa grilave, ndërkaq duhej disa. Për atë pushtetit të ri do t’i porositja që duhet të bëjë pastrim të gjykatësve dhe prokurorëve, por edhe të neve politikanëve”, ka theksuar Pendarovski.

Sa i përket Minishengenit Ballkanik Pendarovski ka theksuar se ai duhet të përbëhet nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jo i cunguar me vetëm tre vende, ndryshe sipas tij, kjo ide nuk do të funksionoj.

“Minishengeni Ballkanik duhet të përbëhet nga të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm nga tri. Minishengeni që të jetë funksional duhet të jetë i plot, ndryshe nuk funksionon. Me këtë aleancë nuk kemi të bëjmë as me Jugosllavinë e madhe dhe as me Shqipërinë e madhe, kanë kaluar ideologjitë e vjetra të shekullit të kaluar, këto duhet t’i arkivojmë. Minishengeni na duhet për të përmirësuar jetët tona në Ballkan dhe për të shuar përfundimit konfliktet në rajon”, ka theksuar Pendarovski.

Ai mes tjerash ka theksuar se takimi i liderëve të partive politike, që u mbajt menjëherë pas Samitit të fundit evropian tregoi se kemi potencial të mjaftueshëm që në momente të vështira të jemi të unifikuar. Pendarovski propozoi model për arritjen e konsensusit të gjerë shtetëror.

Qëndrimet e presidentit Pendarovski, ndërkohë janë vlerësuar si tepër korrekte nga opinioni. Ai është presidenti i parë që del mbi partitë politike dhe mbi politikat ditore të diktuara nga ndasitë partiake. Paraprakisht ishte hapur debati mbi ligjin e gjuhëve, duke krijuar kështu tensione të panevojshme në Maqedoninë e Veriut.

Të fundit