E premte, 2 Dhjetor, 2022

Rusia është kërcënimi real dhe global i Kosovës

Rusia dhe bota nuk janë as në vitin 1989, as në vitin 1999 apo në vitin 2008. Rusia jo vetëm se do ta mbajë vendin të bllokuar për t’u anëtarësuar në OKB por do ta vazhdojë luftën e saj kundër Kosovës në nivel ndërkombëtar dhe do të paraqesë kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë.

Shkruan: Enver Hoxhaj

Sot, raportet në mes të shteteve perëndimore dhe Rusisë janë në nivelin më të keq pas fundit të 1989. Kjo do ketë pasoja edhe për Kosovën, por vendi duhet të jetë shume i qartë në qëndrimet e tij. Acarimi i marrëdhënieve në mes të SHBA dhe BE-së në njërën anë dhe Rusisë në anën tjetër pas situatave të shumta ndërkombëtare mund të ketë ndikim drejtpërdrejtë në relacionet Kosovë-Rusi. Për më shumë, Rusia do ta rrisë ndërhyrjen në të ardhmen në vendet e saj fqinje dhe kudo tjetër që mundet. Ajo do të vazhdojë të krijojë ndarje të brendshme në këto shtete dhe shoqëri të BE-së dhe jashtë saj. Kontestimi i legjitimitetit të shtetësisë somë nga një kandidat francez për president si Fransua Fillon, apo një president aktual çek Milosh Zeman, apo një zëvendës kancelar austriak Hainc Kristian-Shtrahe, nuk janë aspak ngjarje të izoluara të rastit. Ky i fundit, madje, u konfirmua në një skandal të nxjerrë nga Der Spiegel se ishte në shërbim të tërthortë të Rusisë. Në anën tjetër, Fillon kishte qenë shumë i afërt me institute dhe shoqata të miqësisë francezo-ruse në Paris.

Para disa vitesh, gjatë një takimi me ish ministrin e Jashtëm të Moldavisë kur unë insistoja për njohjen e Kosovës, ai po më shpjegonte gjatë se si konkretisht kushtëzohej vendi i tij dhe Rumania për të mos e bërë një gjë të tillë. Është fjala për rajonin dhe konfliktin e ngrirë në Transdistri të cilën rusët e kanë përdorur edhe si kartë shantashuese për të mos njoftur Kosovën. Për herë të parë kisha marrë një shpjegim të gjatë se si Putini duke u paraqitur si gjoja mbrojtës i minoriteteve ruse në Evropën Jug-Lindore, nga Moldavia në Baltik, ndiqte një politikë të krijimit të situatave të konfliktit të ngrirë dhe të zonave të ndërmjetme si zgjatje ruse brenda këtyre shteteve. Një politikë e njohur si “near-abroad” në zona post-sovjetike.

Dihet mirëfilli që raporti i këtyre dy vendeve është sikur ai mes Kosovës dhe Shqipërisë. Nëse kjo vazhdon edhe në ardhmen, shtrohet dilema se a do të përpiqet Rusia ta përdorë edhe më tutje Kosovën si rast krahasues në luftën e saj dhe të justifikojë ndërhyrjen në rajonet përreth saj duke bërë paralele për politiken e saj agresive. Moska do të mbështesë rajone dhe lëvizje secesioniste në shtete të ndryshme për t’i kushtëzuar ato në sjelljen e tyre të jashtme. Kështu, kur Putin përsëri foli për Kosovën në Klubin Valldai iu kthye narracionit të standardeve të dyfishta të perëndimit, veçanërisht të BE-së në raport me Kosovën. I dha mbështetje të plotë lëvizjeve secesioniste në Kataloni, mandej edhe në Kurdistan, me qëllimin sa ta godasë vendin tonë dhe njëkohësisht komunitetin ndërkombëtar perëndimor.

Marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin janë po ashtu komplekse. Ato karakterizohen me motive, me shumë fusha të ndërveprimit por edhe përplasje. Nga perspektiva ruse, rivali i tyre kryesor global ka qenë dhe mbetet Amerika. Ndërsa, në nivelin evropian dhe euro-atlantik mbeten BE-ja dhe NATO-ja. Me paramendim Rusia sillet si një rival i Perëndimit në Evropën Lindore dhe kudo tjetër. Përveç rivalitetit në Evropën Lindore, po ashtu edhe në Ballkan mbetet një arenë e rivalitetit rus-perëndimor siç edhe është dëshmuar përgjatë historisë.

Interesi kyç rus në rajon duket se do të mbetet edhe në të ardhmen, që të mbahet rajoni në një gjendje të status-quos. Që këto vende të rajonit të mbesin një periferi e skajshme e BE-së, të pazhvilluara dhe të pa modernizuara. Ndërhyrja ruse në Ballkan pritet të ndodhë edhe në të ardhmen përmes promovimit të një uniteti pansllav dhe pan ortodoks, ku disa shtete të rajonit mund të përafrohen me Rusinë si kundër-balancë karshi vendeve tjera, më të qarta në orientimin perëndimor si Sllovenia, Kroacia, Kosova dhe Shqipëria. Po ashtu, Rusia do të synojë që të rris ndërvarësinë e rajonit edhe në të ardhmen përmes shtrirjes së rrjeteve gazsjellëse, investimeve kapitale në vende të rajonit si dhe ofrimit të përkrahjes politike. Ajo nuk është një kërcënim imagjinar, por një kërcënim real. Ajo pret që Ballkani të jetë sa më i jo stabil dhe të shndërrohet në vijë të ballafaqimit politik, ekonomik dhe kulturor.

Raportet e Kosovës me Rusinë kanë qenë deri më tani të determinuara nga marrëdhëniet Perëndimit me Moskën. Edhe relacionet e ardhshme të Kosovës me Rusinë do të varen kryesisht nga marrëdhëniet e Rusisë jo vetëm me Serbinë por mbi të gjitha me Perëndimin. Sa i takon Serbisë, Rusia do të vazhdojë të mbajë lidhje të veçanta të bazuara në histori e fe, sidomos për shkak të bashkëpunimit ekonomik, politik dhe ushtarak. Ajo që mbetet të shihet është nëse gjatë procesit të integrimit të Serbisë në BE, do të ndodhë ndonjë zbehje e lidhjeve aktuale të forta serbo-ruse. Deri më tani, ka qenë e kundërta nën udhëheqjen e Aleksander Vuçiq. Ndër pyetjet qenësore për shoqërinë serbe është se gjatë procesit të kushtëzuar të evropianizimit a mund të ndodhë jo vetëm një largim nga nacionalizmi i deritanishëm, por edhe një zvogëlim i ndikimit rus në Serbi? Deri me sot jo. Në anën tjetër, a do ta përdorë Rusia edhe Serbinë në BE si “lojtar” të saj për të ushtruar ndikim brenda institucioneve evropiane, nëse kjo e fundit një ditë do bëhej pjesë e saj.

Meqë Serbia është e kushtëzuar të arrijë marrëveshje obligative ligjore me Kosovën para anëtarësimit në BE, kjo mund të jetë mundësia që Rusia ta zbusë qëndrimin ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB. Disa politikanë e diplomatë rusë, kanë përsëritur qëndrimin se vendi i tyre nuk është i shqetësuar se a është Kosova e pavarur apo jo, por se ata ndjekin interesat e tyre në raport me Kosovën. Mund të ndodhë që edhe nëse arrihet marrëveshja me Serbinë, Rusia ta bllokojë përsëri Kosovën për shkak të interesave të saj gjeopolitike. Sido që të jetë, Kosova nuk duhet të sillet si në të kaluarën ndaj Rusisë. Ajo duhet ta rivlerësojë qasjen ndaj saj. Rusia dhe bota nuk janë as në vitin 1989, as në vitin 1999 apo në vitin 2008. Rusia jo vetëm se do ta mbajë vendin të bllokuar për t’u anëtarësuar në OKB por do ta vazhdojë luftën e saj kundër Kosovës në nivel ndërkombëtar dhe do të paraqesë kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë.

Liderët serbë mund të kenë përfitime afatshkurta nga Rusia me veton e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke penguar njohjen e plotë ndërkombëtare të Kosovës. Çfarë mbetet të shihet është se cilat janë kostot e miqësisë ruso-serbe për Beogradin, apo edhe për Kosovën.

Si përfundim: Rusia që nga paraqitja e çështjes së Kosovës në vitet ’90, pas vendosjes së saj nën protektoratin ndërkombëtar, si dhe pas pavarësisë e deri më sot, ka shëndrruar eksiztencën tonë si shtet temë të përplasjeve të fuqive të mëdha. Meqë Kosova ka qenë temë e ballafaqimit global, është koha e fundit që të mendohet për një përgjigje lokale, në nivel vendor. Qasja e Kosovës në raport me ndikimin rus duhet të jetë në dy nivele, aq sa kemi mundësi, resurse, dhe imagjinatë. Së pari, në raport me katër komunat në veri të Kosovës. Meqë sikurse shumë veprime deri më tash në këtë pjesë të saj kanë treguar, Rusia do të mundohet ta përdorë këtë pjesë në shahun e saj gjeopolitik. Mundësisht do të bëjë përpjekje që ta mbanë si një zonë e konfliktit të ngrirë, e pa integruar plotëisht në Kosovë. Për më shumë, janë një listë e gjatë e rasteve në vitet e fundit që tregojnë që rusët operojnë me qasje të padukshme në veri të vendit për ta përdorë këtë për ta destabilizuar Kosovën.

Nuk ka qenë fare rastësi kur përpjekja për puq në Podgoricë përfshiu edhe disa serbë nga veriu i Kosovës, që ishin pjesë e skenarit rus për ta destabilizuar dhunshëm këtë vend. Apo raste të konvojeve humanitare ruse, apo turne të çiklistëve rus me dukje të formacioneve paramilitare.

Së dyti, Kosova si shtet duhet ta ndërtojë një mendim të plotë strategjik të ballafaqimit me Rusinë në planin politik, diplomatik, medial dhe digjital. Përsëri, këtu aq sa kemi mundësi dhe jemi në gjendje të veprojmë. Duhet të shohim se në cilat vende dhe në cilat organizata ka gjasa që Rusia ta godasë vendin tonë, para se kjo të ndodhë. Reagimi i fundit i Putinit ka qenë në raport me vendimin për transformimin e FSK-së në ushtri dhe duhet të shihet se si ky vendim të shpjegohet tek vendet jo-njohëse dhe me gjeografi të largët.

Siguria kibernetike gjithashtu është një sfidë dhe kjo kërkon një qasje ndërinstitucionale meqë imagjinata jonë mund të jetë e varfër në raport me goditjen e mundshme ruse. Disa herë shërbimi i jashtëm i Kosovës ka qenë target i sulmeve kibernetik, nga çka mund të nxirren mësime për të ardhmen. Përpjekje ka, poashtu, për penetrim në sistemin bankar përmes vendeve të cilat e kanë njohur Kosovën, por të cilat, mund të jenë platforma për depërtim të kapitalit financiar rus. Tregimi rus për Kosovën do të vazhdojë duke prezantuar shoqërinë e Kosovës të përbërë nga islamik radikal, nga OKB-ja, OSBE, e deri tek organizata e shtete në kontinente të ndryshme.

Për ballafaqim në të ardhmen me Rusinë, rol të madh do të mund ta luajnë edhe mediat, shoqëria civile, dhe universitetet. Si një vend i integruar pjesërisht në sistemin ndërkombëtar, kjo për shkak të Rusisë, Kosova krahas një qasjeje vendore ka nevojë edhe mbështetje të fuqishme nga evropianët dhe amerikanët në ballafaqim më luftën hibride. Nëse Rusia deri më tash e ka izoluar Kosovën ndërkombëtarisht edhe qasja jonë dhe e aleatëve tanë duhet të jetë se si ky vend po ashtu të izolohet. Kjo do të thotë, parandalim i çfarëdo ndikimi rus në Kosovë. BE dhe NATO në të ardhmen mund të jenë bashkim edhe më i fortë politik dhe ushtarak, por nuk mund të luajnë askund jashtë Evropës rol më vendimtar sesa ta shndërrojnë parandalimin e ndikimit rus dhe balancimin kundër Rusisë një prioritet në Ballkan.

Të fundit