E martë, 9 Gusht, 2022

ZIGZAG: STOP SHPIFJEVE DHE ANTI-SHPIFJEVE!

Këta, mjerisht, jemi ne: Merremi me shpifje dhe, pse jo, edhe me anti-shpifje. Shpifim, domethënë! Dhe, duke mos u marrë me të vërtetën, mundohemi të gjejmë ilaçin për t’ia mbyllur gojën tjetrit. Harrojmë se në fillim ishte fjala, harrojmë se fjala nuk është diçka që ndalet o lëshohet si me sustë a buton, tamam si puna e Universitetit të Tetovës që natën mes të hënës e të martës u la në terr! Do thuash, ç’ne kur EVN-ja është kompani private, kur edhe ashtu Shtatorja e të madhit Fadil Sulejmani qëndronte si i ka hije- shndriste!

Autor: Seladin Xhezairi

1. Latinët na e kanë lënë atë shprehjen lapidare ‘O tempora, o mores!’. Dhe, kjo klithmë bëhet më e fuqishme sot, ndër ne, në këtë gurgule tonën, origjinale, kur pandehim se vetëm ne kemi të drejtë, se vetëm ne e themi të vërtetën, pa çka se rrejshëm, jo rrallë, vëmë dorën edhe mbi Kur’an, Bibël, Kushtetutë, apo shkojmë e vëmë firmë ke noteri, për t’na e vulosur ‘çiltërinë’ tonë, si për të thënë se, ta zëmë, nuk shpifim, nuk anti-shpifim, nuk jemi as bërllok që kur zihet në ‘kazan’ prodhon energji. Të rinovueshme!

‘Vaj-vatani e mjerë mileti!’ – do të klithte edhe sot Noli i madh, teksa përballemi me tërmetin, epshet për të ruajtur e ruajtur pushtetin, për të joshur e joshur – miletin! Që të jem më konkret, kurrsesi të kuptoj fillin e ngatërresave në Shkup e Tiranë e besa edhe në Prishtinë:  Këtu  ndër ne u hap debate për modelin zgjedhor, më saktë për njësitë zgjedhore dhe kësaj valleje po i prijnë ata që po e tjerrin – politikanët ndërsa qasjet shkencore gati-gati mungojnë. Dhe nuk është se modelet janë zbulim yni i këtij qindvjetëshi. Larg asaj t’më akuzosh se qëllimisht anashkaloj dallaveret zgjedhore, për shkak se në instancë të fundit, qëllimi  është pikërisht ky, por do të kishte qenë e udhës që autorët e këtij debati, para se ta hapin këtë, të jepnin një llogaridhënie paksa më të detajuar. T’i thonin  sovranit se çfarë bënë, si e bënë dhe çfarë nuk bënë e përse nuk e bënë! Logjikës, përkatësisht strategjisë që meritat për arritjet t’i përshkruhen vetes, e faji për dështimet t’i faturohet tjetrit, i ka dalur boja dhe, nuk ngjet më! Njësoj si dhe premtimet joshëse për biçim ndërmarrjet e ‘ujësjellës-kanalizimeve’ a ‘federalizimeve’, për shkak se realitetin e kemi bozë, dhe atë nuk kemi guxim ta kundrojmë të tillë çfarë e kemi! Këtu në Maqedoninë e Veriut. Mbrëmjen që shkoi e pata një mysafir, të parin e një tajfe. E pyeta: keni llafosur gjë me filan tajfën? Më tha si nëpër dhëmbë: Jo! Mirëpo, dreq o punë, po natën që shkoi, një tjetër, i dyti i tajfës së tij, në një dritare tjetër, po mbrëmë, pohoi të kundërtën: Po!- tha ai!

Ec e merri vesh! Po, nuk i kemi punët ‘llugë’ vetëm këtu. Hiç më mirë nuk është ‘as ke Nëna e as ke Tezja’ – po më thoshte këto ditë në telefon, një mik imi të cilin kurrsesi ta bind se koha e përgjimeve ka ‘perenduar’!…

2. Në Serbi, një ministri i është shpallur e pavlefshme doktoratuara për shkak të plagjiaturës. Ministri i Arsimit citohet të ketë deklaruar se janë të debatueshme rreth 50 mijë diploma universitare. Është thënë se të tilla mund të posedojnë edhe disa figura të shquara politike. Ndërkohë, pranohet se prej nja 190 fakulteteve, në shumë  prej tyre mund të ketë ‘boshllëqe’ të cilat kanë pikësynim zhvatjen dhe pasurimin Brenda natës. Nuk kanë thënë kot: investimi në arsim është investim për ardhmërinë! Këta, mjerisht, jemi ne: Merremi me shpifje dhe, pse jo, edhe me anti-shpifje. Shpifim, domethënë! Dhe, duke mos u marrë me të vërtetën, mundohemi të gjejmë ilaçin për t’ia mbyllur gojën tjetrit. Harrojmë se në fillim ishte fjala, harrojmë se fjala nuk është diçka që ndalet o lëshohet si me sustë a buton, tamam si puna e Universitetit të Tetovës që natën mes kësaj të hëne e të marteje u la në terr! Do thuash, ç’ne kur EVN-ja është kompani private, kur edhe ashtu Shtatorja e të madhit Fadil Sulejmani qëndronte si i ka hije – shndërriste!

3. Lexoj në Zërin e Amerikës: Në një përmbledhje vjetore mbi dhunën dhe shkeljet ndaj gazetarëve, të publikuar të martën nga “Gazetarët pa Kufij” (RSF), thuhet se gjithsej 49 gazetarë u vranë këtë vit, 389 janë aktualisht në burgje dhe 57 po mbahen peng. Gazetaria, thuhet në raport, mbetet një profesion i rrezikshëm, por numri i gazetarëve të vrarë këtë vit është në shkallën më ulët në 16 vjet. Sivjet është shënuar numri më i vogël i gazetarëve të vrarë që nga viti 2003 dhe paraqet një rënie prej 44 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Sipas organizatës kjo rënie është rrjedhojë e faktit se ka rënë numri i gazetarëve të vrarë në zonat e luftës. Mbulimi i konflikteve në Siri, Jemen dhe Afganistan ishte më pak vdekjeprurës në vitin 2019 gjatë të cilit u regjistruan 17 gazetarë të vrarë, ndryshe nga viti 2018, kur 34 gazetarë ishin vrarë në këto tri vende. Ndërkaq, sikurse njoftojnë agjencitë e lajmeve, në Ballkanin Perëndimor, sipaswww.safejournalists.net janë regjistruar 625 sulme kundër  medias dhe gazetarëve. Prej tyre më së shumti, 221, në Serbi./KDP

 

Të fundit