E premte, 19 Gusht, 2022

OJQ-TË ALARMOJNË PËR NDOTJEN, QEVERIA PREMTON

Problemi me ajrin e ndotur tashmë një kohë të gjatë nuk ka gjetur një zgjidhje. Zakonisht gjatë muajve të dimrit ndotja enorme alarmon qytetarët, të cilët kërkojnë një zgjidhje. Organizatat Joqeveritare me kohë i kanë dorëzuar qeverisë kërkesat me afate dhe masa konkrete për zvogëlimin e ndotjes. Përfaqësues qeveritare kanë theksuar se nga janari do të aplikojnë modelin e Kroacisë për veturat, që nënkupton komponentën ekologjike.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Stina e dimrit për më tepër sjellë edhe ndotjen gati në të gjitha qytetet e Maqedonisë së Veriut. Në të gjitha qytetet është shënuar ndotje enorme, ndërkohë që shumë qytetarë janë ankuar për frymëmarrje të rënduar. Stacionet matëse të Ministrisë së Mjedisit tregojnë nivele të larta të ajrit të ndotur në Tetovë dhe Manastir. Më shumë grimca PM 2.5 janë matur në Tetovë, 155 mikrogramë për metër kub, ndërsa në Manastir janë matur 84 mikrogramë për metër kub. Me vështirësi merret frymë edhe në Strumicë. Aty janë matur 135 mikrogramë të grimcave PM 10. Në metropol, ndërkohë, ajri më i ndoturi është në Gazi Babë, ku janë matur 113 mikrogramë të grimcave PM10.

Ndotja e ajrit mbetet një dukuri që përsëritet secilin vit sidomos gjatë muajve të dimrit. Përkundër shumë paralajmërimeve për masa të shtuara përsëri nuk ka ndonjë vendim qeveritar që do të vendoste kontroll mbi ndotjen e ajrit. Organizatat joqeveritare edhe krahas asaj se në Qeveri kanë dërguar zgjidhje për të ulur ndotjen në vend, thonë se nuk është ndërmarrë asnjë hap.

“Kërkesat janë konkrete, në mënyrë koncize janë dhënë afate dhe konsiderojmë që lehtë realizohen. Njerëz që punojnë gjatë në sektorin civil, kanë dhënë kohë dhe sakrificë që t’i formulojnë dhe të gjejnë zgjidhje dhe afate konkrete, për të cilat këto kërkesa mund të realizohen. Tani presim nga pushteti të gjejë mundësi dhe t’i realizoj kërkesat”, ka theksuar, Tatjana Stojanovska, përfaqësuese e “Revolucionit të gjelbër”.

Pas vitit të ri edhe autoritetet në Maqedoninë e Veriut, sipas shembullit të Kroacisë, do të ofrojnë zgjidhje sistematike dhe joselektive, të cilat për herë të parë do të përmbajnë edhe komponentë ekologjike me qëllim që të zvogëlohet ndotja e ajrit. Me zgjidhjet e reja ligjore për automjetet ministrja e Financave Angelovska ka paralajmëruar heqjen e akcizës dhe vendosjen e tatimeve më të larta për qytetarët, të cilët edhe më tej do të blejnë vetura të vjetra, ndërsa për ata që do të blejnë të reja lehtësime në pagesën e tatimeve.

Pas vitit të ri blerja e automjeteve të vjetra me ndryshimet e reja ligjore do t’u kushtojë më shumë qytetarëve, ndërsa ata që do të vendosin të blejnë veturë të re do të kenë lehtësime shtesë në pjesën e tatimeve sipas shembullit të vendeve të zhvilluara. Ministrja e Financave Nina Angelovska ka theksuar se me këtë do të ofrojnë zgjidhje sistematike dhe joselektive me komponentë ekologjike.

“Për herë të parë kemi ligj që do të përmbajë komponentë ekologjike dhe sipas të cilit ata që shkaktojnë më pak ndotje të ajrit do të paguajnë tatime më të vogla, ata që shkaktojnë më shumë ndotje do të paguajnë tatime më të mëdha. Tani do të kemi ligj të ri sipas shembullit të vendeve të zhvilluara”, ka theksuar, Angelovska

Me rregulloren e re, llogaritja e tatimit do të bëhet në bazë të dy komponentave: vlera e automjetit dhe shkalla e emetimit të dioksidit të karbonit të automjetit. Në këtë mënyrë, veturat ekologjike me shkallë më të ulët të emetimit të dioksidit të karbonit do të jenë ekonomikisht më të vlefshme për t’u blerë në krahasim me ato që ndotin më shumë. Nga Drejtoria e doganave kanë theksuar se ky është hapi i parë, i cili për 3 deri në 4 vite do të japë rezultate.

“Nuk mund të rregullohet brenda natës struktura e vozitjes që ka moshën mesatare në mes 15 dhe 18 vite, dhe në të cilën vetëm 1% e automjeteve kanë standardin euron 6. Duhet të fillohet prej diku, ligji i ri për tatim të automjeteve është hapi i parë, ndërsa rezultatet mund t’i presim pas 3-4 vitesh”, kanë theksuar nga kjo drejtori.

Edhe pse komunikacioni nuk është ndotësi më i madh i ajrit, nga ministria e Ambientit Jetësor vazhdimisht apelojnë që qytetarët sa më pak t’i përdorin automjetet e tyre, sidomos në muajt me ndotje enorme të ajrit, por në mungesë të zgjidhjes për transport publik numri i automjeteve në vend vetëm në 4 vitet e fundit është rritur për pothuajse 60.000 automjete.

Në Maqedoninë e Veriut jo njëherë është folur për zgjidhje për ndotjen e ajrit. Gjatë secilit vit në muajt e dimrit kur ndotja është enorme janë ripërsëritur premtimet dhe angazhimet. Por, deri më tani duket se mungon një strategji afatgjate e bazuar në ekspertizë për të gjetur modelin e parandalimit të ndotjes.

 

Të fundit