E premte, 19 Gusht, 2022

Paraloja elektorale

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Fundi i këtij viti duhet të sjell edhe fundin e qeverisë politike të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të hap rrugë për qeverinë teknike, përgjegjëse për të organizuar zgjedhjet e 12 Prillit në 2020. Kjo qeveri në largim erdhi dhe qeverisi në një nga periudhat më turbulente në historinë politike qysh nga pavarësimi i shtetit, e mbushur me ngjarje dramatike, vendime historike dhe skandale diku-diku edhe në përmasat surreale. Për të bërë rikapitulimin e ngjarjeve më të bujshme do të ishte e vështirë edhe për skenaristin më të shkathët të kinemave botërore në qoftë se do të duhej ti përfshinte në një film të metrazhit të shkurtër, me qëllim të rifreskimit të memories kolektive. Megjithatë, ora ka filluar të numëroj mbrapshtë dhe Viti i Ri do të na gjej me kryeministër të ri dhe ministra nga marrëveshja e Përzhinos. 

Megjithëse fushata zyrtare parazgjedhore është tre muaj larg, partitë kanë ndezur motorët dhe paraloja elektorale veç më është në zenitin e vet. Ajo që bie në sy janë skenarët të cilët nuk janë ogur i mirë për atë se si do të zhvillohet kjo fushatë. Rikthimi i temave etnike përmes sfidimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, që në thelb ka avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe në vertikalen e pushtetit duket se do të mbyll rrugën për debate serioze dhe të qenësishme për tema konkrete për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Siç duket, politikat identitare do të mbajnë peng politikat zhvillimore ekonomike dhe sociale dhe edhe një herë do të hapin shtegun për politikanë populist, të cilët me mediokritetin e tyre profesional do t’ju bien daulleve të ‘’çështjes kombëtare’’, duke u zhytur të diskutimet e pafundshme  dhe monotone të tradhtarit dhe patriotit, të Robin Hudit dhe të korruptuarit, të shpëtimtarit dhe gogolit, diskutime të cilat kanë gjithçka brenda tyre përveç zgjidhjeve konkrete të cilat mund të përmirësojnë jetën e qytetarit të rëndomtë. 

Në ndërkohë, batalionet e ushtrave partiak janë duke mprehur gishtat për të nisur luftën virtuale në rrjetet sociale dhe ashtu si në të kaluarën nga kjo luftë nuk mund të pritet përballje racionale me debat të argumentuar por një përplasje me shpifje dhe ofendime që kanë për qëllim të degradojnë ‘’tjetrin’’. Së shpejti në muret tona virtuale do të fillojnë të mbijnë si kërpudha fotografitë e liderëve në kisha dhe xhamia, në përqafimin e ngrohtë të popullit, në ngjarje kulturore dhe sportive, në pazare dhe kafene për të dëgjuar hallet dhe brengat e sovranit. Nën syrin e mprehtë të ‘’policisë morale të FaceBook-ut’’ do të diskutojmë për vlerat morale dhe fetare, për historinë familjare dhe gjithçka tjetër përveç kompetencave profesionale të garuesve për votat tona. Programet parazgjedhore për qeverisje do të jenë aty, në formate e vëllime të ndryshme të dizajnuara për të ngrohur syrin e lirë por diskutimi nuk do të shkoj më larg se sa për formën sepse për të diskutuar mbi përmbajtjen e tyre duhen lexuar të gjitha, e të lexuarit neve nuk na pëlqen.  

Të gjitha këto janë një Deja Vu nga ciklet e mëparshme që edhe votuesi më i rëndomtë mund ta parashikojë dinamikën e zhvillimit të tyre. Por fushata që vjen, do të ketë më shumë se sa ngjarjet tradicionale të kulturës tonë politike. Një arsenal i madh me materiale komprometuese është në duart e shërbimeve të ndryshme sekrete, shumë nga të cilat nuk janë adhuruese posaçërisht ndaj aspiratave për një Maqedoni të Veriut anëtare e NATO-s. Në ndërkohë që partitë politike kanë filluar parapërgatitjet për fushatën parazgjedhore, diku tjetër një fushatë paralele e dezinformimit është në përgatitje e sipër. Votuesve kësaj radhe do t’ju duhet një sy edhe më i mprehtë për të parë përtej flluskave partiake, një sy të cilin fatkeqësisht nuk e kemi. Prandaj gazetarët, mediat dhe aktorët tjerë shoqëror do të kenë përgjegjësinë për ta kthjellë votuesin dhe për ti plasur jo vetëm flluskat partiake por edhe ato të dezinformimit. 

Të fundit