E martë, 9 Gusht, 2022

Raport i ri mbi gjendjen e gazetarëve në botë

Numri i gazetarëve të burgosur në botë mbetet afër shifrave rekord, sipas një studimi vjetor të publikuar të mërkurën nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), i cili identifikon Kinën, Turqinë, Arabinë Saudite dhe Egjiptin si vendet me numrin më të madh të burgosjeve të gazetarëve në botë.

“Për të katërtin vit radhazi, qindra gazetarë u burgosën në shkallë globale, ndërsa udhëheqësit autoritarë si Xi Jinping, Rexhep Tajip Erdogan, Mohamed bin Salman dhe Abdel Fattah el-Sissi nuk tregojnë shenja të zbutjes të kritikave ndaj mediave”, sipas studimit për burgosjet e gazetarëve në vitin 2019 të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Edhe pse numri i gazetarëve të burgosur në të gjithë botën pati një rënie të lehtë në 2019, nga 253 në 245, organizata me seli në Nju Jork që ndjek lirinë e shtypit tha se numri i gazetarëve të akuzuar për raportim të “rremë” ose “lajme të rreme” vazhdon të rritet.

“Numri i gazetarëve të akuzuar për ‘lajme të rreme’ u rrit në 30, nga 28 që ishte vitin e kaluar,” thuhet në raport, duke shpjeguar se akuza, e përdorur më shpesh nga Egjipti, “ka patur rritje të ndjeshme që nga viti 2012, kur Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) gjeti vetëm një gazetar në mbarë botën ndaj të cilit ishin ngritur akuza për lajme të rreme”.

“Vitin e kaluar, vendet shtypëse, përfshirë Rusinë dhe Singaporin, miratuan ligje që kriminalizojnë botimin e ‘lajmeve të rreme’”, thuhet në raport.

Raporti i këtij viti, për herë të parë që nga viti 2015, nuk e radhit Turqinë si një nga vendet me numrin më të lartë të gazetarëve të burgosur në botë, pjesërisht sepse Ankaraja, “pasi kishte shtypur pothuajse të gjitha raportimet e pavarura, i liroi gazetarët në pritje të gjyqit ose apelit”.

Kina, e dyta në listë pas Turqisë si një nga mjediset më shtypëse të mediave në botë për vite me radhë, ka 47 gazetarë në burg, numër i ngjashëm me atë të vitit 2018, që kryesisht rezultoi nga përpjekjet e gazetarëve për të dokumentuar shtypjen në shkallë të gjerë të pakicave etnike, kryesisht të ujgurëve në provincën Xinjiang.

“Në një rast të kohëve të fundit, Sophia Huang Xueqin, një gazetare e pavarur, e cila më parë kishte punuar si gazetare investigative, u arrestua në tetor menjëherë pasi solli në blogun e saj përvojën e marshimit me protestuesit pro-demokracisë në Hong Kong,” thuhet në raport.

Arabia Saudite, “ku numri i gazetarëve të burgosur është rritur në mënyrë të qëndrueshme që nga viti 2011”, thuhet në raport, po mban të burgosur 26 gazetarë, mes pohimeve për torturë.

Numri në rritje i arrestimeve dhe abuzimeve të dokumentuara, thonë studiuesit e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, reflektojnë një goditje brutale të kritikëve nën Princin e Kurorës Mohamed bin Salman, të cilin zyrtarët amerikanë dhe ata të OKB-së e fajësojnë për vrasjen në tetor të vitit 2018 të kolumnistit të gazetës Washington Post, Jamal Khashoggi në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

Princi i kurorës saudite i tha emisionit “60 Minutes” të kanalit CBS News në shtator, se pranon përgjegjësinë për vdekjen e gazetarit Kashoggi, por mohoi akuzat se vrasja është bërë me urdhër të tij.

Shumica e 26 gazetëarëve të burgosur në Egjipt, thuhet në raport, u arrestuan dhe gjykuan në grupe, zakonisht për t’u përballur me akuza për terrorizëm dhe “lajme të rreme”.

Zyrtarët e qeverisë egjiptiane, ashtu si homologët e tyre në Turqi, Kinë, Rusi dhe Iran, zakonisht këmbëngulin se vënë në shënjestër vetëm gazetarët që synojnë të destabilizojnë vendet e tyre përkatëse.

Raporti për vitin 2019 i Komitetit për Mbrotjen e Gazetarëve gjithashtu thotë se në Iran ka patur një rritje të burgosjes së gazetarëve në vitin 2019, ashtu si edhe në Rusi, e cila mban shtatë gazetarë të arrestuar.

“Nga 38 gazetarë të burgosur në Afrikën nën-Sahariane, pjesa më e madhe janë në Eritre”, thuhet në raport. Kameruni radhitet i dyti për nga numri i gazetarëve të arrestuar në kontinentin e Afrikës, ndërsa ka pasur një rënie të mbrojtjes së lirisë së shprehjes edhe në Etiopi dhe Nigeri.

Tre gazetarë janë burgosur në vendet e Amerikës Jugore, në Venezuelë, Honduras dhe në Kubë.

“Numri më i madh i gazetarëve të burgosur në një vit, që kur Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve filloi t’i regjistronte rastet, ndodhi në vitin 2016 kur ishin burgosur 273 gazetarë”, thuhet në raport.

Raporti vjetor i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve nuk përfshin gazetarët e zhdukur ose ata të mbajtur nga aktorë jo shtetërorë. Raporti përfshin vetëm gazetarët e ndaluar nga qeveritë deri më 1 dhjetor të vitit 2019.

Të fundit