E enjte, 8 Dhjetor, 2022

ZIGZAG: SKUTHIZMI DHE SKUTHËT E DITËVE TONA

I them mikut tim që nuk është se shkarravit kot në letrat e tij: Mësohu me pragfushatën elektorale se këta, po të munden, për një votë kanë për të kapërcyer edhe ylberin. Ai, nuk është se nuk ma var, por ama nga skuthët ma çpik një fjalë të re që, mundohet të më bind, duhet të hyjë në filozofinë tonë më të re politike. Më flet për skuthizmin e ditëve tona. Ec’e merre vesh, në Shkup, Prishtinë e po deshe – edhe në Tiranë!…

 

Autor: Seladin Xhezairi

1. Rrëfimi ishte kështu: Ata dhe ato ishin marrë vesh të bëjnë një ligj për përdorimin zyrtar edhe të gjuhës shqipe. Ato dhe ata për shkak të sedrës së atyre kishin rënë dakord që shqipja të mos përmendet ashiqare për shkak të ‘ndjeshmërisë’, ama mblodhën forcë dhe i dhanë dritën jeshile (edhe me Badinter) Ligjit që kujtuam se sado-kudo i relaksoi marrëdhëniet ndëretnike. Mirëpo, nuk e kanë thënë kot ata të urtët ‘vëlla, vëlla, ama djathin me para’: U kujtuan dhe vrap e në Vendedik, me demek mananë ta marrin nga Komisioni i Venecias i cili, me mendimin këshillëdhënës, duket se çështjen ka për ta rikthyer nga fillimi. Jo për diçka tjetër, por pse jemi në kohë fushate dhe, për mungesë të ndonjë kauze tjetër, me të cilën do të dilej para miletit, ku ka debat më ndezës e joshës se ai që lidhet me shqiptarët?! ‘Do u japim ne, edhe ashtu ne e bëmë!’- të thotë njëra palë . ‘Nuk do e prekim, se edhe ne jemi hisedarë!’- gjegjet tjetra palë. Dhe, retorika, sa vjen, palë-palë , ashpërsohet, ndërkohë që Perendimi të cilit e kemi për qejf t’i bëjmë lajka e në të cilin ata dhe ato (lexo: politikanë e parti) na rrahin gjoks se edhe ne e kemi vendin, Perendimi e Zvicra apo edhe Belgjika, këtë çështje e ka zgjidhur që moti. Nëse kryeministri në largim, Zoran Zaev, në njëfarë mënyre që para tre vjetësh e ‘përtypi’ qasjen e Vanço Mihajlovit, një ndër figurat më kontradiktore të VMRO-së, për Maqedoninë si ‘Zvicër të Ballkanit’, vetëm sa i përket përdorimit zyrtar të gjuhës të cilën e flasin të paktën ’20 për qind’ të popullsisë (Mihaljovi para sa e sa dekadash thoshte se shqipja duhet të jetë zyrtare!), këto ditë u bë pishman për të riparë edhe një herë formulimet me ligjin aktual. Debati, padyshim ka për të qenë i lodhshëm, edhe për atë, edhe për ata, po besa edhe për ne (nëse, mos dhashtë Zoti, ju bie të operoheni në ndonjë spital të Londrës, e nuk dini anglisht, besoni përkthyesi ju rrin ke koka më shumë se doktori!). Me fjalë të tjera, boll më!

2. E keni parë Kryeministrin Rama duke u përgatitur që në cilësinë e ministrit të Jashtëm të marrë, ditë më parë, kryesimin e OSBE-së, nga janari i vitit të ardhshëm? Mund të thoni ç’të doni, ama pamjet ofrojnë një siguri të Tij! E tjetër është ajo se pak ditë më pas nga kancelaria e po kësaj OSBE-je, në adresë të zotit Rama erdhi një biçim ‘fletërrufeje’ kundër ‘Paketës antishpifje’ që raportohet të jetë në procedurë parlamentare. Përfaqësuesi i i kësaj organizate për Lirinë e Medias, Harlem Desir, u rekomandoi autoriteteve shqiptare të bëjnë ndryshime për të qartësuar masat për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të shmanget çdo rrezik për kufizime apo sanksione të padrejta për ofruesit e mediave elektronike. Në mbrojtje t të lirisë së medias kanë dalur edhe organizata të njohura ndërkombëtare të gazetarëve si “European Centre for Press and Media Freedom” (ECPMF), ARTICLE 19, “European Federation of Journalists” (EFJ), “South East Europe Media Organisation” (SEEMO), “International Press Institute” (IPI) apo dhe “Reporters Without Borders” (RSF) të cilat, sikurse njoftohet kanë bërë thirrje që parlamenti shqiptarë të mos japë dritën jeshile për këtë paketë të debatueshme ligjore: ‘Nëse këto projektligje hyjnë në fuqi, ato do të imponojnë kërkesë për regjistrim me detyrim të medias online dhe do të krijojnë një organ administrativ me fuqi për të gjobitur dhe mbyllur mediat online si dhe për të bllokuar mediat e huaja – pa një urdhër gjykate. Projektligjet, po ashtu do të vendosin rregullim shtetëror për mediat online, gjë që është në kundërshtim me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe parimet e vetë-rregullimit”, thuhet në deklaratën e përbashkët të organizatave të sipërpërmendura të cilat drejtojnë gishtin tregues nga autoritetet në Tiranë dukje ju thënë se janë ‘të zhgënjyer që parlamenti i Shqipërisë ka vijuar me këto projektligje pa trajtuar në tërësi sugjerimet e dhëna nga aktorët vendës dhe institucionet ndërkombëtare.

3. Në Prishtinë, ndërkaq nuk po reshtin peripecitë e kreut të Vetëvendosjes për krijimin e koalicionit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Është fjala vetëm për ‘karrige’ apo ‘jorgani mund të digjet’ për çështje më madhore që lidhen me kompromisin e shumëkërkuar nga komuniteti ndërkombëtar, nga Kosova e Serbia, për një ‘marrëveshje të qëndrueshme të pranueshme për të dyja palët’, kjo mbetet të shihet. Edhe pak e zyrtarisht do të hyjmë në dimër. Ashiqare, për politkanët në Prishtinë, ka për të qenë tepër i acartë, ndonëse, thonë, ngrohtorja e Kryeqytetit është e përgatitur të punojë me kapacitet të plotë. Çka s’bën vaki!/KDP

Të fundit