E enjte, 18 Gusht, 2022

TESTI PISA, SFIDA E NJË KONCEPTI TJETËR ARSIMOR

Tashmë në nivel teorik po kalohet nga një koncept që arsimin e njeh vetëm si bartje e dijes, përvojës njerëzore nga një brez në brezin tjetër, në një koncept tjetër që arsimimin e funksionalizon në situata të panjohura jetësore. Rezultatet e dobëta, pak më të mira se testimi i vitit 2015, kërkojnë alternime të shumta në të gjitha dimensionet e sistemit arsimor. Një alert që duhet të motivojë gjithë protagonistët e sistemit arsimor për të kuptuar deri në fund trendet e arsimit global dhe çelësin e suksesit të vendeve që janë para vendeve që kanë investime të konsoliduara në arsim. 

Autor: Bardhyl Zaimi

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë treguar rezultate të dobëta në testin PISA të vitit 2018. Maqedonia e Veriut është renditur në vendin e 67-të nga gjithsej 79 vende pjesëmarrëse. Përkundër faktit që ka përparime nga testimi më i fundit i viti 2015, Maqedonia e Veriut përsëri renditet me vendet që kanë rezultate më të dobëta. Padiskutim këto rezultate tregojnë për një sistem arsimor jo të qëndrueshëm dhe për mungesë cilësie në gjithë suazën e arsimimit që nuk mund të kufizohet vetëm në këtë ndërmjet kohë, por vjen si anomali përgjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit.  

Këto rezultate janë një alert i fuqishëm për gjithë protagonistët e fushës së arsimit, por edhe për gjithë protagonistët e krijimit të politikave arsimore, të cilët tashmë duhet t’i lexojnë drejtë këto rezultate dhe në përputhje me koordinatat që jepen nga PISA, të fillojnë të reflektojnë me angazhimet e tyre. Brenda kohës, ka pasur përplasje politike mbi këto rezultate. Për partitë opozitare ky rezultat iu adresohet politikave të gabuara të qeverisë mbi arsimin, ndërkohë që përfaqësues të qeverisë kanë theksuar se vendi shënon ngjitje në krahasim me vitin 2015. 

Përtej këtyre përplasjeve, ky rezultat minimal suksesi i nxënësve nga Maqedonia, nuk mund të interpretohet as si një sukses i “bujshëm” siç e prezanton qeveria, por as me tone thellësisht dramatike, për shkak se rezultatet e këtij testi për vitin 2018 duhet të lexohen me realizëm dhe me përkushtim të thellë. Nuk ka dilema që nxënësit nga Maqedonia e Veriut, pavarësisht nga rezultati më i mirë që kanë teeguar në krahasim me vitin 2015, përsëri ndodhen në fundin e listës të vendeve pjesëmarrëse. Ky fakt, duhet të krijojë një moment të ri debati kompetent dhe një reflektim të gjerë mbi gjithë atë që përfaqëson sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut i degdisur dhe në mënyrë konstante i atrofuar nga eksperimente të shumta.

Sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut në asnjë rast duket se nuk ka arritur t’u rezistojë turbulencave të shumta politike të periudhës së tranzicionit, ndikimeve partiake dhe ndikimeve tjera që në masë të madhe kanë ulur nivelin e perfomancës te mësimdhënësit dhe bashkë me këtë edhe te nxënësit. Në Maqedoninë e Veriut, nuk është arritur të krijohet një sistem koherent në fushën e arsimit që do t’i përgjigjej profesionalizimit dhe përkushtimit maksimal që e kërkon kjo fushë kaq e rëndësishme e shoqërisë. Përkundrazi, gjatë tërë kohës janë vërejtur eksperimente në politikat arsimore, zgjidhje të çastit, zgjidhje që më tepër kanë qenë improvizime se sa realisht të hyhet në një transformim cilësor të gjithanshëm që nënkupton suazë ligjore të mirëmenduar, dokumente të përpiluara nga profesionistë të fushës dhe strategji afatgjate që hapin dhe mbindërtojnë një vizion që do të ishte në përputhje me zhvillimet globale. Ndërkohë, qeveria e Maqedonisë së Veriut ka të përpiluar një strategji për për periudhën 2018-2025, por shumë pak është debatuar në nivele profesionistësh kjo strategji dhe shumë pak është prezantuar si vizion përpara opinionit të gjerë.  Paraprakisht një dokument tjetër që së paku në letër mbi zhvillimin e arsimit është Programi Nacional për Zhvillimin e Arsimit në Republikën e Maqedonisë 2005-2015, i cili gjithashtu duket se nu e ka ofruar vizionin e duhur, por edhe nuk ka arritur te etablohet minimalisht në themelet e sistemit arsimor, i cili brenda kohës ka pësuar turbulence të shumta, ndikime politike, por edhe mungesë të tërësishme të një ekspertize dhe vizioni profesional. Një e vërtetë tjetër rrëqethëse është fakti se shumë dokumente e strategji të përpiluara mbeten vetëm në letër dhe nuk arrijnë që as minimalisht të strukturojnë, reflektojnë në sistemin arsimor, i cili përballet me mungesë të një vizioni koheziv, por edhe me “ndryshkje” të brendshme punësimesh pa kritere. 

Në botën bashkëkohore tashmë po debatohet mbi esencën e arsimit, që nuk duhet të ngatërrohet me mësimin. Arsimi mbetet një sipërmarrje e madhe në drejtim të përsosjes së aftësive përtej formave tradicionale. Esencializmi pragmatik nuk e sheh arsimin si një fushë por si një disiplinë, si një ripërcaktim teorik që kalon përtej aplikimit të disiplinave tjera në fushën e arsimit. Nëse teoria arsimore është një disiplinë, ajo duhet të sigurojë një platformë unike për të parë të gjithë botën shoqërore. Teorikisht, arsimimi nënkupton bartjen e dijes dhe përvojës njerëzore nga një brez në brezin tjetër. Është si të thuash një lloj vazhdimësie, transferim i gjithë dijes njerëzore nëpërmjet shkollës si institucion. 

Sigurisht, edhe sistemi arsimor tashmë në nivel global ndodhet në një udhëkryq reformash dhe secili vend përveç principeve të përgjithshme zgjedh edhe format specifike të strukturimit dhe organizimit arsimor. Bota e gjerë teknologjike gjithashtu imponon kahëzime tjera, të cilat mbeten të përfshira edhe në testimin PISA. Pikërisht, për të siguruar një vlerësim mbi gjithë sistemin arsimor në vitin 2000, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) organizoi, për herë të parë, testin PISA (Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve), qëllimi i të cilit është të maten aftësitë e nxënësve të moshës 15 vjeç për t’i zbatuar njohuritë e tyre në situata të jetës së përditshme. Kjo matje bëhet në tri disiplina: në lexim, në matematikë dhe në shkenca të natyrës. Në secilin shtet pjesëmarrës përzgjidhet një mostër reprezentative e nxënësve 15-vjeçarë që i shtrohet testit. Testi PISA nuk ka për qëllim të krijojë shtresa tjera vlerësimi, por esencialisht fokusohet që për dallim nga vlerësimi tradicional të shkojë përtej nëse nxënësit mund ta riprodhojnë atë që kanë mësuar në shkollë. Pra, nxënësit duhet të eksplorojnë përtej lëndëve dhe të zbatojnë njohuritë e tyre në mënyrë krijuese.

Në qëllimet e testit PISA mes tjerash theksohet se nëse gjithçka që bëjmë është t’u mësojmë fëmijëve tanë atë që dimë, ata mund të kujtojnë sa duhet të ndjekin gjurmët tona. Por nëse mësojnë se si të mësojnë, dhe janë në gjendje të mendojnë për veten e tyre, dhe të punojnë me të tjerët, ata mund të shkojnë kudo që dëshirojnë. Testimi PISA iu dedikohet një sërë shkencëtarësh, profesionistësh të arsimit, arsimtarësh etj, të cilët tashmë janë të përfshirë në këtë metodologji të re të vlerësimit të arsimit dhe që ndërlidhet me shfaqje tjera të ndërlidhjes së nxënësit me realitetet e panjohura. Testi PISA vë në sprovë gjindshmërinë e nxënësit, gjegjësisht njohuritë e tij në një situatë të paparashikuar jetësore. Në esencë ky test nuk ka për qëllim të kuptojë se sa di një nxënës, por sa njohuritë që ka mund t’i vë në funksion të një sprovë jetësore.

Me këtë metodologji realisht zgjerohet koncepti mbi sistemin arsimor, por edhe mbi dijen përgjithësisht, që tashmë nuk shihet vetëm si një bartje tradicionale tek brezi tjetër, pra nxënësit, por shihet edhe funksionalizimi i kësaj dije në sprovat e jetës së përditshme. Si ngushëllim për rezultatet nga ky testim mund të jetë fakti që edhe nxënësit nga vende shumë më të zhvilluara , me investime shumë më të mëdha në sistemin arsimor kanë treguar rezultate të dobëta. Pra, ky test nxjerrë në pah një mësimin kreativ, që nuk varet vetëm nga kushtet e mira në të cilat mësojnë nxënësit, por edhe nga një koncept i bartjes së dijes, i cili në asnjë rast nuk është skematik, por është në funksion të sfidave të botës digjitale, tregut të punës dhe sfidave të ndryshme jetësore. Në këtë drejtim logjika dhe metodologjia e këtij testimi thotë se testi i vërtetë në jetë nuk është nëse mundemi të kujtojmë ato që kemi mësuar në shkollë, por nëse ne do të jemi në gjendje të zgjidhim problem të cilat sot nuk mund t’i parashikojmë. 

Gjithë kjo suazë metodologjike e testit PISA nuk lë vend për mburrje dhe për dëshpërime, por përkundrazi kërkon një motivim shumë më të madh për t’iu përgjigjur sfidave të arsimit në nivel global. Shumë shtete me shumë më pak investime në arsim kanë arritur suksese të jashtëzakonshme. Ky fakt, mes tjerash, duhet të krijojë një moment reflektimi për të ndryshuar matricën dhe konceptin e sistemit arsimor në mënyrë që ai të përgjigjet këtij transformimi të madh global që tashmë arsimin e kupton si një aftësi për të zbatuar njohuri në situata të caktuara në përputhje me zhvillimin e madh teknologjik në botë. 

Nëse do të kuptohet esenca e këtij testimi dhe gjithë ideja e arsimimit që tashmë nuk ndalet vetëm në bartjen e dijes por edhe në funksionalizimin e saj, atëherë do mund më lehtë të kalohet në korrigjimet e nevojshme, në shndërrimin e madh, i cili kërkon motivim, vullnet dhe politika arsimore të mirëdefinuara. Në këtë drejtim është edhe thirrja e UNICEF-it për Maqedoninë e Veriut :”Shteti duhet të jetë më i motivuar nga rezultatet e fundit nga programi për vlerësim të nxënësve të PISA, të cilat tregojnë përmirësime në rezultatet e mësimit në shkrim lexim, matematikë dhe shkencë. Edhe pse përparimi është frymëzues, suksesi i përgjithshëm i nxënësve ngelet nën mesataren e vendeve tjera dhe kjo bën thirrje që të gjitha palët e interesuara të ngelen të përkushtuar në reformat në arsim, të orientuara drejt nevojave për mësimin e nxënësve” .

 

Të fundit