E mërkurë, 1 Shkurt, 2023

Si u menaxhua shpërndarja e të pastrehëve në hotele e palestra, mizerja që “zbuloi” tërmeti. Ç’ndodhte në kampin pranë stadiumit në Durrës

Trafiku për në Durrës është i rënduar. Të dyja anët e autostradës TiranëDurrës janë të zëna. Njerëz të frikësuar ikin ku të munden.

Larg Durrësit, larg Tiranës. Sapo është ndjerë një tjetër lëkundje e fuqishme, çka ka tronditur atë qetësi të rreme, që njerëzit kishin filluar të ndienin. Ndoshta nuk do kishte të tjerë aq të fortë. Aplikacionet në ekranet e telefonave fishkëllenin thuajse çdo 5 minuta… Lëkundjet e fundit i kanë bërë njerëzit edhe më të pasigurt, ndërsa punën të gjithë punonjësve dhe vullnetarëve, që po menaxhojnë situatën, edhe më të vështirë.

Pasditen e së mërkurës, në kampin e ngritur pranë stadiumit “Niko Dovana” në Durrës lëvizjet u shtuan. Çadrat do të mbylleshin dhe të gjithë të strehuarit duhet të sistemoheshin nëpër hotele dhe palestra shkollash. Meteorologët kanë parashikuar mot të keq, ndaj zbrazja e çadrave dhe çmontimi i tyre duhej bërë sa më shpejt. Djem dhe vajza të rinj regjistronin emrat e të gjithë njerëzve që ndodheshin aty, plotësonin formularët, duke mbajtur shënim dëmet e pësuara, zonën e banimit, vendin ku duhet të strehoheshin. Destinacionet janë dy: hotele ose palestra shkollash (“Bernardina Qerraxhia”, “Marie Kaçulini” etj.).cadra1

Banorët, shtëpitë e të cilëve janë të pabanueshme, do të shpërndaheshin në hotele, ku edhe qëndrimi është më gjatë, ndërsa ata që kanë pësuar dëmtime të pjesshme, nëpër palestra shkollash, të cilat janë kthyer në fjetore me krevate portativë e dyshekë. Por, “problemi” më i madh janë vetë njerëzit. Refuzojnë të lënë çadrat për t’u futur nëpër ndërtesa. Pjesa më e madhe, sapo dëgjojnë se do të sistemohen nëpër hotele, refuzojnë kategorikisht, pavarësisht se u thonë se godinat ku do strehohen janë të sigurta. Më mirë rrinë nën shi. Konfuzioni është i madh.

Nevojat janë nga më të ndryshmet. Shumë kanë mbetur tërësisht pa banesa, të tjerë kanë pësuar dëmtime, shumë syresh kanë frikë të ngjiten në katet e larta të pallateve, nuk mund të flenë më nëpër makina, disa duan batanije, të tjerë ndihma në ushqime. Janë të lodhur, të stresuar, të çoroditur, shumë nuk e dinë se çfarë duan. Por është edhe një kategori tjetër: ata që duan të ikin në Kosovë. Vëllezërit kosovarë kanë hapur dyert e shtëpive, hoteleve e strukturave të tjera, për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve në këtë ditë të vështirë, ashtu si këta të fundit u janë gjendur gjatë Luftës së Kosovës.

Dhe të shumtë janë ata që duan të ikin sa më larg Durrësit, drejt Kosovës, ku mendojnë se do të jenë më të sigurt dhe do të gjejnë komfortin e duhur. Vijnë në çadër dhe kur mësojnë se nisja për Kosovë nuk organizohet aty, bëhen nervozë dhe çorodisin edhe të tjerët që ndryshe nga ata do të mjaftoheshin me një strehë të sigurt edhe në rrethinat e Durrësit. “Në plazh, eee? Në Kosovë, të ikim në Kosovë, atje është më e sigurt”.

SOLIDARITETI

Ndërsa njerëzit shtyhen për të shënuar emrat, pranë çadrave ikin e vijnë përfaqësues ministrie: ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, bashkë me zv.ministren Ornela Çuçi, ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirlliu, zv.ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj, me stafet e tyre janë aty dhe përpiqen të vijnë në ndihmë me se të munden, për të orientuar dhe bindur njerëzit për të shkuar në vendqëndrimet e përgatitura për ta. Shqetësimi u lexohet dukshëm. Askush nuk ishte përgatitur për një situatë të tillë. Furgonë dhe autobusë janë vënë në dispozicion për t’i çuar të pastrehët në vendet e caktuara.

Ekipe mjekësh dhe ambulancat janë gjithë kohës në gatishmëri. Forca në FNSH-së po ashtu. Në disa pika shpërndahen ushqime të gatshme dhe ujë, në të tjera veshje. Vullnetarë ka me shumicë, madje më shumë seç duhen në këtë situatë. Më shumë se kurrë shqiptarët janë treguar solidarë dhe janë ofruar të ndihmojnë sipas mundësive me ushqime, veshje, të holla, krevate portative, batanije, hapësira për strehim. Deri në orën 22:00, kampi u boshatis dhe me gjithë rezistencën e të tremburve, çadrat u mbyllën dhe njerëzit u akomoduan në vendet e caktuara. Shiu që nisi rreth orës 23:00 nuk i gjeti njerëzit jashtë.

PASKUINTAT

Fatkeqësitë e mëdha na japin mundësi të shohim Shqipërinë reale, atë që ne përpiqemi ta mbajmë të fshehur, atë që nuk duam ta shohim, atë që e mbulojmë me gjithfarë lustrash. Në kampin e ngritur pranë stadiumit në Durrës ishte mbledhur një masë e madhe njerëzish të pashpresë. Një pjesë e mirë i përkasin komunitetit rom, që tërmeti u rrënoi edhe ato baraka që kishin. E gjithë pasuria e tyre ajo ishte. Kanë mbledhur ç’kanë mundur, batanije të vjetra dhe vërtiten nëpër çadra me fëmijë në krah, apo që u vinë nga pas të çorientuar; shtatzëna, që nuk i quan dot gra, sepse janë thuajse fëmijë, që në fakt duhet të ishin nëpër shkolla, që rrinë të tulatura buzë çadrave e të duket sikur do të lindin nga momenti në moment.

Por jo të gjithë janë hallexhinj. Ka shumë edhe sehirxhinj e përfitues mes tyre, që nuk u pëlqejnë hotelet e zgjedhura, sepse do duhej të ishin ndoshta me 5 yje?! Mosmirënjohës që shpërdorojnë bukën e dhënë me zemër nga të tjerë qytetarë, që po si ata kanë pasur frikë të kthehen në shtëpitë e tyre, por kanë zgjedhur t’i gjenden atij që ka më shumë nevojë; që u hakërrehen vullnetarëve, që janë po aq të pagjumë dhe të panikosur..

Ndërsa nevojtarët e vërtetë nuk bëjnë shumë zë. Janë ata, që përkundër shumicës që kanë marrë makinat dhe janë strehuar nëpër familjarë apo kanë shkuar në hotele, tej në jug, nuk kanë pasur ku të mbyten. Mbajnë përdore fëmijët dhe presin të dëgjojnë emrin në megafon apo që t’i marrin në celular, që të mësojnë se ku do ta shkojnë natën; Janë të moshuar që ndërsa mbajnë për krahu njeri tjetrin, tërheqin pas edhe një valixhe të vjetër, ku kanë futur ndoshta të vetmen pasuri që kanë. Duan një strehë dhe një batanije që të jenë ngrohtë, nuk kanë shumë pretendime nëse është hotel apo kapanon; familje me fëmijë të sëmurë, që halli i detyroi të dalin jashtë shtëpive.

Britmat e fëmijëve në panik janë hall më i madh për ta sa edhe vetë tërmeti. Tërmeti i nxori në shesh të gjitha, varfërinë, mizerjen, shëmtinë, abuzivizmin prej vitesh me ndërtimet, papërgatijen për t’u përballur me situata kaq emergjente, matrapazët e ndihmave, natyrën e brishtë njerëzore, kotësinë e ngrefosjes përballë fenomeneve natyrore, por mbi të gjitha solidaritetin me tepricë, që shqiptarët nuk duhet ta tregojnë vetëm në ditë fatkeqësisht, por në 365 ditët e vitit.

PANORAMA

Të fundit