E enjte, 8 Dhjetor, 2022

Përtej solidaritetit në ditë tragjike

Autor: Sefer Selimi Jr. 

28 Nëntori i këtij viti erdh nën petkun e tragjedisë për shqiptarët. Tërmeti fatal me epiqendër afër Durrësit morri më shumë se 40 jetë. Dëmet janë të mëdha edhe në aspekti material, e shtëpitë e rrënuara lanë pa kulm mbi kokë qindra familje. Bilanci: mbi 40 jetë të humbura, shtëpi e banesa të rrënuara, frikë, dhimbje, pasiguri, panik dhe lot gjithandej. 

Përderisa tragjedia erdhi e paftuar për të shpërndarë vdekje e dhimbje, ajo solli me vete edhe më të mirën e natyrës njerëzore – solidaritetin. Pamjet tmerruese të përcjella përmes ekranit nxitën reagimin e shpejtë e masiv jo vetëm ndërmjet shqiptarëve, por thuajse nga e gjithë Evropa! Miqtë e mirë shihen në ditë të vështira thonë dhe këto ditë u dëshmua që shqiptarët dhe Shqipëria kanë shumë miq. 

Rrjetet sociale u mbushën me thirrje për të mbledhur materiale bazike për të mbijetuarit duke nisur qindra furgonë me mijëra tonelata produkte të nevojshme brenda pak orësh dhe dhjetëra llogari donacionesh mblodhën miliona dollarë nga njerëz të zakonshëm. Qeveritë e vendeve fqinje thuajse njëherazi dërguan forcat speciale për të ndihmuar operacionet e kërkim-shpëtimit dhe në mbledhje të jashtëzakonshme ndanë shuma fillestare për Qeverinë e Shqipërisë. 

I gjithë ky mobilizim formal dhe joformal ishte një shfaqe e bukur në këto ditë të zymta, një shpresë në mes të gjithë këtij dëshpërimi, shumë dashuri brenda gjithë kësaj dhimbje por mbi të gjitha ishte një rizgjim i humanizmin ndonëse erdhi përmes tragjedisë. Është një rikujtim se përtej asaj mund të kemi dallime në gjuhë, në kulturë, në botëkuptime, në mirëqenien tonë financiare apo çfardo dallimi tjetër, në fund të ditës jemi të gjithë të barabartë përpara natyrës dhe nesër të gjithë ne mund të jemi në një situatë të tillë tragjike, në nevojë dëshpëruese për një dorë ndihme që mund të bëj diferencën në mes jetës dhe vdekjes. 

Natyra njerëzore ka mekanizmat e instaluara brenda nesh për të reaguar në mënyrë instiktive në situata të jashtëzakonshme, por a është kjo e mjaftueshme? A është e mjaftueshme të jemi solidar vetëm në ditë të tilla tragjike? A është e mjaftueshme që të ndihmojmë vetëm kur fotografitë ngjallin emocionin e dhembshurisë? 

Si shoqëri, si individë duhet gjithmonë ta trajnojmë veten tonë për ta mbajtur gjallë sensin e humanizmit, këtij motori të solidaritetit. Kjo botë e vrazhdë është e mbushur me shumë fatkeq që jeta nuk i ka trajtuar me më të mirën e saj dhe një dorë ndihmë mund të ndryshoj përgjithmonë fatin e tyre. 

Shqipëria ishte test i paparalajmëruar të cilin do ta kalojmë me sukses, por për ta dhënë provimin final kemi një jetë përpara plot teste të tilla prandaj kemi nevojë për solidaritet edhe përtej kësaj dite tragjike.  

Të fundit