E premte, 2 Dhjetor, 2022

NON-PAPER-I, IMPROVIZIMET DHE “KETMANI” POLITIK

Në kohën kur në skenën e brendshme politike vazhdon “ketmani” politik parazgjedhor, duket se procesi i zgjerimit, gjegjësisht hapja dhe vazhdimi i bisedimeve për anëtarësim në BE, tashmë ka kaluar në një kontekst krejt tjetër të diktuar nga Franca. Sidoqoftë, Franca, ka riafirmuar mbështetjen e qartë të perspektivës europiane për vendet e Ballkanit, por njëherësh duke afishuar idenë për negociata “ graduale dhe inkurajuese”

Autor: Bardhyl Zaimi

Në politikë gjërat nuk ndodhin sipas një agjende dhe orientimi të domosdoshëm. Maqedonia e Veriut, pavarësisht nga mburrjet e secilës qeveri, ka kohë që ndodhet në një labirint tranzicioni të përjetshëm që ka prodhuar vazhdimisht elita politike të papërgjegjshme dhe thellësisht utilitare. Në të shumtën e rasteve nuk janë zgjedhur mjetet për të ruajtur pushtetin ose për të ardhur në pushtet. Jo njëherë është trumbetuar mbi rrugën e pakthyeshme drejt BE-së, por kjo më tepër ka qenë një grafit përdorimesh populliste se sa ndonjë vizion i strukturuar që në esencë nënkupton një transformim të thelluar në gjithë sistemin institucional, i cili gjatë tërë kohës ka vuajtur nga etablimet dhe politikat partiake.

Pavarësisht nga impenjimi i përhershëm politik dhe financiar i BE-së, Maqedonia e Veriut, brenda kësaj periudhe mbi dy dekadëshe nuk ka arritur që të përbrendësojë politika të qëndrueshme, të cilat do të ishin në përputhje me të gjitha rekomandimet, të cilat janë publikuar çdo vit në raportet e komisionit europian. Qasja skematike politike, kryekëput shterpe në idenë e promovimit të praktikave europiane, ka krijuar një labirint tashmë të papërballueshëm, në të cilin rikthehen modelet e provuara të dështimeve në raport me shpresat e qytetarëve për një jetë më të mirë.

Dhe, brenda kësaj kohe është krijuar një hiper-realitetet nga elitat politike që gjatë tërë kohës shitet si një lloj “progresi” drejt vlerave europiane. Në esencë ky hiper-realitet mbetet një sajesë paradoksale e elitave politike që ngulmon të imponohet si një perceptim edhe tek qytetarët, të cilët, tashmë të ndodhur përballë një realiteti të hidhur ekonomik dhe social nuk kanë një zë për ta kundërshtuar dhe për ta dekonstruktuar si propagandë permanente. Ky hiper-realitet i hekurosur në makineritë propagandistike të elitave politike gjatë tërë kohës imponohet si “qeverisje e mirë”, varësisht se cila parti është në pushtet.

Janë po të njëjtat parti që luajnë në të njëjtën skenë absurde të dështimeve sistemore. Përplajse të pafundme politike që ruajnë brenda vetes “jetëgjatësinë” e elitave zhvatëse, që nganjëherë për arsye “parimore” edhe dinë të konvertohen dhe të ndërrojnë anë, varësisht nga koeficienti i mbijetesës dhe varësisht nga hapësira që iu jepet për të siguruar vazhdimësinë në fronet e pushtetit.

Korridoret e institucioneve janë të mbushura me këto “elita” politike dhe ekonomike që dakordësojnë një “kompromis” vazhdimësie gjithmonë në kurriz të qytetarëve dhe në kurriz të një progresi të mirëfilltë që do të duhej të ndodhte realisht brenda këtyre viteve të tranzicionit traumatik. Në mungesë të një koherence në vendsojen e praktikave të mira të qeverisjes dhe në mungesë të kapaciteteve demokratike, këto “elita të përjetshme” që dinë edhe të konvertohen, shpeshherë, pikërisht në këto korridore të zhvatjeve të pasurisë publike projektojnë ndasi të llojeve të ndryshme, të cilat më pas i zbresin në nivel qytetarësh.

Me dhjetëra herë është premtuar ndryshimi dhe me dhjetra herë është vazhduar me avazin e “ketmanit”, ashti siç e përshkruan në librin e tij, “ Mendja e robëruar”, nobelisti polak Çesllav Millosh. Padyshim, që ky lloj “ketmanit” politik është jashtë çdo perceptimi real ndaj zhvillimeve politike, ekonomike dhe përgjithësisht shoqërore që mundësojnë përafrim me standardet europiane, të cilat jo njëherë janë afishuar si rekomandime nga ana e Komisionit Europian.

Duket se këto improvizime politike që e kanë dominuar periudhën kaluar tashmë nuk do të mund të kalojnë, pavarësisht se në fazën e fushatës së hershme zgjedhore vazhdohet të diktohet po i njëjti ritual i ripërsëritjeve, i kiç politikave që vlejnë për përdorim të brendshëm, por jo edhe për një moment të ri që po shfaqet në horizont në procesin e bisedimeve me BE-në.

Franca tashmë ka dorëzuar një non-paper për vendet anëtare të BE-së, një document joformal, nëpërmjet të cilit kërkohet të ripërtrihet qasja në procesin e zgjerimit të BE-së drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.  Nëpërmjet këtij dokumenti Franca kërkon që integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen europiane të bëhet në shtatë faza dhe jo me kapituj siç ishte deri tani. Në esencë kjo qasje e re nënkupton një proces të kthyeshëm (reverzibil) dhe që ndërlidhet me faktin se nëse në një fazë të caktuar për një fushë të caktuar ka shmangie, do të thotë se procesi mund të kthehet përsëri për t’u shqyrtuar.

Qasja e re gjithashtu nënkupton një përafrimi gradual. Procesi nuk do të zhvillohet më mbi kapituj, por mbi disa faza që shteti duhet t’i kalojë sipas radhës. Sipas metodologjisë së re që është e strukturuar në shtatë fazë do të vendosen kushtet e rrepta për çdo fazë për shtetet kandidate. Indikatorët do të merren nga të gjitha institucionet europiane në fushat përkatëse dhe kryesore paraqitet situata në fushën e drejtësisë. Kjo qasje do të mundësonte përfitime të prekshme, ndërsa theksohet domosdoshmëria se përveç përfitimeve që vijnë nga pjesëmarrja graduale në politikat e BE-së, rritja e mbështetjes financiare do të shtohet edhe më tej për të shmangur influencat e huaja.

Parisi gjithashtu parashikon ndihmë shtesë financiare në procesin e para-anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo do të thotë më shumë instrumente para pranimit, por edhe qasje në fondet strukturore të rezervuara tani vetëm për vendet anëtare. Ndërkohë që ky dokument është pritur me kureshtje dhe me shumë dilemma, duket se ai në vetvete nënkupton një qasje korrekte dhe në disa aspekte mund të konsiderohet edhe i favorshëm për vendet aspirante, për shkak se paraprakisht do të kenë qasje në fondet strukturore të BE-së.

Nuk dihet se çfarë do të jetë reflektimi i vendeve tjera për këtë qasje të re në procesin e zgjerimit, por një gjë mbetet e qartë, që ky proces në të ardhmen nuk do të durojë improvizime, të cilat gjatë kohë kanë qenë të pranishme në Maqedoninë e Veriut për sa i përket përmbushjes së standardeve të kërkuara nga BE.

Mundësi e kthimit të procesit, ku theksohet se një parim i kthyeshmerisë duhet të vendoset për të adresuar situatat me të cilat vendi kandidat, tërësisht ose pjesërisht, nuk plotëson më kritere të caktuara ose pushon së përmbushuri zotimet që ka ndërmarrë.

Për qeverinë është e mirëseardhur secila ide, e cila do të kontribuojë për fillim më të shpejtë të negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe e cila do t’i bëjë negociatat më efikase. Opozita ndryshe e ka komentuar qasjen e re. Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka theksuar se me non-paper-in e Francës, rruga për anëtarësim në BE, bëhet edhe më e gjatë. Sipas tij, non-paperi tregon se kryeministri Zoran Zaev, ka shtrembëruar të vërtetën deri ku janë reformat e brendshme.

Në kohën kur në skenën e brendshme politike vazhdon “ketmani” politik parazgjedhor, duket se procesi i zgjerimit, gjegjësisht hapja dhe vazhdimi i bisedimeve për anëtarësim në BE, tashmë ka kaluar në një kontekst krejt tjetër të diktuar nga Franca. Sidoqoftë, Franca, ka riafirmuar mbështetjen e qartë të perspektivës europiane për vendet e Ballkanit, por njëherësh duke afishuar idenë për negociata “ graduale dhe inkurajuese”. 

Tashmë mbetet e qartë se procesi i zgjerimit ndodhet në një fazë tjetër të debatit të diktuar nga Franca. Nuk ka dilema se procesi i negociatave do të jetë shumë më i vështirë, por jo edhe pa efekte konkrete në rrugë e sipër. Koherenca në reforma do të jetë çelësi i suksesit në rrugën e anëtarësimit në BE. Mbase ka ardhur koha të kuptohet se pa angazhime konkrete substanciale nuk do të ketë përparime në procesin e hapjes së negociatave dhe të anëtarësimit. “Ketmani” politik mund të jetë i vlefshëm përkohësisht në skenën e brendshme, por në asnjë rast duket se nuk do të perceptohet në këtë kontekst të ri që po krijohet brenda BE-së dhe që nënkupton një matricë të verifikuar ndryshimesh në të gjitha fushat.

Të fundit