E martë, 29 Nëntor, 2022

ULET VDEKSHMËRIA E FOSHNJAVE TË LINDURA PARA KOHE

Brenda një viti numri i foshnjave të lindura para kohe në Maqedoninë e Veriut është 600. Sipas statistikave, shkalla e vdekshmërisë së këtyre foshnjave është ulur në 12 përqind, por akoma mbetet edhe shumë punë për të bërë që kjo përqindje të ulet në nivele të vendeve europiane.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Në nivel vjetor në Maqedoninë e Veriut vijnë në jetë 600 foshnje të lindura para kohe, të cilat krahas luftës për jetë e kanë të domosdoshëm edhe kujdesin e duhur. Kryeministri Zoran Zaev së bashku me ministrin e shëndetësisë Venko Filipçe, së bashku me prindërit dhe fëmijët kanë shënuan ditën e fëmijëve të lindur para kohe. Statistikat e fundit tregojnë se shkalla e vdekshmërisë te këto foshnja është ulur dhe është 12 përqind.

Së pari në repartin e kujdesit intensiv kryeministri Zoran Zaev, ministri i shëndetësisë Venko Filipçe dhe bashkëshortja e presidentit të shtetit Elizabeta Georgievska, kanë vizituar foshnjat që janë të lindura para kohe dhe që luftojnë për jetën. Ajo që dihet në vendet e zhvilluara është se shkaqet e vdekshmërisë te këto foshnja janë ulur në minimum, ndërsa te ne për dy vite janë ulur për 1 përqind. Drejtoresha e klinikës së gjinekologjisë dhe akusherisë Viktorija Jovanovska ka theksuar se janë porositur mjetet më të sofistikuara për ndihmë dhe kujdes që këto foshnja të mbijetojnë.

“Ka filluar procesi për porositjen e tre respiratorëve me frekuencë të lartë, secili në vlerë 30 mijë euro. Janë siguruar dy pastrues të ajrit në vlerë 30 mijë euro, dhe dy të tjerë janë të paralajmëruar, jemi në komunikim me ministrinë e shëndetësisë, do të sigurojmë dhe aparat të ri rëntgenit”, ka theksuar Jovanovska.

Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe ka theksuar se ndjekja e trendëve më të reja, por edhe trajnimet e vazhdueshme dhe rritja e të ardhurave të mjekëve do të kontribuojnë që shifra prej 12 përqind në të ardhmen të ulet.

“Mendoj se një shoqëri duhet të çmohet sipas asaj sa investon te të rinjtë, si në raport të të ardhurave të mjekëve të rinj, të infermiereve të reja, me qëllim që të mbeten në vend, por edhe e parë nga një këndvështrim tjetër, investimi në shëndet”, ka theksuar Filipçe.

Kryeministri Zoran Zaev ka theksuar se Maqedonia e Veriut synon të arrijë nivelin e vendeve të zhvilluara evropiane, të cilat kanë përqindje të ulët të vdekshmërisë së foshnjave të lindura para kohe.

“Në vendet e zhvilluara pothuajse të gjitha këto foshnja mbijetojnë. Qëllimi ynë është që Maqedonia e Veriut të jetë një nga ato vende. Në vitin 2016 përqindja e foshnjave të lindura para kohe ishte 25%, ndërsa sot në vitin 2019 statistikat tregojnë se përqindja është ulur dhe është 12 përqind”, ka theksuar Zaev.

Statistikat tregojnë se foshnjat e lindura para kohe të gjinisë femërore janë më të forta në krahasim me foshnjat e gjinisë mashkullore. Bëhet e ditur se 2/3 e foshnjave të lindura para kohe nuk kanë asnjë pasojë në jetë. Për mjekët pediatër këto foshnje kanë instinkt të fortë për jetë.

Të fundit