E shtunë, 28 Janar, 2023

ZIGZAG: XHEHENEM, XHANËM, XHEHENEM!

Nja 175 vjetmë parë,më 1844, kryediplomati serb i kohës, Ilija Garashanin e pati hartuar programin sekret famëkeq të diplomacisë serbe të titulluar ‘Načertanijesi një udhëzues për veprimin e politikës serbomadhe ndaj fqinjëve. Programi, thonë njohësit e rrethanave, është zbatuar në fshehtësi të plotë nga të gjitha qeveritë pasuese, deri në kohën e Titos. Ai rihapet pas vdekjes së tij, përmes Memorandumit të Akadaemisë serbe të Shkencave dhe Arteve dhe duket se rikthehet në fokus edhe tani: me projektin e ‘Mini- Shengenit’. Një port, në det, për Serbinë. Nëse jo në Ulqin, pse jo në Durrës!

Autor: Seladin Xhezairi

1.Mos qofsh në lëkurën e njerëzve të cilët duhet të vendosin për punë që u bie era hudhër, ama, mbase të zënë pisk me diçka a për diçka, nuk e vënë gishtin në kokë. Për të menduar esull. Nuk është puna të fitohen apo të humben një pale zgjedhje, xhanëm, por të ruhet fytyra! Do më thuash, kanë ndërruar kohërat, më nuk vlenë ajo ‘m’ka djegur tambli e po i fryj kosit’, por ‘mëzi i përngjanë pelës’, po të them: Më 1844 ministri i Jashtëm serb Ilija Garashanin kishte hartuar të ashtuquajturën ‘Načertanije‘Program i politikës së jashtme dhe nacionale të Serbisë në mbarim të vitit 1844’, me objektiva e udhëzime konkrete si të veprohet karshi perandorisë osmane që po jepte shpirt, çfarë lidhjesh duhej kultivuar me Rusinë dhe ç’veprime duhej bërë ndaj fqinjëve, bullgarëve, boshnjakëve, malazezëve e shqiptarëve. Angazhohet për ‘rrugë të re tregtare që Serbinë do ta çojë në det e për të atje një port të krijojë’. Kjo rrugë e vetme, sipas Grashaninit, është ajo që nga Shkodra çon në Ulqin! Pikërisht shqiptarët dhe malazezët, rikujton ai, janë popujt që mbajnë çelësat e Bosnës dhe Hercegovinës, por edhe të vet Detit të Adriatikut.

Së këndejmi, kur i dëgjon reagimet e Prishtinës zyrtare – opozitare lidhur me projektin e shumëdebatueshëm, për kosovarët, por edhe për malazezët, atë të ‘mini-shengenit’, nuk ke se si të mos risjellësh në ndërdije Programin sekret të Garashaninit. Për të nuk janë të rrallë historianët të cilët thonë se është verifikim programor i projektit për Serbinë e Madhe.

2.Rreth 30 vjet nga shpërbërja e Jugosllavisë, subjektet që përbënin ish-federatën vazhdojnë përplasjet për ndarjen e pasurisë. Këto ditë  Zagrebi zyrtar ka kërkuar nga Serbia kthimin e 148.5 milion dollarëve, konform marrëvshjes për ndarjen e pasurisë së ish-Republikës Federative të Jugosllavisë. Pala kroate pikënisje ka Marrëveshjen e Suksesionit të firmosur nga të gjitha shtetet trashëgimtare ku thuhet se në vitin 2001 është përllogaritur se nëpër llogaritë e bankave të përziera të RSFJ-së, jashtë vendit, ka pasur 645.55 milion dollarë. E përditshmja Veçernji list shkruan se dyshohet që Beogradi zyrtar shumë nga këto mjete i ka harxhuar ilegalisht. Ministria e Jashtme e Kroacisë ka bërë të ditur kërkesën se Serbia duhet t’i kompensojë. Në të njëjtën kohë, pala serbe ka përgënjeshtruar pretendimet nga Zagrebi për shumën e parave në momentin e shpërbërjes së Federatës, duke pohuar se nuk ka pasur 645, por vetëm 56 milion dollarë. Çështja e debatueshme është shtruar edhe zyrtarisht në rend dite të mbledhjes së Këshillit të përhershëm të Përbashkët për mbikëqyrjen e zbatimit të Marrëveshjes së suksesionit, këtë të mërkurë, në Zagreb. Andreja Metelko-Zgombiq, një zyrtare e Ministrisë së Jashtme ka deklaruar se ka qenë Serbia ajo që ka miratuar tërheqjen e mjeteve dhe i përket asaj të gjejë mënyrën se si ka për ta rregulluar çështjen. 

Marrëveshja për ndarjen e pasurisë së ish-federatës jugosllave është nënshkruar në Vjenë para 29 vjetësh, por deri tani kjo çështje nuk është hequr nga rendi i ditës. Komisioni për mbikëqyrjen e realizimit të saj është mbledhur deri tani vetëm pesë herë. Ai i radhës paralajmërohet të mbahet vitin e ardhshëm në Shkup. Përparime ka pasur në ndarjen pronave ku kanë qenë të vendosura përfaqësitë diplomatiko-konsullore. Ngecjet më të mëdha, ndërkaq janë në ndarjen e arit e financave, lëndëve arkivore, apo edhe të pasurive private e pronave të përbashkëta ku mbizotërojnë ato që kanë qenë në pronësi të ish-armatës jugosllave. Kosova, edhe këtu, mbetet kapitull në vete!

2.Alen Muhiq, një i ri boshnjak, gjatë një dëshmie në një tubim të organizuar në Kombet e Bashkuara për mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna seksuale gjatë konflikteve të armatosura, ka pranuar ditë më pare, se babai i tij biologjik ishte një njeri që nuk është dënuar për krime lufte – përdhunim. Media në Sarajevë njoftoi se i ati i tij biologjik ishte identifikuar si pjesëtar i forcave ushtarake serbe. Ishte gjykuar dhe, ndonëse fillimisht kishte marrë një dënim simbolik pesëvjeçar, më pas ishte liruar.

Aleni shpjegoi se ëma e kishte braktisur dy ditë pas lindjes në maternitetin e qytetit të Gorazhdes në Bosnjën Lindore. Duke folur këtu e pesë vjet më herët për një televizion të Sarajevës,  ai tha se të vërtetën e hidhur e kishte mësuar në moshën tetë-nëntëvjeçare: ‘Mund të thuhet i biri i një gruaje të përdhunuar në luftë të cilën e ka përdhuar një ushtar serb që natyrisht gjatë luftës ka mbetur shtatzënë dhe mua më lindi e më la në Gorazhde’.

Alen Muhiq ndërkohë ka krijuar familje: është martuar dhe është baba i një djaloshi trevjeçar, se punon në spitalin ku kishte ardhur në jetë, ku ishte braktisur nga nëna biologjike dhe ku ishte adoptuar nga një i punësuar i atëhershëm i po këtij spitali. Ndërkohë, para pesë vjetësh e ka mësuar edhe emrin e babait të tij biologjik. Edhe me nënën ka vendosur kontakte – për të ka mirëkuptim, por për babanë – vetëm urrejtje. Në Sarajevë, para rreth dhjetë vjetësh është themeluar një shoqatë me emrin ‘Fëmijët e harruar të luftës’. Llogaritet se në konfliktin e përgjakshëm në Bosnjë në fillim të viteve nëntëdhjetë  prej 20 deri më 50 mijë gram vajza e burra kanë qenë viktima të dhunës seksuale. /KDP

 

 

Të fundit