E premte, 7 Tetor, 2022

NJË AGORË PËR NJË PARADIGËM TJETËR MEDIALE

Debati i organizuar nga Instituti Kosovar i Medias dhe Komunikimit (IKMK) dhe Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Regjional (BIRC) ka hapur një horizont tjetër bashkëpunimesh dhe ka krijuar një sinergji profesionale për vendosjen e një paradigme të re funksionimi në hapësirën mediale. Profesionistë të medias gjerësisht kanë trajtuar gjendjen e aktuale të mediave, gjithë suazën ligjore dhe vetërregulluese. Vendet e rajonit kanë një nevojë urgjente për debate të këtilla që ridimensionojnë qenësinë e hapësirës mediale dhe bashkë me këtë edhe qenësinë e demokracisë si një hapësirë ku formësohet politika dhe qeverisja.

Autor: Bardhyl Zaimi

Bashkëpunimet rajonale tashmë po hapin një horizont të ri në identifikimin e sfidave të përbashkëta dhe afirmimin e një hapësire tjetër mediale që mbështetet në vlerat e gazetarisë profesionale. Bota e internetit ka krijuar mundësi të pafundme të qarkullimit të informacionit dhe në këtë kontekst asnjë vend nuk mund të jetë i izoluar nga produksionet mediale, të cilat vërshojnë hapësirën e botës online në forma të ndryshme.

Por, jo gjithmonë ky informacion mbështetet në principet e gazetarisë profesionale dhe jo gjithmonë është në funksion të demokratizimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor që si gjeografi dhe si mendësi përpiqen të integrohen në familjen e madhe europiane. Sfidat e gazetarisë profesionale mbeten të përhershme në të gjitha këto vende të rajonit që po e vuajnë një proces tranzicioni, secili vend me specifikat e veta.

Mediat mbeten kryeshtyllë e demokracisë, indikatori më i fuqishëm i zhvillimit dhe i progresit në drejtim të afirmimit dhe vendosjes së standardeve europiane në gjithë planimetrinë e funksionimit institucional dhe përgjithësisht shoqërore.

Edhe pse vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë kanë bërë hapa përpara në vendosjen e një suaze ligjore moderne në funksionimin e mediave, megjithatë shumë probleme akoma shfaqen si pengesë serioze për rolin aktiv dhe të mirëqenë të mediave në procesin e demokratizimit.

Trysnitë politike, favorizimet, llojet e censurës dhe autocensurës, keqpërdorimet nga media të caktuara dhe mbi të gjitha mosrespektimi i standardeve profesionale janë vrimat e zeza që përthithin konsolidimin e një hapësire mediale në vendet e rajonit. Pikërisht këto probleme dhe shumë defekte tjera në funksionimin e hapësirës mediale janë diskutuar në një konferencë në Shkup “Mediat dhe demokratizimi në Ballkanin Perëndimor”, të organizuar nga Instituti Kosovar i Medias dhe Komunikimit (IKMK) dhe Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Regjional ( BIRC).

Në dy panelë diskutime dhe në një punëtori janë shpërfaqur të gjitha problematikat dhe sfidat që ndodhen përpara konstituimit real të një hapësire mediale profesionale gjithnjë duke pasur parasysh gjithë kontekstin e evolutës mediale në një proces të rëndë të tranzicionit politik që pandërprerë ka reflektuar negativisht edhe në raportimin me theks të veçantë që prek në marrëdhëniet ndëretnike.

Një debat mjaft përmbajtjesor, pa ekuivoke, ka shpaluar në dy sesionet e konferencës gjithë anomalitë në hapësirën mediale në raportin media-politikë dhe në raportin media-standardet profesionale në veçanti mbi etikën e informimit që shfaqet komplekse dhe e dekompozuar në kontekstin e vërshimit të shfaqjeve gazetareske jashtë çdo standardi profesional. Në këtë debat gjithashtu është biseduar mbi gjithë suazën ligjore të funksionimit të mediave, e cila në letër duket të jetë mirë e shkruar, por që në praktikë nuk arrin të implementohet për shkak të devijimeve profesionale dhe për shkak të presioneve të shumta politike, të partive politike që gjithnjë insistojnë gazetarinë ta futin nën “kthetrat” e agjendave politike.

Në këtë kontekst kjo konferencë ka shpërfaqur paradoksin e dominimit të informacionit që ndërlidhet me agjendat e partive politike, duke lënë anash kështu problemet reale të qytetarëve. Kjo konferencë gjithashtu ka afishuar edhe nevojën për të kërkuar zgjidhje për problemet e shumta në sferën mediale, të cilat kanë natyrë të ngjashme në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, në veçanti në rrafshin e informimit etik dhe në rrafshin e kontrollit politik që gjithnjë e më tepër bëhet më i sofistikuar.

Është afishuar edhe nevoja që mediat të shmangin agjendat partiake dhe të kalohet në një raportim tjetër më në thellësi që i trajton problemet e qytetarëve në mënyrë objektive pa u bërë pjesë e narracioneve manipuluese të fuqisë së pushtetit. Gjithashtu është theksua nevoja e promovimit të gazetarisë si një profesion i fisëm tek të rinjtë, përkundër neglizhencës aktuale që vjen si pasojë e atakimeve të panumërta të gazetarisë nga politika që për pasojë ka krijuar një imazh të keq mbi këtë profesion.

Në gamën e gjerë të problemeve të diskutuara një vend të veçantë kanë zënë mediat online me gjithë kompleksitetin e shfaqjes së tyre dhe me procesin e vështirë, por jo të pamundur të vetërregullimit. Kaosi në hapësirën e mediave online është identifikuar si një problem më vete, por njëkohësisht është shprehur bindja se mediat online nuk duhet të demonizohen për shkak se ka nga ato që profesionalisht e kryejnë detyrën e tyre.

Gazetaria hulumtuese është parë si një domosdoshmëri për të mbërritur te një informacion më i thelluar për publikun përtej klisheve të raportimit ditor që ndalet vetëm në deklaratat shterpe të partive politike.

Përgjithësisht kjo konferencë ka arritur të identifikojë problemet dhe sfidat e mediave dhe në të njëjtën kohë ka afishuar idenë e zgjidhjeve që duhet të pasojnë nga komuniteti i gazetarëve dhe profesionistë tjerë të mediave.

Ky debat ka mundësuar të kuptohet se ne vendet e Ballkanit mediat përballen përafërsisht me probleme të ngjashme që nënkupton një pafuqi për të etabluar standarde funksionimi. Sidoqoftë, në gjithë këtë planimetri problemesh dhe vështirësish protagonistët e sferës mediale kanë shfaqur vullnetin e tyre për të vazhduar angazhimet për konsolidimin e një hapësire mediale që do t’i përgjigjet misionit të gazetarisë dhe bashkë me këtë edhe zhvillimeve demokratike në rajon. Përvojat dhe impenjimi profesional i projektuar në frymën e bashkëpunimit rajonal mund të krijojnë një sinergji tjetër në hapësirën mediale, një fuqizim të rolit të mediave në jetën institucionale dhe shoqërore.

Ky debat përmbajtësor për më tepër ka hapur një horizont të ri bashkëpunimesh dhe sinergjie që mund të kahëzojë konsolidimin e mëtejmë të sferës mediale si pjesë e pandashme e demokracisë dhe progresit. Vendosja e një paradigme të re receptimesh mediale dhe impenjimi më i fuqishëm profesional realisht mund t’i japë kësaj sfere sdandardet e duhura të profesionalizmit dhe etikës së funksionimit. Kualiteti i informacioneve e determinon edhe kualitetin e demokracisë. Vendet e rajonit kanë një nevojë urgjente për debate të këtilla që ridimensionojnë qenësinë e hapësirës mediale dhe bashkë me këtë edhe qenësinë e demokracisë si një hapësirë ku formësohet politika dhe qeverisja. Sa më e fuqishme, më e pavarur dhe më profesionale të jetë hapësira mediale aq më tepër demokracia rimerr kuptimet esenciale, të cilat politika tipike ballkanike gjithnjë i eklipson për hesapet e veta që janë në kundërshtim me interesin e qytetarëve si konstituentë të pashmangshëm të jetës demokratike.

 

Të fundit