E premte, 9 Dhjetor, 2022

ZIGZAG: MATJA ME HIJEN E MËNGJESIT

Amani, mos më thoni se nuk e keni dëgjuar këtë se ‘mendja me mendjen, pjellin mendje’! Amani, mos më thoni se ne, edhe në këtë kohë zgjedhjesh, matemi me hijen e mëngjesit! Të ndarë e të përçarë, sikur e kemi harruar atë të moçmen që thotë ‘Si më ha barin, më puno ugarin’. Me demek, që të jemi në ballë të punëve që u dalim zot!

 

Autor: Seladin Xhezairi

 

1.Haraçina një komunë e vogël afër Shkupit, në zgjedhjet e fundit, parlamentare e lokale, bëri lajm për shkak të një deklarate të një banori të saj se nuk i interesonte federalizmi, por kanalizimi! Është për t’ia lënë kohës se si e përse ndodhi, ama haraçinasit, për herë të parë, masovikisht ia dhanë verdiktin LSDM-së së Zoran Zaevit. Gati katër vjet më pas, po kjo Haraçinë, do të mund të bënte lajm me fjalën tonë të urtë ‘Si më ha barin, më puno ugarin’, pa çka se do të merrte përgjigjen: ‘kapërceva lumin e të…kalin’! Do më thuash se punët e mira vijnë ngadalë. E di se qysh tash politikanët kanë nisur të këndellen, tajfa-tajfa, në përpjekje për të marrë bajrakun e të parit. Ama sikur e harrojnë mësimin e Lipsetit se partitë, sidomos këto tonat, jo rrallë bëhen viktima ‘të revolucionit të shpresave të shtuara’. E kam fjalën për mbajtjen e premtimeve parazgjedhore dhe atë devizën kuptimplotë të partive popullore që thotë: ’Përgjegjësi morale karshi Perendisë, përgjegjësi politike para shoqërisë’! Koha shërron plagët, më nguc një mik imi duke më përballur me të vërtetën e hidhur se ‘bajraktarët’ tanë akoma nuk janë mësuar të respektojnë sovranin dhe konform kësaj edhe oponentin politik, pas përfundimit të zgjedhjeve dhe, pse jo, t’i qëmtojnë e godasin keqveprimet duke ofruar alternative e zgjidhje të tyren!

2.Kreu i Parlamentit Evropian, David Sassolli, këtë të hënë erdhi në Shkup, me fjalorin e një politikani tipik perëndimor, për të na dhënë gajret: Kemi horizont të përbashkët… Kemi shumë çështje për t’i zgjidhur, për të definuar hapësirën evropiane, çështjen e sigurisë, të përballemi me sfidat globale… Kemi të ardhme të përbashkët, e ardhmja jonë përbëhet nga po të njëjtat vlera dhe këto do të ndihmojnë ndërtimin bashkarisht të BE-së, – u shpreh Sasolli. Në të njëjtën kohë, në kuadrin e turneut rajonal, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, qëndroi edhe në Prishtinë. E atje, u raportua se si ishte zënë në befasi nga një studente e gazetarisë. Pyetja e koleges së ardhshme kosovare në fakt nuk është se s’ishte përtypur edhe më herët: ‘A keni unitet ndërmjet Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit, sepse siç e pamë DASH-i ju caktoi ju për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa presidenti Trump e caktoi ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Gjermani, në lidhje me këtë çështje?”- ishte pyetja e Ëndronida Shalës. Zyrtari I lartë amerikan mbase i zënë pisk dha përgjigjen çfarë e kemi dëgjuar, por nuk hezitoi t’i thoshte studentes se meritonte – notën dhjetë!

‘Fillimisht, mendoj se duhet të marrësh një 10-të në klasën e gazetarisë. Ishte një pyetje shumë e mirë. Përgjigja e shkurtër është: Po, ka një unitet të plotë. Ky është rast unik. Unë kam punuar në Qipro në disa vite. Kam punuar në Ambasadë dhe ne kemi pasur edhe atje një përfaqësues të posaçëm për negociatat dhe një përfaqësues të posaçëm presidencial dhe ata kanë punuar bashkë. Ambasadori Grenell dhe unë punojnë mirë dhe bashkë në pozitat tona të cilat janë të koordinuara. Mandati im është pak më i gjerë. Ai është vetëm për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Mandati im është për të gjithë rajonin,”- tha Plamer.

3.Ndërsa po shtohen zërat për një biçim pishmanllëku të presidentit francez dhe dy-tre aleatëve të tij që i thanë jo propozimit që Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëisë t’ju caktohet data për çeljen e negociatave për t’u bërë anëtarë me të drejta të plota të Bashkimit Evropian, e përditshmja e njohur kroate ‘Jutarnji list’ fundjavën që lamë pas solli një analizë për idenë e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe atij maqedonas Zoran Zaev për vendosjen e të ashtuquajturit ‘mini Shengen’ mes këtyre shteteve dhe për një të afërme të shpejt edhe krijimit të hapësirës së tregëtisë së lirë rajonale. Përtej debateve se kjo është një pjellë politike serbe, analiza e gazetës kroate mbanë titullin e gjatë po domethënës: Edi Rama profetik: ‘Nuk mundemi të jemi pengje të BE-së. Në marrëveshjen e tregëtisë dhe qarkullimit të lirë duhet të hyjnë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perendimor’! Argumentimi i Ramës është si vijon, sipas gazetës kroate: ‘Qëllimi ynë është të jemi pjesë e familjes së madhe evropiane, por përderisa ata merren me problemet e veta, ne nuk guxojmë të qëndrojmë si pengje të së kaluarës ose të disa mosmarrëveshjeve. Ne nuk jemi epërsi e BE-së. Patjetër të krijojmë prioritet për ne dhe jo vetëm nëmes të këtyre tri vendeve, por ndërmjet të gjashtë vendeve të Ballkanit Perendimor’.  Ideja nuk është se është e re, por për të do të mësohet më dhjetë nëntor, kur ideatorët e saj do të mbajnë në Ohër takimin e radhës. Të presim e të shohim! /KDP

Të fundit