ADMINISTRATORËT E DURAKUT DHE NEVOJA E VETTINGUT NË ARSIM

Si demokracia, ashtu edhe zhvillimi socio-ekonomik është i lidhur ngushtë me kualitetin e arsimit. Sa më ulët kualiteti i arsimit, aq më e lartë injoranca. Sa më e lartë injoranca, aq më i lehtë është manipulimi i votuesve nga ana e politikanëve. Sa më masiv të jetë manipulimi, aq më më desruktive do të jetë politika ndaj arsimit. Sa më i rrënuar të jetë arsimi, aq më e theksuar është varfëria e një populli. Pra, është ky një rreth i mbyllur nga ku është rëndë të dilet, pa një vetting (lustrim,)të mirëfilltë të arsimtarëve dhe profesorëve nga arsimi fillor e deri te ai sipëror.
Autor: Xhelal NEZIRI
Janë thënë shumë fjalë të mençura për arsimin, por si duket asnjëra nuk ka pasur ndikimin e duhur këtu. Nga ajo që thotë se “nëse dëshirosh ta shkatërrosh një popullin, shkatërroja arsimin“, e deri te thëniet e politikanëve vizionarë, që kanë udhëhequr popujt e tyre drejt zhvillimit të hovshëm, siç është deklarata ish-presidentit amerikan Franklin D. Roosevelt: “Demokracia nuk mund të ketë sukses nëse ata që votojnë nuk janë të gatshëm të zgjedhin me mençuri. Prandaj, mbrojtja e vërtetë e demokracisë është arsimi”.
Si demokracia ashtu edhe zhvillimi socio-ekonomik është i lidhur ngushtë me kualitetin e arsimit. Sa më ulët kualiteti i arsimit, aq më e lartë injoranca. Sa më e lartë injoranca, aq më i lehtë është manipulimi i votuesve nga ana e politikanëve. Sa më masiv të jetë manipulimi, aq më më desruktive do të jetë politika ndaj arsimit. Sa më i rrënuar të jetë arsimi, aq më e theksuar është varfëria e një populli. Pra, është ky një rreth i mbyllur nga ku është rëndë të dilet, pa një vetting (lustrim,)të mirëfilltë të arsimtarëve dhe profesorëve nga arsimi fillor e deri te ai sipëror.
A janë të paaftë dhe jokompenentë të gjithë punonjësit e arsimit, që kanë fituar punën nëpërmjet partive? Gjithsesi se jo. Përgjithësimet asnjëherë nuk tregojnë të vërtetën. Është fakt se partia ka qenë dhe mbetet derë e vetme për të fituar një vend pune, jo vetëm në arsim. Nëpërmjet partisë janë punësuar edhe kuadro të mira, por të parët që kanë zënë vendet e punës në këtë mënyrë janë njerëzit me diploma të blera, me dosje kriminale, madje edhe me probleme psikike.
Ministri i Sistemit Politik, Sadulla Duraku, e pranoi hapur në një emision debativ kur tha se “kuadri jonë që punësohet në administratë nuk di ta përpilojë një kërkesë”. Është ky një përgjithësim i panevojshëm, pasi nuk është e vërtetë se bash të gjithë nuk dinë të shkruajnë një kërkesë. Por një pjesë e mirë e tyre – po. Nga arsimi fillor, i mesëm e deri te ai sipëror kanë kaluar nëpër duart shumë arsimtarëve dhe profesorëve, midis të cilëve një numër i konsiderueshëm kanë qenë analfabetë funksionalë në lëndët e tyre. Pra deklarata e Durakut nuk është tërësisht e pavërtetë, por duhet të jetë një pikënisje e një debati të gjerë midis partive politike, akademisë dhe ekspertëve se kur dhe si të zbatohet vettingu në arsim.
A është fajtore BDI-ja e Durakut për këtë gjendje? Tema e partizimit të arsimit në Maqedoninë e Veriut është e vjetër sa edhe vetë demokracia në këtë shtet. Që nga paraqitja e partive të para në vitin 1992 dhe formimit të koalicionit qeverisës midis LSDM-së dhe PPD-së në vitin 1994 filloi edhe shndërrimi i partive politike në qendra për punësim. Kjo skemë e punësimeve partiake u intensifikua edhe më shumë gjatë qeverisjes VMRO-DPMNE dhe PDSH në periudhën 1998-2002, kurse u shndërrua në normë në qeveritë e mëparshme të të dyja partive maqedonase me BDI-në (2002-2006, 2008-2016) dhe me PDSH-në (2006-2008). As partitë e reja që nuk kanë një stazh të gjatë në pushtet – si Aleanca për Shqiptarët dhe BESA – nuk treguan një kulturë ndryshe të punësimit në arsim në komunat që i drejtojnë – Gostivar dhe Zhelinë. Fajin për këtë partizim apo shkatërrim të arsimit e kanë të gjitha partitë, proporcionalisht me kohën sa kanë qenë në një pushtet të caktuar, prej ku kanë ndikuar në përzgjedhjen e punpnjësve.
Nga ana tjetër, faji është edhe te ne si shoqëri. Nëse njëzëri do të kishim kundërshtuar këtë trend të rrezikshëm – nga i cili në planin afatshkurtër fitojnë vetëm partitë, por në planin afatgjatë humbim të gjithë – atëherë nuk do të ishim në këtë derexhe. Nëse shumica do ta kishim kundërshtuar këtë dukuri kur bëhej fjalë për punësime personale apo të të afërmve, atëherë sot nuk do të kishim kësi rrënuesish të së ardhmes tonë. Faji qëndron në pranimin si normalitet të kësaj dukurie kur bëhet fjalë për interesa personale, dhe në reagimet vetëm kur bëhet fjalë për “tjetrin” jashtë orbitës familjare apo partiake.
E në çfarë derexhe kemi rënë, e tregon testimi i PISA-s. Në krahasim me vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut ka një rënie të rrezikshme në kualitetin e arsimit fillor dhe jo vetëm. Këto numra duhet të jenë alarm i kuq për ata politikanë me vizion (nëse ka të tillë), pasi globalizimi dhe integrimi i kontinentit Evropian do t’i bëjë gjeneratat e reja jokonkurrente në tregun e punës. /KDP