E martë, 9 Gusht, 2022

MJEGULLA E “PARTNERITETIT SPECIAL” DHE “JOSHJA” EUROAZIATIKE

Në opinion po qarkullon ideja e “partneritetit special” mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE si një kompensim afatgjatë për anëtarësimin. Dhe duket se nuk ka mjaftuar vetëm kjo “mjegull” e kundërshtuar nga faktorët relevantë. Në ndërkohë Rusia u ka bërë ftesë vendeve të rajonit për anëtarësim në Bashkimin Ekonomik Euroasian. Paralajmërimet fatale duket se ngadalë po konkretizohen, tash për tash, në format delikate diplomatike.

Analizë e KDP-së

Vetoja franceze dhe mos marrja e datës për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Europian i ka vendosur në një pozitë të pa lakmueshme, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Një optimizëm i madh i dy vendeve është kthyer në një zhgënjim të jashtëzakonshëm. Në Maqedoninë e Veriut, mos marrja e datës ka prodhuar një moment të ri, që ka marrë epilog me zgjedhjet e parakohshme, të cilat priten të mbahen me 12 prill.

Pikërisht, ky moment ka rritur temperaturën edhe në skenën politike, e cila tashmë po ndodhet në një fazë të hershme fushate zgjedhore. Akuzat dhe kundër akuza mes partive opozitare dhe të pushtetit e karakterizojnë këtë periudhë që me gjasë në vazhdim e sipër do të marr tone akoma më dramatike.

I PAPRANUSHËM “PARTNERITETI SPECIAL”

Por, nuk është vetëm ky moment që e bën ambientin e këtushëm tepër të komplikuar dhe me shumë mundësi interpretimesh. Idetë për një “partneritet special” mes vendeve të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian që po qarkullojnë në opinion kanë shtruar shumë dilema në opinionin publik. Këto ide kanë dalë në opinion pas dështimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë që të marrin datën e nisjes së bisedimeve për anëtarësim në BE.

Jeton Shasivari, ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e lirë thekson se për Maqedoninë e Veriut nuk guxon të ketë asnjë alternativë tjetër përveç anëtarësimit të plotë në BE dhe NATO. Në të kundërtën, ka theksuar ai, vendi mund të përfshihet në plane të padefinuara dhe të rrezikshme të forcave më të mëdha të rajonit.

“Çfarë do lloj iniciative, apo alternativë të llojit të një partneriteti tjetër si kompensim për integrimin në BE për tërë vendet e rajonit, ka gjasa serioze dhe reale që Maqedoninë e Veriut ta përfshijë në ndonjë qëllim ose në disa plane të padefinuar të fuqive të mëdha në këtë regjion, të cilat shumë mund ta dëmtojnë Maqedoninë e Veriut edhe si shtet po edhe si shoqëri. Kjo, veçanërisht kur kemi parasysh që iniciativat e tilla ose partneritet e tilla thjesht në esencë kanë një dozë të madhe të populizmit dhe në vete nuk kanë koncepte të qarta për të mirën e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, ka theksuar Shasivari.

Për dallim nga ai, Aleksandar Kërzhallovski, drejtor i Qendrës maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtare, ka theksuar për Radion Europa e lirë se nuk është ide e keqe që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin statusin e një lloj partneriteti special në vend të anëtarësimit të plotë në BE, duke theksuar se të paktën këto vende do të përfitonin diçka nga blloku.

Ai thekson se Maqedonia e Veriut duhet të pranojë ofertën që ia ofron Brukseli.

“Nëse faktori ndërkombëtar, veçanërisht Franca si shtet mbetet në qëndrimin se për një kohë të gjatë nuk do të ketë zgjerim të BE, atëherë kjo mbetet si alternativë. Është e kuptueshme se të gjitha forcat politike në Maqedoninë e Veriut, qartë kanë theksuar se mbeten në përcaktimin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”.

“Por, nëse nuk ka alternativë tjetër, atëherë duhet të hapet debate edhe për një mundësi që mbase zyrtarisht ende askush nuk e ka theksuar, por për këtë opinion duhet të njoftohet drejtë”, thekson Kërzhallovski.

Ndërkaq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka theksuar se për të nuk është e pranueshme asnjë alternativë tjetër përpos anëtarësimit të plotë të shtetit në BE, duke hedhur poshtë njoftimet se Brukseli po përgatit një “zonë ekonomike evropiane” për vendet e Ballkanit pasi në samitin evropian, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, nuk arritën të marrin datën e bisedimeve për anëtarësim për shkak të kundërshtimit të Francës.

“Vendi ynë është në BE dhe nuk do të pranojmë asnjë ofertë tjetër. E gjithë bota flet për ne për atë që kemi bërë. Ne kemi përmbushur detyrimet tona dhe e kemi merituar hapjen e bisedimeve. Ne duam atë që meritojnë dhe asgjë tjetër. Nuk pranojmë asnjë alternativë tjerë, pakte, partneriteti, projekte ekonomike. Ne jemi për anëtarësim të plotë në BE”, ka theksuar Zaev.

“GRISHJA” PËR ANËTARËSIM NË EEU

Mes kësaj mjegulle që po rrotullohet në opinion për një “partneritet special”, këtyre ditëve nuk ka munguar edhe një ftesë nga ana e Rusisë për anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Ekonomik të Euroazisë.

Bashkimi Ekonomik Eurasian (EEU) ka ftuar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që t’i bashkohen këtij grupimi. Thirrja është bërë nga Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në BE, Vladimir Chizhov, gjatë Forumit Ekonomik Eurasian në Verona, Itali.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të gjejnë mirëkuptim më shpejt në EEU sesa në BE”, ka theksuar diplomati rus.
Chizhov ka theksuar se “unë jam i sigurt se vendet, të cilat janë kandidate për anëtarësim në BE dhe së fundmi janë” vënë në akull “nga Brukseli “mund të kenë më shumë benefite në EEU”.Ftesa e Rusisë për vendet e Ballkanit për t’u anëtarësuar në EUU vjen vetëm disa ditë pas një vendimi negativ nga presidenti francez Emmanuel Macron. Ndërkohë Bjellorusia është i vetmi vend evropian që po merr pjesë në EEU.

Kryeministri Zaev Brenda kohës është prononcuar, jo pa ironi, për këtë ide që qarkullon në opinion. Ai ka përgënjeshtruar zërat për ftesë që Maqedonia pas moslarjes së datës për fillim të negociatave t’i bashkëngjitet “Bashkimit Euroazian” duke theksuar se në Qeveri nuk ka arritur asnjë ftesë për anëtarësimin e Maqedonisë Veriore në Unionin Ekonomik Euroaziatik (EAEU).

“Me siguri ka ndonjë membranë mbrojtëse, mur rreth Qeverisë, dhe është e vështirë të arrihet në një thirrje të tillë. Sepse nuk më shkon as ndërmend një punë e këtillë. Jo, nuk kemi ftesë të këtillë dhe shpresoj se që as do të arrijë”, ka theksuar Zaev duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve nëse pas mos marrjes së datës për fillimin e negociatave me BE-në, vendi ka marrë ftesë për inkuadrim drejtë EAEU.
Vetoja franceze ashtu siç ishte paralajmëruar edhe nga shumë përfaqësues tjerë europianë, do të krijojë shumë hapësirë për “ide” të “ftohta”, por edhe për “grishje” nën një ombrellë tjetër, ku ndikimin më të madh e kanë vendet që nuk janë anëtare të BE-së. Tash për tash ftesat e tilla janë plot “delikatesë” diplomatike”, por nuk përjashtohet mundësia që brenda kohës të “përpunohet” terren për impenjime shumë më të mëdha.

Përfaqësues qeveritarë në Maqedoninë e Veriut kanë theksuar zëshëm se e ardhmja e vendit është vetëm në BE. Këto janë deklaratat e standarde, të cilat dalëngadalë do të shkrihen në retorikat e fushatës parazgjedhore, e cila me siguri përveç kësaj teme do të shpërfaq edhe tema tjera “goditëse” mes partive politike.

Të fundit