E premte, 7 Tetor, 2022

A KA MAQEDONIA E VERIUT NJË PLAN PËR ZVOGËLIMIN E NDOTJES SË AJRIT?

Shumë herë janë ripërsëritur masat për zvogëlimin e ndotjes, por qytetet në Maqedoninë e Veriut mbeten kampione të ndotjes në nivel botëror. Qeveria thotë se ka ndërmarrë masa afatgjate, ndërkohë që opozita akuzon se asgjë nuk është ndërmarrë në këtë drejtim. Shoqatat joqeveritare me kohë kanë alarmuar mbi pasojat fatale të ndotjes së ajrit.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Qytetet e Maqedonisë së Veriut renditën ndër qytetet me ndotje enorme të ajrit. Pjesë e kësaj liste këtyre ditëve është bërë edhe qyteti i Kumanovës, i cili është renditur në vendin e parë në listën e botërore të vendeve me ajër më të ndotur. Nuk janë larg edhe qytetet tjera, të cilët gjithashtu në periudhën para fillimit të dimrit shënojnë ndotje enorme.

Për ndotjen është debatuar edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Një debat i tensionuar është zhvilluar mes opozitës dhe pushtetit. Deputetët nga partia opozitare VMRO-DPMNE e kanë pyetur kryeministrin Zoran Zaev nëse VMRO-DPMNE është fajtore për ajrin e ndotur, ndërsa kryeministri Zoran Zaev është përgjigjur se qeveria ka marrë masa afatgjate për zgjidhjen e kësaj çështje, e cila deri para 2 vite e gjysmë ishte “tabu temë”. Kryeministri ka theksuar se një ekip qeveritar është në koordinim me MPB-në dhe të gjithë inspektoratet për menaxhim me zjarret.

Shkupi do të bëhet me tramvaj elektrik, që do të kushtojë 100 milionë euro, ka theksuar kryeministri Zoran Zaev, në përgjigjen etij mbi ndotjen. Deputeti nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Dragan Danev, ka pyetur Zaevin nëse edhe pas tri viteve në pushtet ende mendon se partia e tij është fajtore për problemin me ndotjen.

“Shkupi këtyre ditëve është kampion evropian në ndotjen e ajrit. Në cilën fazë është gazifikimi i spitalit në Çair dhe në konviktin e studentëve ‘Kuzman Josifovski-Pitu’, pse vonohen subvencionet për kondicionerët invert. Mjaft me përgjigjet tuaja që fillojnë me “Do të”.”, ka theksuar Danev.

Kryeministri Zoran Zaev ka theksuar se tema për ndotjen e ajrit deri para 2 viteve e gjysëm ka qenë “tabu temë”. Sipas tij, qeveria po investon në zgjidhje afatgjate, ndërsa ka bërë të ditur se ka thirrur në takim të gjithë inspektorët kompetentë.

“Nga qeveria e kaluar nuk u bë asgjë për gazifikimin. 83% e punëve të parashikuara për gazifikimin janë të përfunduara, të gjitha komunat kanë për detyrë të bëjnë projekt dhe model, sipas të cilit gazi do të arrijë te qytetarët. Në vitin 2020 rrjeti sekondar dhe terciar do të fillojë të ndërtohet në komunat më të mëdha. Në qytetin e Shkupit do të vendoset tramvaji elektrik me goma, për çka janë të nevojshme 100 milionë euro. Do të ngremë një linjë kredie që të mund të implementojmë transport ekologjik si masë kundër ndotjes”, ka theksuar Zaev.

Ai ka bërë të ditur se është formuar një ekip qeveritar që është në koordinim me MPB-në dhe të gjitha inspektoratet për ballafaqim me zjarret në ambientet e hapura. Ai ka njoftuar se janë siguruar 15 milionë euro për luftë kundër ndotjes. Këto ditë Shkupi, Tetova, Manastiri dhe Kumanova janë qytetet më të ndotura në vend. Problemi me ndotjen rishfaqet çdo vit, sidomos gjatë periudhës së dimrit, kur ka ulje temperaturash. Shoqatat qeveritare me kohë kanë alarmuar për ndotjen enorme dhe gjatë tërë kohës kanë kërkuar masa konkrete. Deri më tani gjithçka ka mbetur në nivele iniciativash, por që nuk kanë gjetur masat e duhura për zvogëlimin e ndotjes.

Para opinionit, ekspertë të shumtë kanë prezantuar të dhëna tronditëse për pasojat e ndotjes mbi qytetarët. Sipas tyre, një numër i madh i qytetarëve tashmë vuajnë nga sëmundje të ndryshme që vijnë si pasojë e ajrit të ndotur.

Të fundit