E enjte, 18 Gusht, 2022

Na jepni zgjidhje dhe jo edhe një palë zgjedhje!

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Caktimi i datës për zgjedhje të parakohshme në Prill të 2020, vendosi në lëvizje motorët partiak duke paralajmëruar një fushatë të gjatë parazgjedhore dhe me shumë gjasë të ashpër për të fituar pushtetin e ardhshëm. 

Nëse shkon gjithçka siç duhet, Maqedonia e Veriut do të hyj në zgjedhje si anëtare e NATO-s, që ishte një nga dy prioritet strategjike qysh nga mëvetësimi i saj nga Jugosllavia. Vetoja franceze e Presidentit Macron për hapjen e negociatave ishte një grusht i fortë për përcaktimin e dytë strategjik, anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ky grusht do të dominoj sipas gjitha gjasave edhe retorikën dhe narativin parazgjedhor nga të gjitha palët, duke u munduar të poentojnë politikisht përmes ‘’lojës së fajtorit’’. Por i gjithë ky master-narativ rrezikon të heq nga fokusi debatin e qenësishëm për problemet jetike me të cilat përballen qytetarët dhe garën ta vendos mes zgjedhjes PËR ose KUNDËR qeverisë. 

Megjithëse nuk do të mund t’i ikim të njëjtës, partitë opozitare, e posaçërisht partitë politike opozitare tek shqiptarët nuk duhet të bien në këtë grackë siç kanë rënë vite me radhë. Opozita ka nevojë të jashtëzakonshme për ta ndryshuar veprimtarinë e vete opozitare dhe ofertën me të cilën iu qaset votuesve. Konceptet e instaluara nga partitë që dominuan skenën politike 20 vitet e kaluara prodhuan të njëjtin rezultat, duke instaluar një pushtet dhe një opozitë të përjetshme, prandaj ata duhet të mendojnë se si të mos jenë vetëm zëvendësuesit e asaj opozitës të përjetshme, por një alternativë e vërtetë qeverisëse që do ta nxjerr votuesin shqiptar nga status quo-ja dydekadëshe. 

Ikja nga klientelizmi partiak – Fitorja në terrenin e huaj është gjithmonë shumë më e vështirë, prandaj ikja nga klientelizmi politik duhet të jetë beteja e parë që opozita shqiptare duhet ta fitoj me mentalitetin politik. Oferta politike duhet të bazohet mbi shanset e barabarta, luftën kundër diskriminimit mbi çdo bazë të përkatësisë, përfshirë edhe përkatësinë partiake, instalimin e meritokracisë dhe jo mbi bazat e premtimeve individuale për punësime në administratë të shtetit nga padronët lokal partiak, për tendera dhe qasje në privilegjet që t’i jep pushteti. 

Probleme reale të qytetarëve – Ikja masive e të rinjve dhe qytetarëve të këtij shteti nuk bëhet vetëm për arsye ekonomike, por nga shumë faktor të cilët drejtpërdrejtë ndikojnë në mirëqenien e përgjithshme, respektivisht mirëqenien individuale. Opozita e ka të lehtë – identifikimi i këtyre faktorëve dhe qasje serioze me zgjidhje konkrete është program alternativ për qeverisje. Hamendësimet, kritikat boshe dhe pa zgjidhje konkrete janë recept për të ngel në opozitë. Komoditeti i status quo-së edhe në raste kur është  i dëmshëm, është shumë më i pranueshëm se një ardhme e panjohur, prandaj për ta sfiduar të njëjtin qytetari i zakonshëm kërkon parashikueshmëri, sa më të qartë dhe sa më pragmatike se ajo do të jetë më e mirë se sa e tashmja. 

Nuk mjafton vota kundër– Koncepti politik i opozitës deri më tani është bazuar mbi konstatimin e gjendjes aktuale duke vënë theksin në pafundësi mbi të këqijat. Kjo mjafton për të krijuar depresion kolektiv dhe shpesh rezulton me një pakënaqësi shoqërore, e cila pakënaqësi nëse nuk arrin të kanalizohet në kapital politik kthehet si bumerang i dëshpërimit social nga  cili nuk përfiton askush, madje as opozita. Njeriu udhëhiqet nga shpresa dhe shpresa është i vetmi katalizator që mund të sjell ndryshimin. Në qoftë se opozita nuk arrin që pakënaqësitë sociale t’i përkthej në shpresë për qytetarët do të jetë e kufizuar vetëm brenda taborit të vet partiak për të mobilizuar militantët të cilët edhe ashtu e kanë të ndarë mendjen. Vota KUNDËR nuk do të jetë asnjëherë alternativë qeverisëse.  

Nga nacionalizmi folklorik në patriotizëm pragmatik – Ballkani është i njohur për nacionalizmin e tij i cili kryesisht është populist, folklorik dhe manipulativ. Të këndosh një këngë të njohur për publikun mbase mund të marrësh duartrokitje, por kjo të bën vetëm edhe një interpretues tjetër në skenë që nuk prodhon vlera të reja shoqërore. Liderët e përgjegjshëm nuk flasin atë që do ta dëgjoj populli, por flasin për atë që i duhet popullit pavarësisht preferencave momentale të publikut. Shkëputja nga nacionalizmi folklorik që prodhon vetëm ndarje dhe armiqësi dhe zëvendësimi i tij me patriotizëm pragmatik që adreson problemet reale të qytetarëve, që bazohet mbi vlerat e individit si pjesë e shoqërisë dhe jo privilegjet mbi bazë të përkatësisë, që ka në thelb të veprimit politik integritetin personal dhe profesional përmes shembujve individual, është rruga që duhet të ndjek opozita. Një fitore populiste mbase mund t’i sjell në pushtet, por shuplaka e ndëshkimit është shumë më madhe se privilegjet momentale që të ofron pushteti.  

Demokracia është sistemi më i vështirë politik që vjen me shumë dëshpërime nga momenti në moment, por thelbi i saj qëndron në konkurencën e ideve, koncepteve dhe vizioneve. Ofertat mediokre politike mund të jenë zëvendësim, por jo edhe ndryshim për të cilin qytetarët kanë dëshpërimisht nevojë. 

Kësaj radhe na jepni zgjidhje dhe jo edhe një palë zgjedhje! 

Të fundit