E martë, 9 Gusht, 2022

Dhjetë librat më të rëndësishme feministe të viteve të fundit: të përzgjedhura, të lexuara dhe të analizuara

Verën që shkoi unë vetëm kam lexuar. Pa marrë parasysh ku kam qenë – pranë liqenit, në tren apo në livadh -, përherë me vete kisha një libër. Shoqet e mia u ankuan se librat më kishin absorbuar paksa, por kjo aq më bënte, sepse unë isha nisur në një mision.

Misioni im ishte t’i lexoj (sërish) dhjetë librat më të rëndësishme feministe të viteve të fundit dhe të shkruaj për çështjet më thelbësore të tyre.

Kohëve të fundit shpeshherë më pyesin se çfarë dëshiron lëvizja feministe dhe a mos e ka tepruar pak me grevat e grave (si në Zvicër, vër. e përkth.) dhe tualeteve «unisex» (për të gjitha gjinitë). Shpesh nuk e di fare se çfarë të them, sepse e di se sa shumë janë shtrembëruar kërkesat thelbësore të feminizmit – përmes ngatërresave të përhershme në Twitter dhe polemikës së përgjithshme në debat.

Rrjedhimisht, mendova se si mund të shkëputem për një çast nga frazat si #MeToo apo gjuha e përshtatshme për gjinitë, të cilat i acarojnë të gjithë – që të flasë për gjërat vërtet të mëdha. Për vizionet që e përbejnë feminizmin. Kështu më lindi ideja të prezantojë dhjetë libra dhe tezat e tyre, të cilat, sipas mendimit tim, nga viti 2011 më së shumti e kanë inspiruar lëvizjen feministe. Bëhet fjalë për bestsellerë të autoreve, të cilat nuk janë të interesuara për të fituar kacafytje në Twitter, por për të ilustruar një shoqëri të re.

«Tregu i mishit» (Meat Market) nga Laurie Penny

Libri i parë në listën time është «Tregu i mishit» (botuar më 2011) i marksistes britanike Laurie Penny. Është libri i parë «radikal» feminist, që e kam lexuar në jetën time. E kam konsideruar libër të mirë kur kam qenë 18-vjeçare dhe e konsideroj të mirë edhe sot. Nuk është aq e befasishme që autorja ëndërron një botë më të drejtë – por për habi ajo për këtë ia fillon me kultin tonë të trupit. Obsesionin tonë me gratë trupholla Penny nuk e përshkruan si ideal bosh të bukurisë, por thotë: aty fshihet diçka më shumë. Pas presionit për dietë qëndron mesazhi i përgjithshëm: gratë nuk duhet të zënë vend. Në shoqërinë tonë gratë ushtrohen për t’i heshtur nevojat e tyre – nuk duhet të hanë, por as të bëjnë diçka kundër që gati të gjitha kryejnë punë pa pagesë: fshijnë, hekurosin, kujdesen për prindër dhe edukojnë fëmijët. Tejet impresionues është ky skenar. Penny thotë: a mund të merrni me mend se çfarë do të ndodhte nëse një mëngjes do të zgjoheshin të gjitha gratë dhe do të ndiheshin mirë në lëkurën e tyre? Pastaj a) do të pësonte kolaps industria miliardëshe e bukurisë. Dhe b) kapitalizmi do të kishte një problem, sepse për të është shumë praktike që ekziston gjinia e «dobët», e cila falas kryen punët që lidhen me përkujdesje. Për të ndryshuar botën, thotë Penny, gratë duhet të mësojnë të thonë jo. Jo urisë. Jo iluzionit se je e lumtur nëse je truphollë. Jo urrejtjes kundër mishit tënd. Jo arkivolit të ngushtë të rolit të gruas.

Citati më i rëndësishëm nga kjo vepër: «Jetojmë në një botë, e cila e pëlqen trupin jorealist të gruas dhe e urren pushtetin e vërtetë të gruas».

«We Should All Be Feminists» (Të gjithë duhet të jemi feministë) nga Chimamanda Ngozi Adichie

Këtë libër e lexova vetëm për shkak të Beyoncé. Këngëtares i kishte pëlqyer aq shumë, saqë disa citate i përdori në këngën e saj «Flawless», ndërsa mua më pëlqeu kënga aq shumë, saqë patjetër dëshiroja të lexoja tekstin. Teksti nuk i pëlqente vetëm Beyoncé. Libri i botuar më 2014 u përkthye në 37 gjuhë, marka e produkteve luksoze Dior prodhoi një T-Shirt me sloganin «We should all be feminists», në Suedi libri u shpërnda në të gjitha gjimnazet. Mendoj se suksesi ndoshta ka të bëjë me atë se shkrimtarja nigeriane është shumë pajtuese dhe që në fillim të tekstit sqaron se ajo nuk është feministe e mllefosur, por një «feministe e lumtur afrikane, e cila nuk i urren burrat dhe buzëkuqin e bart vetëm për qejf të vetin». Megjithëkëtë, ajo kërkon gjëra fare të mëdha duke thënë: dua një botë pa klishe gjinish. Ngozi Adichie mendon se klishetë nga kufizojnë si «kafaze të hekurta». Ajo kërkon një botë me plot njerëz të lumtur, ku vajzat nuk edukohen për të qenë përherë vetëm të mirësjellshme dhe prej burrave nuk pritet që të jenë përherë vetëm trima.

Citati më i rëndësishëm nga kjo vepër: «Problemi me rolet gjinore është se ato na diktojnë si duhet të jemi në vend se të na pranojnë siç jemi».

Pas dy librave të para bie në sy se dy mendimtaret – Laurie Penny, marksistja me flokët ngjyrë rozë, dhe Chimamanda Ngozi Adichie, shkrimtarja elegante, përdorin metafora të ngjashme kur flasin për rolet gjinore. Njëra thotë «arkivol i ngushtë», tjetra «kafaz i hekurt».

Ky motiv përshkon të gjitha librat. Pa marrë parasysh nëse autoret nisen nga të dy gjinitë apo nëse tërheqin vëmendjen se kjo ndarje strikte e gjinive është pjesë e problemit – porosia përherë është kjo: rolet gjinore të bëjnë të palumtur – sidomos gratë, meqë ato duhet të sillen sikur janë më të vogla se ç’janë në të vërtetë.

«Kur burrat ma shpjegojnë botën» nga Rebecca Solnit

Favoriti im! Librin «Kur burrat ma shpjegojnë botën» të Rebecca Solnit-it e kam lexuar me siguri pesë herë. Leximi ia vlen vetëm për shkak të gjuhës së shkëlqyeshme. Kjo përmbledhje esesh fillon me një ndejë në Aspen. Njerëzit janë paksa monotonë, Solnit fillon një muhabet me një «burrë impozant». Ai i flet për një libër të rëndësishëm. Dikur ajo e vëren se ai po flet për një libër, të cilin e ka shkruar ajo. I tregon se e ka shkruar ajo, por atij burrit kjo nuk i bën përshtypje dhe vazhdon të flasë.

Duke u nisur nga kjo situatë Solnit përshkruan fenomenin e burrave egoistë që pa i pyetur kush ua shpjegojnë grave botën. Por çështja që problematizon ajo tejkalon këtë situatë triviale. Mesazhi i saj është se e drejta për të folur – dhe e drejta për t’u dëgjuar – për burrat dhe gratë e kësaj bote është e ndarë në mënyrë të pabarabartë. Gratë shpesh nuk guxojnë të ngrenë zërin. Atyre më shpesh u ndërpritet fjala. Besueshmëria e tyre vihet në dyshim ose ato me dhunë detyrohen të heshtin. E drejta e grave për të folur kufizohet në situata të parrezikshme po aq sa edhe në situata të rrezikshme. Për këtë arsye Solnit synon një shoqëri në të cilën të gjithë kanë një zë. Jo vetëm të pushtetshmit. Pak pasi u botua eseja (të cilën ajo më vonë e zgjeroi në librin «Kur burrat ma shpjegojnë botën»), shumë njerëz filluan ta quajnë këtë fenomen «mansplaining», që afërsisht domethënë: «burrat shpjegojnë». Para së gjithash në internet qarkullojnë dhjetëra stripa, fenomene interneti (Memes) dhe tekste të ashpra, të cilat kritikojnë apo demaskojnë burrat arrogantë. Solnit u distancua nga ky nocion, sepse nuk dëshironte assesi të kuptohej sikur paskësh thënë se të gjithë burrat janë të tillë. Fakti që nocioni «mansplaining» filloi të përdoret menjëherë, thua se ishte gjëja më e vetëkuptueshme në botë, tregoi se eseja e Solnit-it po thoshte atë që shumë gra dëshironin ta thoshin.

Citati më i rëndësishëm nga kjo vepër: «Shumica e grave luftojnë në dy fronte – njëherë për apo kundër një çështjeje specifike dhe njëherë thjesht për të drejtën që të shprehin mendimin e tyre».

«Gruaja e fuqishme (potente) – për një feminitet të ri» nga Svenja Flasspöhler

Ka zëra që thonë se viteve të fundit feminizmi e ka tepruar. Kritike dhe kritikë që mendojnë se lëvizja feministe ka goditur përtej cakut, sepse ka qenë histerike, e komplikuar apo tepër akademike. Njëra prej tyre është gazetarja gjermane Svenja Flasspöhler, e cila në librin e saj «Gruaja e fuqishme (potente) – për një feminitet të ri» i qëron hesapet me lëvizjen #MeToo. Flasspöhler shkruan se #MeToo ka qenë kontraproduktive për feminizmin dhe të drejtat e grave në përgjithësi, sepse ndikon në forcimin e klishesë së gruas që ka nevojë për mbrojtje dhe burrit potent, agresiv. Autorja konsideron se «denoncimi i mëvonshëm» i sulmeve është joemancipues, sepse kështu gratë duan të ngjallin dhembshuri vetëm si viktima. Ajo pyet drejtpërdrejtë: «A është kjo goditje e ngathët me të vërtetë kuptimi i vetëpërgjegjësisë dhe emancipimit, me të cilat duan t’i pajisim bijat tona?» Ajo është shprehimisht edhe kundër ligjeve më të ashpra për penalizmin e delikteve seksuale, sepse hapa të tillë, sipas saj, «infantilizojnë» seksualitetin femëror. Po ashtu ajo mendon se feminizmi akademik e ka tepruar me dekonstruktimin e gjinisë. Nëse thuhet se gruaja nuk ekziston, si të merresh pastaj me aktivizëm? Siç sugjeron titulli i librit, zgjidhja që ofron autorja është kjo: gruaja e fuqishme (potente). Gruaja që synon Flasspöhler ka vullnet të fuqishëm, epsh autonom dhe nuk ka nevojë për hashtaga, as role të viktimës. Ajo është kundër idesë që gratë duhet të çlirohen nga patriarkati. Kush dëshiron te çlirohet, këtë le ta bëjë vetë.

Citati më i rëndësishëm nga kjo vepër: «Na duhen dy gjini të fuqishme (potente), të cilat takohen në shumëllojshmëri».

Çfarë më preokupon më së shumti gjatë leximit është mospajtimi i autoreve sa i përket strategjisë së «duhur». Ndërsa Flasspöhler ua kujton grave obligimin e tyre për t’u bërë më të guximshme dhe vetëbesuese, Penny apo Solnit fokusohen pothuaj tërësisht te shoqëria, te «struktura». Shpesh thirrja për të qenë aktive intuitivisht ka më shumë kuptim, sepse fjala «strukturë» është vështirë e kapshme dhe duket si një shpikje e disa aktivisteve të ashpra. Për këtë arsye tani radhën e kanë dy libra që e shqyrtojnë më afër këtë nocion.

«E lirë atje poshtë» (Untenrum frei) nga Margarete Stokowski

Autorja është aktualisht ikona më e rëndësishme feministe e Gjermanisë. Kolumnën e saj në «Spiegel Online» çdo javë e lexojnë miliona njerëz, ndërsa libri i saj i parë «E lirë atje poshtë» (Untenrum frei) (2016) gjendet në librari në ribotimin e pestë. Është një libër për të cilin urgjentisht kam pasur nevojë si 16-vjeçare, sepse aty bëhet fjalë për kozmetikë, seks dhe dyshime në vete – të gjitha ato gjëra me të cilat gratë e reja përballen dikur dhe të cilat janë bajagi ambivalente. Margarete Stokowski tregon, për shembull, se si 4-vjeçare ishte aksidentuar me biçikletë dhe nuk e dinte se t’u tregonte prindërve se kishte dhimbje «mes këmbëve». Nuk gjente fjalë për këtë (ndërsa e dinte saktë se te djemtë quhet penis). Ajo shkruan po ashtu se fillimisht seksin e shihte si diçka shumë të çuditshme, sepse nga revistat si «Bravo Girl» në të vërtetë e dinte se si duhet ta kënaq djalin, por nuk mund të formulonte pyetje për veten e saj. Stokowski nuk kërkon një grua potente si Flasspöhler, por përpiqet të zbulojë se si ide të tilla nguliten në kokat tona.

Të gjitha këto sjellje «femërore» (shtrëngimi i paqartë që të sillesh mirë ndaj të gjithëve, ndjenja e obligimit për t’u dukur përherë e bukur etj.) për autoren janë manifestime të pushtetit. Ajo mendon se në patriarkat sundimi nuk funksionon vetëm përmes shtrëngimit nga jashtë siç është dhuna, por edhe përmes rregullave, të cilat i kemi përvetësuar pavetëdijshëm dhe nuk i perceptojmë si të tilla. Stokowski mendon si Adorno, i cili mendonte se nuk ka «jetë të vërtetë në të rrejshmen». Andaj ajo nuk u bën thirrje grave që të jenë vetëm më të guximshme, por kritikon edhe parakushtet e përgjithshme, të cilat i kufizojnë gratë. Synimi i saj është një botë e çliruar, në të cilën nuk ka dhunë ndaj të margjinalizuarve, por as shabllone mendimi që duan të na e mbushin mendjen se si duhet të bëjmë seks, si duhet të mendojmë, flasim apo të dukemi.

Citati më i rëndësishëm nga kjo vepër: «Feminizmi nuk është lëvizje, e cila shtrëngimet e vjetra dëshiron t’i zëvendësojë me shtrëngime të reja. Është një betejë kundër shtrëngimeve dhe për më shumë vendime të lira, të marra vetë».

«Gratë dhe pushteti» nga Mary Beard

Një autore tjetër që na shpjegon se pse është aq vështirë për gratë që të emancipohen brenda këtij sistemi të «rrejshëm» është Mary Beard. Historiania e kohës së lashtë (e cila disi ia arrin që të entuziazmojë një publik milionësh për antikën) në librin e saj «Gratë dhe pushteti» (2017) se përjashtimi i grave nga pushteti nuk është fenomen i së tashmes, por ka një histori më shumë se dymijë vjeçare. Nga njëra anë gratë që në Romën e lashtë nuk lejoheshin të paraqiteshin publikisht, sepse kjo aftësi ndërlidhej me pushtetin dhe maskulinitetin, dhe nga ana tjetër motivi i gruas së heshtur ka qenë gjithandej i përhapur.

Te «Metamorfozat» e Ovidit, për shembull, Jupiteri e shndërron Io-n në lopë, e cila di vetëm të pëllas; nimfa Eho dënohet të përsërisë vetëm fjalët e të tjerëve; ndërsa princeshës Filomela ia shkurtojnë gjuhën. Beard thotë: pasi që gratë që nga antika realisht dhe simbolikisht janë mbajtur larg pushtetit, për to sot është vështirë ta përvetësojnë arenën publike. Porosia e Beard është kjo: nëse vërtet duam që zëri i grave të merret parasysh, ne duhet të ndryshojmë thellësisht përfytyrimin tonë mbi autoritetin. Gratë nuk mund të futen thjeshtë në një strukturë, e cila është ndërtuar nga burrat dhe për burrat.

Citati më i rëndësishëm nga kjo vepër: «Nëse gratë nuk merren parasysh brenda strukturave të pushtetit, a nuk duhet që në vend të grave të ridefinohet pushteti?»

«Lean In» nga Sheryl Sandberg

Një grua që nuk çan kokën nëse strukturat e pushtetit janë të papërshtatshme dhe nuk kanë vend për gratë, është Sheryl Sandberg, menaxhere operative e Facebookut. Përkundrazi, ajo synon që gratë në rrethanat ekzistuese të luftojnë për të zotëruar gjysmën e pushtetit të tyre. Doracaku i saj «Lean In» (2013) deri më tani është shitur më shumë se 4 milionë herë, «New York Times» e ka quajtur atë një «kthesë», dhe me sa duket ky doracak e ka ndryshuar përgjithmonë imazhin që gratë kanë për veten e tyre. Sandberg nuk i sheh gratë e tjera si konkurrente, por si bashkëluftëtare për çështjen e njëjtë.

Tri këshillat e saj më të rëndësishme janë: ngulni këmbë për të ecur përpara, bëhuni të dukshme, zini hapësirë kurdo që kjo është e mundshme në përditshmërinë e profesionit. Kujdesuni që partnerët tuaj të kryejnë po aq punë në shtëpi sa ju. Dhe: mos e kufizoni veten për shkak të një fëmije të mundshëm. Kufizojeni veten vetëm pasi të lindni beben – vetëm kështu mund të jeni të suksesshme si unë. Si Flasspöhler edhe Sandberg mendon se gratë vetë duhet të marrin në dorë çështjet e tyre dhe të fillojnë të ndryshojnë jetën e tyre. Po ashtu ajo është e bindur se gratë në pozita udhëheqëse do të angazhohen edhe për gratë më pak të arrira, kështu që vetëpërgjegjësia dhe barazia do të «depërtojnë» nga lart poshtë. Motoja e saj është kjo: duhet të emancipohemi për t’i çmontuar mekanizmat e pushtetit – dhe jo: duhet t’i çmontojmë mekanizmat e pushtetit për t’u emancipuar. Unë mendoj: ndoshta duhet t’i bëjmë të dyja.

Citati thelbësor nga kjo vepër: «Kemi arritur cakun kur burrat kryejnë gjysmën e punëve në shtëpie dhe gratë udhëheqin gjysmën e ndërmarrjeve».

Pas librit të shtatë e kuptoj gjithnjë e më mirë se përse ka njerëz që mendojnë se feminizmi ndërkohë është bërë tepër i ndërlikuar. Sidomos shumëllojshmëria e temave me të cilat përballem është e lodhshme (Ovidi, heqja e qimeve, seksi, kapitalizmi, gjuha, takimet e bordeve). Njëkohësisht mendoj se feminizmi nuk mund të akuzohet për këto kundërthënie, sepse e mira e feminizmit është shumëllojshmëria e tij. Disa duan më shumë gra në postet drejtuese në ndërmarrje, të tjerët rrogë të garantuar pa kushte – dhe kjo është shumë e drejtë. Feminizmi përherë ka qenë një grup njerëzish që diskutojnë se çfarë bote duan. Kjo në të vërtetë është jopraktike, kur bëhet fjalë për një front unik, por me gjasë kështu është puna me të gjitha proceset demokratike: janë të komplikuara, por ia vlen!

«Përse nuk flas më me të bardhët mbi ngjyrën e lëkurës» nga Reni Eddo-Lodge

Për ta bërë punën edhe më të ndërlikuar, tani mbërrijmë te Reni Eddo-Lodge. Autorja tek 30-vjeçAre ka shkruar një libër me titullin «Përse nuk flas më me të bardhët mbi ngjyrën e lëkurës» (2017) – dhe për këtë ka marrë një grumbull çmimesh. Kontributi i saj ka qenë që debatin aktual mbi feminizmin e ka pasuruar me një vërejtje të rëndësishme. Ajo shkruan: mos harroni që se seksizmi mund të ketë edhe një komponentë raciste.

Më e rëndësishmja që mësohet nga ky libër është fjala «intersekcionalitet», e cila e përshkruan diskriminimin e «dyfishtë» të grave me ngjyrë (Women Of Colour) – këtë diskriminim ato nuk e përjetojnë vetëm për shkak të gjinisë, por edhe ngjyrës së lëkurës. Eddo-Lodge shpjegon se për këtë arsye na duhet një feminizëm që e pranon kompleksitetin e diskriminimit. Kësaj duhet shtuar edhe këtë: në botën tonë nuk diskriminohen vetëm gratë, por edhe njerëzit me të meta, njerëzit me pak para apo njerëzit nga komuniteti LGBTQIA+ – dhe meqë pas këtyre diskriminimeve fshihen mekanizmat e njëjtë, feminizmi duhet të kërkojë një shoqëri nga e cila zhduket çdo lloj urrejtjeje. Eddo-Lodge i inkurajon sidomos feministet e bardha të mendojnë për privilegjet e tyre. Jo që të turpërohen pastaj për ngjyrën e lëkurës së tyre, por që feminizmi të bëhet më i mirë për të parë këtë tollovi të padrejtësive dhe për t’i luftuar ato.

Citati thelbësor nga kjo vepër: «Në rastin më të mirë feminizmi është një lëvizje, e cila dëshiron t’i çlirojë të gjithë të margjinalizuarit në kuptimin ekonomik, social dhe kulturor».

Interesante në këtë libër është një çështje që shpaloset në mënyrë eksplicite dhe të cilën unë vazhdimisht e kam shënuar gjatë leximit të këtyre librave: feminizmi nuk është lojë me shumën zero, ku fiton vetëm njëra gjini dhe tjetra humb. Ideja është kjo: njerëzit janë të lirë ose bashkë ose fare. Nuk bëhet fjalë për një matriarkat apo për përmbysje të pushtetit, por për dhënien fund çdo shtypjeje. Kjo për mua është shumë e rëndësishme.

«Teoria e King Kongut» nga Virginie Despentes

Ngjarja më e madhe feministe e viteve të fundit ka qenë lëvizja #MeToo, e cila ka nxitur një debat të jashtëzakonshëm mbi dhunën seksuale kundër grave. Një autore që qëmoti ka shkruar për këtë temë, është Virginie Despentes – ajo për shumë njerëz mund të jetë e njohur me trilogjinë e saj të romaneve «Vernon Subutex».

«Teoria e King Kongut» u botua më 2006 në Francë, më 2018 libri u përkthye në gjermanisht. Aty shkrimtarja shkruan për «atë që nuk mund të thuhet»: mbi përdhunimin që kishte pësuar në moshën 17-vjeçare dhe mbi dy vite gjatë së cilave ajo si grua e re kishte punuar si prostitutë. Ajo zemërohet që edhe sot ende mendohet se përdhunimet janë raste tragjike individuale – ndonëse dhuna seksuale kundër grave përbën një sistem. Kjo, sipas Despentes, ka të bëjë nga njëra anë me dallimet e vërteta sa i përket pushtetit mes gjinive, por edhe me hipokrizinë tonë në lidhje me seksin. Jetojmë në një shoqëri që nuk e ka fare problem që qytetet të mbulohen me fotografi të modeleve 19-vjeçare dhe gjysmë të zhveshura – por njëkohësisht e mbajmë të padukshëm prostitucionin e vërtetë dhe e heshtim konsumimin masiv të pornografisë. Despentes dëshiron që të nisim një debat mbi këto fakte të pakëndshme, të përmirësojmë kushtet e punës të prostitutave dhe t’i marrim seriozisht gratë e përdhunuara dhe të mos i etiketojmë si «viktima tragjike».

Citati qendror: «Prostitucioni i herëpashershëm nuk është i pazakonshëm. Në rastin tim e pazakonshme është që unë flas për këtë».

«Feministi i keq» (Bad Feminist) nga Roxane Gay

Gati në fund të maratonës sime të leximit mendoj shumë mbi zbatimin praktik të feminizmit – dhe jam e lumtur mbi përmbledhjen me ese «Feministi i keq» (Bad Feminist) (2014). Ky libër në të vërtetë është i vetmi që nuk përshkruan një vizion shoqëror, por në vend të kësaj bëhet fjalë për çështjen e rëndësishme se si ia arrin që si «grua normale» të jesh feministe. Libri fillon në mënyrë mjaft sharmante, kur autorja përshkruan se si gjatë një vere s’mund të ndalet duke vallëzuar me këngën «Blurred Lines» të Robin Thickes – një këngë që bën fjalë për «frenimin» e grave siç bëhet me kafshët.

Ajo pyet: a mund ta quaj veten feministe nëse idealet e mia i tradhtoj edhe te gjërat më banale si këngët e preferuara? Pasi ka menduar gjatë ajo thotë: po – sepse kërkesa që në çdo situatë jetësore të jesh një «feministe e përsosur» është plotësisht jorealiste. Fundja, asnjë njeri nuk jeton përherë sipas idealeve të tij. Rrjedhimisht, ajo angazhohet për një feminizëm, i cili nuk pret që gratë të jenë përherë vetëm luftëtare për drejtësi – pa humor, përherë shumë mirë të informuara dhe militante -, por një feminizëm që e pranon sa kundërthënëse është jeta. Gay shkruan: nëse dëshiron të angazhohesh kundër mizogjenisë dhe të pëlqen një këngë repi në të cilën përmendet fjala «bitch», kjo është fare në rregull. Nëse lufton kundër rrogave të pabarabarta, por në mbrëmje çlodhesh duke shikuar «reality-tv» – s’ka gajle.

Problemet si ato të popkulturës seksiste me gjasë nuk zgjidhen duke mos i konsumuar më ato, por duke i atakuar publikisht.

Citati qendror: «Unë jam feministe e keqe. Por më shumë dua të jem feministe e keqe se sa fare feministe».

Kaq ishte. Të gjitha librat u lexuan.

Çfarë mbetet në fund të verës sime të leximit? Dy mësime para së gjithash. Nga njëra anë: habia ime mbi maturinë dhe analizat realiste. Librat më sollën ndër mend se qëllimi i feminizmit nuk është t’i shpallim fajtorë burrat (apo të bardhët apo të pasurit) apo të vajtojmë veten, por të kuptojmë pabarazinë shoqërore – dhe të kërkojmë një botë më të lirë për të gjithë. Për çështjen tjetër më duhet të zgjerohem pak: krahas librave gjatë kësaj vere kam lexuar shumë edhe shtypin, dhe gjatë leximit vazhdimisht kam hasur artikuj në të cilët ngrihej akuza se feminizmi po e tepron. Për shembull si tema përmendeshin fusnota për të treguar gjininë gjatë përdorimit të gjuhës dhe rreziku për burrat që gjatë përpjekjeve për flirtim mund të akuzohen për ngacmim. Unë pyeta veten: a është kjo vërtet e tepërt?

Dhe gjatë leximit unë befas e gjeta përgjigjen: po, natyrisht që feminizmi e tepron. Gjithë ato kërkesa që gjenden në këto libra shkojnë tepër larg. Destigmatizimi i prostitucionit, pezullimi i roleve gjinore, rimendimi i mënyrës se si flasim – të gjitha këto janë kërkesa utopiste. Ende. Ky është thelbi i feminizmit – që ai, matur me standardet e kohës së tij, shkon tepër larg. Unë mendoj: para 100 vitesh aktivistet shkonin tepër larg me kërkesën që grave u takon e drejta e votës. Shumë larg. Për këtë ato futeshin në burg.

Rrjedhimisht: feminizmi e tepron. Sepse vetëm kështu ndodh ndryshimi.

Nina Kunz është kolumniste e «Das Magazin», shtojcë javore e gazetës «Tages Anzeiger» dhe gazetave të tjera zvicerane.

Përktheu nga gjermanishtja:
Enver ROBELLI

 

Të fundit