E premte, 7 Tetor, 2022

VETOJA FRANCEZE, NJË “DRAMË” ME SHUMË “SKENA” MOSMARRËVESHJESH EUROPIANE

Tashmë është bërë e qartë se nuk do të ketë një datë për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Gjithë kjo situatë është përcjellë me zhgënjime, por edhe me keqardhje nga përfaqësues europianë se dy vendet e kanë merituar datën. Samiti i Zagrebit mbetet shpresa e radhës. Ndërkohë, skena politike në Maqedoninë e Veriut po “nxehet” për zgjedhje të parakohshme. Pas gjithë kësaj drame zgjedhjet duken të pashmangshme.

Analizë e KDP-së

Çështja e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të rikthehet në pranverën e vitit të ardhshëm. Me gjasë në samitin e Zagrebit edhe njëherë do të shtrohet çështja e hapjes së bisedimeve me dy vendet e rajonit, pas dështimit dhe vetos franceze në samitin e tetorit.

“Dëshpëruese që negociatat mos hapen për të dyja vendet. Kemi punuar në favor të hapjes së negociatave, por tre vende Franca, Holanda dhe Danimarka janë kundër. Do t’i rikthehemi përsëri çështjes së negociatave në pranverën e vitit të ardhshëm”, ka thënë kancelarja Angela Merkel, në përfundim të diskutimeve për dy vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e vendeve të BE.

E pyetur se përse Gjermania nuk e mbështeti një ndarje të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut, Merkel tha se të dyja vendet kanë bërë përparime.

“Duhet t’i marrim si një të tërë kur vjen çështja tek zgjerimi. Të dy vendet kanë bërë një përparim të shkëlqyer nëse do të shikojmë përparimin në një periudhe 10-vjeçare.  Shqipëria përveç reformës në drejtësi ka ndërmarrë edhe reforma të tjerë. Ndërsa Maqedonia e Veriut zgjidhi çështjen e emrit”, është shprehur Merkel.

Johannes Hahn, Komisionieri Europian për Politikat e Fqinjësisë dhe Bisedimet për Zgjerim, ka theksuar se krerët e shteteve të Bashkimit Europian nuk njohën përparimet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke mos marrë vendimin pozitiv për nisjen e bisedimeve për anëtarësim.

“Liderët e BE dështuan të përmbushnin përkushtimin e tyre për të nisur bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo është mjaft zhgënjyese. Tani, ata duhet të sqarojnë se sa serioz është përkushtimi i tyre ndaj Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Hahn në Twitter.

“Falënderoj të gjithë ata që dhanë gjithçka natën e kaluar për të arritur vendimin e rëndësisë strategjike për BE dhe luftuan për të dërguar një sinjal shprese për qytetarët e Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar Hahn.

Hahn paralajmëroi për pasoja “negative” pas këtij vendimi që do të mbërrijnë edhe brenda unionit. “Siç e thashë edhe në Luksemburg: Ky nuk është një çast i lavdishëm për BE-në. Refuzimi i pranimit të përparimeve të vërtetuara do të ketë pasoja negative, përfshi edhe rrezikun për destabilizim të Ballkanit Perëndimor me impakt të plotë edhe në BE”.

Kreu i Këshillit Europian, Donald Tusk në një deklaratë për mediat i ka bërë thirrje Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që të mos dorëzohen, pasi sipas tij e kanë bërë punën e tyre.

Ai ka theksuar se është e sigurt që një ditë dy shtetet do anëtarësohen në BE. “Ju lutem mos u dorëzoni sepse ju e bëtë punën tuaj. Është e vërtetë që nga njëherë kërkohet shumë kohë për të vendosur. Është e sigurt që një ditë do të bëheni anëtare me të drejta të plota.”

Ndërsa presidenti i Komisionit Europian, Junker ka theksuar se është i zhgënjyer në lidhje me rezultatet.“Jam i zhgënjyer në lidhje me rezultatet. Popujt e dy vendeve janë zhgënjyer nga vendimi për moshapjen e negociatave.”
Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut , Stevo Pendarovski në fjalimin e tij drejtuar popullit ka theksuar se fatkeqësisht pritshmërit tona nuk janë në përputhje me vendimin e Këshillit Evropian në lidhje me marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim të vendit në BE. Pendarovski mes tjerash ka theksuar se vendi duhet të vazhdoj me reforma dhe se nuk kemi nevojë  vetëm për formalitete. “Reformat në shumë sfera duhet të vazhdojnë. Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet vazhduar. Standardet evropiane janë edhe standarde tona. Reformat e brendshme duhet të vazhdojnë sepse janë kushte për kohezion të brendshëm dhe stabilitet të brendshëm. Në emër të ardhmërisë së vendit tonë iu bëj thirrje të gjithë liderëve partiakë që të lënë anësh inatet politike, sepse jam i bindur sepse pikërisht tani kemi nevojë për unitet. Andaj kam thirre mbledhjen e liderëve, për të dielën më 20 tetor”, ka theksuar mes tjerash Pendarovski.

Kreu i VMRO-DPMNE-së opozitare ka theksuar se Maqedonia e Veriut sot ballafaqohet me zhgënjim, pasi që politikat e qeverisë aktuale bënë që vendi të mos merr datë për fillimin e negociatave me BE-në. Mickoski ka theksuar se vendi nuk ka kohë për të humbur dhe se sa më shpejtë që është e mundur vendi duhet të shkoj në zgjedhje të parakohshme.

“Mos marrja e datës për negociata është lajm jo i mirë për Maqedoninë. E gjithë kjo është rezultat i politikave të gabuara të viteve të fundit . Vendimi i tillë për mos-marrjen e datës është humbje , por është humbje për politikat e Zoran Zaevit dhe të qeverisë, politikë pa koncept pa vizion, me korrupcion dhe mashtrime. Kjopolitikë na shtyu të heqim dorë nga shumë gjëra dhe në fund të përfundojmë pa sukses. Duhet të jemi vetë-kritik dhe të pranojmë se Maqedonia datë për shkak të mungesave të reformave”, ka theksuar Mickoski.

Për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pas dështimit për caktimin datës, janë prononcuar edhe partitë politike shqiptare të opozitës, Alenca për Shqiptarët dhe Lëvizja “Besa”. Sipas të dy partive zgjedhjet janë të domosdoshme dhe se kjo qeveri ka dështuar në të gjitha drejtimet. Dështimi i marrjes së datës, duket se do ta komplikojë situatën politike në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që lideri i VMRO-DPMNE-së, Miskovski ka paralajmëruar protesta nga fillimi i javës së ardhshme.

Në ndërkohë presidenti i shtetit Stevo Pendarovski ka paralajëmruar takim liderësh për ditëne e diel. Me gjasë do të jetë shumë e vështirë të jepen arsyetime për dështimin, ndërkohë që partitë në pushtet kanë thekaur se kanë bërë gjithçka që është e mundur dhe se një vendim për moshapjen e negociatave kryesisht varej nga shtetet anëtare në BE-së.

Gjithë kjo situatë pas dëshitmit të negociatave duket se do të përfundojë në zgjedhje të parakohshsme, të cilat me gjasë tashmë bëhen të panshmangshme.

Të fundit