E premte, 19 Gusht, 2022

Takimi i ardhshëm i liderëve të BE-së, analistët e presin me optimizëm

Franca nuk ndryshon qëndrim për sa i përket hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky shtet i BE-së nuk e ndryshoi linjën e saj të ashpër kundër bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të martën, duke argumentuar se nuk mund të aprovojë negociatat derisa BE të reformojë zgjerimin dhe pranimin e pafund të anëtarëve të rinj, shkruan Agjencia e lajmeve Flaka. 

Por në gjithë këtë situatë, ende asgjë nuk ka përfunduar. Pas vetos franceze për fillim të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dje në Luksemburg në nivel ministror, sytë e dy vendeve tani janë drejtuar në takimin e ardhshëm të liderëve të BE-së që do të mbahet nesër dhe pasnesër.

Liderët e BE-së këto dy ditë do të kenë agjendë të ngjeshur, veçmas në relacion me Mbretërinë e Bashkuar e cila më 31 tetor duhet ta braktis BE-në, ndërsa ende nuk është arritur kompromis mes Londrës dhe Brukselit për modalitetet e Bregzitit. Nuk ka dyshim se Bregziti do të jetë temë qendrore në këtë samit dhe se çështja është se në ç’masë do t’i kushtohet vëmendje zgjerimit dhe kandidaturave të Shkupit dhe Tiranës.

Por si shihen këto lëvizje politike nga analistët vendas. Për analsitin Xhelal Neziri, përderisa shumica e vendeve anëtare të BE-së përkrahin hapjen e negociatave me dy vendet e Ballkanit Perëndimor, atëherë ka shumë gjasa që të ketë një vendim pozitiv nga ana e Këshillit Evropian.

“Nëse këto vende që janë në favor të fillimit negociatave janë të udhëhequra nga Gjermania, atëherë gjasat janë edhe më të mëdha. Por, në BE vendimet merren me konsensus, e jo me shumicë votash. Aty mund një vend anëtar si Malta me vetëm 500 mijë banorë të bllokojë një vendim të përkrahur nga një Gjermani me 80 milionë banorë. Sidoqoftë, vendimi i mundshëm negative për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të rënonte besimin e BE-së në Ballkan, gjë që mund të reflektohet negativisht edhe në procesin e arritjes së Marrëveshjes Kosovë-Serbi. Poashtu do të forconte edhe më shumë nararivat anti-BE që burojnë nga vendet e Lindjes e që kanë për qëllim të forcojnë praninë në Ballkan vetëm për interesat ekskluzive të tyre, ndërkohë që do të zhbëjnë perspektivën për një rajon të zhvilluar, të qetë dhe demokratik”, shprehet Neziri në prononcimin për Agjencinë e lajmeve Flaka.

Edhe analisti Sefer Selimi, shprehet që: “BE nuk e ka komoditetin e plotë që ti injoroj dinamikat gjeo-politike në pergjithesi dhe ne Ballkanin Perendimor në veçanti.

“Ndërhyrjet e vendeve të treta dhe situata e re qe po krijohet ne Siri, besoj që do të impenjon racionalitet edhe tek presidenti Makron dhe RMV dhe Shqipëria do të marrin datë për hapjen e negociatave. Vendet e Ballkanit Perendimor edhe në rast të mos marrjes së datës, duhet patjetër të insistojnë në thellimin e reformave dhe vazhdimin e procesit te integrimit si alternativë e vetme që sjell mirëqenie të  qëndrueshme për qytetarët”, shprehet për Agjencinë e lajmeve Flaka analsiti Seferi.

Shtetet anëtare të BE-së dje për herë të tretë e kanë anuluar vendimin edhe krahas asaj që në qershor janë angazhuar se në tetor do të kthehen në çështjen dhe do të sjellin “vendim të qartë dhe thelbësor”. Në vend të kësaj, ata nuk arritën të sjellin konkluza për asnjë nga vendet kandidate për anëtarësim në BE, përfshirë edhe Serbinë dhe Malin e Zi të cilët shpresuan të hapin kapituj të ri negociues.

Pas dy raundeve të negociatave dhe disa propozimeve të ndryshme të presidencës finlandeze që të gjendet kompromis, ministrat e jashtëm janë tërhequr dhe kanë kërkuar çështja të hidhet tek shefat e shteteve dhe qeverive të BE-së. Flaka 

Të fundit