E premte, 19 Gusht, 2022

Venecia/ Të gjithë thërrasin fitore. Si është e vërteta?

Publikimi i draftit final të Komisionit të Venecias për kushtetueshmërinë e 30 qershorit dhe për faktin nëse duhet shkarkuar presidenti Meta, i ka bërë si gjithmonë dy palët të thërasin fitore në favor të tyre. Po ti hedhësh një sy argumentave se ku e bazojnë  palët “triumfin” e tyre, vëren se socialistët mbështeten në logjikën se kreu i shtetit nuk mund ti anullonte zgjedhjet në kushte normale, se kjo shtyrje cënon të drejtën e shtetasve për të zgjedhur, se bojkoti i një opozite sado të madhe nuk përbën shkas për anullimin e garës elektorale e kështu me radhë

Pra shumica qeverisëse prezanton një gjysëm të vërtetë. Atë që Meta nuk mund ti shtynte zgjedhjet duke lënë në errësirë një tjetër, atë se aktet e kreut të shtetit nuk janë shkëlje kushtetuese e për rrjedhim nuk përbëjnë sipas Venecias shkas për shkarkimin e tij. Pikërisht këtë gjysëm të vërtete të dytë, Ilir Meta ia paraqet publikut si një të tërë.

Ai vë re, sipas draftit përfundimtar të Venecias: “Presidenti i Republikës nuk ka shkelur Kushtetutën dhe nuk ka tejkaluar kompetencat e veta kushtetuese”. Madje Meta mburret se pas vërejtjeve të tij versioni përfundimtar pësoi ndryshime.
Dokumenti përfundimtar ëshë korrigjuar thelbësisht në krahasim me draftin e mëparshëm.

 

PIKA 99 ISHTE

99. Ndaj, Presidenti tejkaloi kompetencat e tij sipas Kushtetutës së pari duke anuluar, më pas duke shtyrë zgjedhjet lokale. I mbetet Parlamentit dhe në fund Gjykatës Kushtetuese të përcaktojë nëse kjo mund të konsiderohet ‘shkelje serioze’, e cila do i hapte rrugën shkarkimit të Presidentit.

PIKA 99 ËSHTË

99. I mbetet Parlamentit dhe në fund Gjykatës Kushtetuese të përcaktojë nëse anulimi dhe më pas shtyrja e zgjedhjeve konsiderohet shkelje e Kushtetutës dhe nëse shkelja i përket një natyre serioze, e cila do mund të lejonte shkarkim të Presidentit.

Po cili ka të drejtë në këtë ‘betejë” ku të gjitha palët bërtasin fitore?

Duke lexuar përfundimet e Venecias mund të thuhet se asnjëra palë nuk ka ngadhënjyer totalisht. Meta fshikullohet nga komisioni për anullimin, por mbrohet nga procedura e shkarkimit. Socialistëve iu jepet e drejta për zgjedhje në 30 qershor, por nuk inkurajohen të zhbëjnë edhe të vetmin kundërpushtet që i ka mbetur vendit. Pra duam apo s’duam, na pëlqen ap s’na pëlqen, interpretimi më i drejtë i përfundimeve të komisionit të Venecias është se nuk i dha të drejtën absolute asnjërës palë.

Argumentat e PS-së të mbrojtura nga Taulant Balla

1. Presidenti Ilir Meta veproi ne mungese të bazes ligjore, kur anulloi zgjedhjet dhe vendosi shtyrjen e tyre pa pasur nje kompetence te tille ne Kushtetute dhe ne ligjin elektoral.

2. Anullimi i zgjedhjeve dhe me tej shtyrja e tyre cenoi te drejten e shtetasve per te zgjedhur.

3. Bojkoti elektoral i subjekteve politike, edhe nese ata perfaqesojne nje pjese te caktuar te votuesve, nuk mund te ndaloje zhvillimin e zgjedhjeve te rregullta. Perndryshe, keto parti do te fitonin mundesine te pengonin cdo proces zgjedhor ne te ardhmen.

4. Eshte kompetence e Kuvendit dhe me tej vetem e Gjykates Kushtetuese te percaktoje nese shkeljet e gjetura të Presidentit janë bazë për shkarkimin e tij nga detyra.

Argumentat e Presidencës të mbrojtura nga Ilir Meta

1. Presidenti i Republikës nuk ka shkelur Kushtetutën dhe nuk ka tejkaluar kompetencat e veta kushtetuese.

2. Presidenti i Republikës pati qëllim legjitim, që synonte shmangien e gjakderdhjes, mbrojtjen e pluralizmit politik, ruajtjen e stablitetit dhe të kredencialeve demokratike të vendit.

3. Kompetencat kushtetuese të Presidentit nuk janë formale.

4. Dekretet e Presidentit janë në fuqi dhe nuk u sfiduan përpara asnjë gjykate.

5. Zgjedhjet parlamentare kanë status më të lartë kushtetues se zgjedhjet vendore./Lapsi

Të fundit