E martë, 9 Gusht, 2022

SULMET NDAJ MJEKËVE, CILA ËSHTË GJENEZA DHE SI TË ÇRRËNJOSET DHUNA?

Vetëm kohëve të fundit janë shënuar disa raste të dhunës ndaj mjekëve. Një dukuri shqetësuese që sipas përfaqësuesve të institucioneve “gjenezën e ka më herët”. Partitë opozitare dhunën e shohin te politikat e gabuara qeveritare. Oda e mjekëve thotë se ky problem shfaqet për shkak të politizimit të shëndetësisë. Raportohet se numri i sulmeve është shumë më i madh, por mbeten të paevidentuara.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Vetëm kohëve të fundit janë shënuar disa raste të sulmit ndaj mjekëve. Edhe pse deri më tani nuk janë dhënë detaje për arsyet e këtyre sulmeve, një dukuri e këtillë ka shqetësuar opinionin publik në Maqedoni. Menjëhërë pas këtyre sulmeve kishte reaguar Oda e Mjekëve të Maqedonisë, e cila i ka dënuar këto sulme duke i cilësuar si të papranueshme. Oda e mjekëve ka theksuar se vetëm mjedis i sigurt në të cilin jepen shërbimet shëndetësore, garanton siguri, mbrojtje shëndetësore cilësore dhe profesionale për pacientët.

Brenda kohës është vlerësuar se besimi i humbur mes pacientëve dhe mjekëve ditëve të fundit ka arritur kulmin me sulme të përsëritura verbale dhe fizike ndaj punëtorëve shëndetësorë. Dhuna e ushtruar ndaj punëtorëve shëndëtësorë tashmë shihet si një dukuri e rrezikshme që duhet të debatohet në nivel institucionesh, por edhe për të ndërmarrë të gjitha masat që ajo të mos përsëritet në të ardhmen.

Zëvëndësministri i Shëndetësisë, Asim Musa, thotë se problemi ka gjenezën shumë më herët. Sipas tij,institucionet kompetente duhet ta zgjidhin problemin. “Nuk është protesta mënyra për të zgjedhur këtë problem mes mjekëve dhe pacientëve, problemi ka gjenenzën shumë më herët dhe duhet ta zgjidhin institucionet”, thekson Musa.

Nga Aleanca për Shqiptarët vlerësojnë se dhuna ndaj mjekëve rrjedh nga politikat e gabuara qeveritare. “Edhe une pajtohem se nuk mund të ketë hendek mes pacientëve dhe mjekëve, mirëpo dhuna jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në çdo shtet është si pasoj e defekteve në shoqëri dhe rrjedh nga politikat e dështuara qeveritare”, thekson Bekim Tateshi nga Departamenti i Shëndetësisë i ASH-së.

Drejtori i Klinikës së Traumatologjisë në spitalin “Nënë Tereza” në Shkup, Ilir Hasani, thekson se rastet kur sulmohen mjekët janë më të shumta se sa që paraqiten. “Shumë pak nga rastet evidentohen dhe paraqiten nga dhuna e përditshme që është verbale dhe fizike ndaj personelit mjeksor”, thotë Ilir Hasani.

Nga Oda e mjekëve të Maqedonisë thonë se problemi ka gjenezën në politizimin e skajshëm të proceseve shëndetësore. Zv. kryetari i kësaj ode, Ylber Besimi, thotë se në momentin që mjeku vesh mantelin e bardhë orientimet politike duhet të përfundojnë. “Mendoj se problemi nisë dhe vazhdon të jetë i pranishëm për shkak të politizimit të skajshëm të proceseve shëndetësore . Kur themi politizim, duhet të merremi me parimet, me çështjet që janë parimore dhe sistematike që duhet të zgjidhen”, thotë Besimi.

Përndryshe, vetëm brenda një muaji janë shënuan disa raste të sulmeve ndaj personeli mjekësor, që detyroi ata të protestojnë për të kërkuar siguri më të madhe nga institucionet. Tash për tash ky raport mjekë-pacientë po mbetet në nivel debati, pa arritur që të japë një diagnozë të saktë të kësaj dukurie që tashmë paraqitet shqetësuese. Protesta e punonjësve shëndetësorë shihet si një akt për të senzibilizuar opinionin dhe institucionet për të ndërmarrë diçka në këtë drejtim. zMbase është koha e fundit që përpara institucioneve drejtuese shëndetësore, duke filluar nga ministria e deri të drejtoritë e spitaleve, kjo dukuri të trajtohet me seriozitet dhe të ndërmerren të gjitha masat e duhura që nënkuptojnë përforcmin e besueshmërisë në raportin mjekë-pacientë.

Të fundit